Deklaratë për shtyp – Ndotja në fshatrat e Krujës po rrezikon jetën dhe shëndetin e shtetasve
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), ndoqi me shqetësim pamjet filmike të publikuara nga emisioni investigativ “Fiks Fare” i televizionit Top Channel. Në këto pamje u transmetua ndotja shqetësuese nga djegia e furrave të gëlqeres në fshatin Borizanë dhe Nikël të Krujës.
Para disa javësh, vëzhgues të KShH-së kanë kryer verifikime në fshatin Borizanë dhe Kadias të Krujës. Verifikimet e kryera nga KShH krijuan bindjen se aktiviteti i guroreve dhe djegies së furrave gëlqerore në këto fshatra ishte jo vetëm i kundraligjshëm por përmbante dhe elementë kriminalë sepse dëmtonte rëndë mjedisin dhe është me pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e njerëzve.
Ndërkohë që KShH është duke e ndjekur trajtimin e kësaj çështje duke marrë kontakt me institucionet shtetërore përgjegjëse si dhe duke kërkuar informacion nga prokuroria dhe policia për kallëzimet, procedimet penale që janë nisur dhe ecurinë e tyre, janë tepër shqetësues faktet e reja që dalin nga investigimi i gazetarëve të emisionit Fiks Fare.
Përveç ndotjes alarmante të ambientit në fshatrat Borizanë dhe Nikël, gazetarët e Fiks Fare morrën dëshmitë e punonjësve në furrat e gurores që referonin se punonjës të organeve të rendit dhe mjedisit korruptoheshin në mënyrë të vazhdueshme për të mos penguar ushtrimin e aktiviteteve të furrave të gëlqeres në Borizanë dhe Nikël.
Mungesa e deritanishme e një zgjidhje efektive për ndotjen e shkaktuar nga djegia e furrave gëlqerore në fshatrat e Krujës, e shoqëruar me faktete reja që hedhin dritë për korrupsion pasiv dhe shpërdorim të detyrës nga zyrtarët publikë e rëndojnë së tepërmi situatën e banorëve të zonave të prekura nga ndotja. Këta banorë presin nga institucionet shtetërore marrjen e masave për mbrojtjen e mjedisit, jetës dhe shëndetit, për të cilat nuk mund të bëhet asnjë kompromis i paligjshëm që i hap rrugë djegies gëlqeres me anë të materialeve kancerogjene.
Ndërkohë që nga strukturat e shëndetit publik ende nuk kemi marrë një informacion mbi pasojat e mundshme që ka kjo ndotje në shëndetin e këtyre banorëve, KShH risjell në vëmendje thirrjen e mëparshme , drejtuar strukturave përgjegjëse në varësi të Ministrisë së Mjedisit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Policisë së Shtetit si dhe Bashkisë së Krujës të zbatojnë në mënyrë rigoroze ligjin dhe bashkëpunojnë midis tyre duke i dhënë zgjidhje përfundimtare dhe efektive ndotjes së ambientit në fshatrat e Krujës.
I bëjmë thirrje gjithashtu organit të prokurorisë, për të kryer hetime objektive, të plota e të gjithëanshme për çdo dyshim të lidhur me korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës nga zyrtarët publikë të organeve të rendit, organeve të qeverisjes vendore dhe mjedisit të ngarkuar me përgjegjësi inspektuese në këto fshatra.