Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) përmes njoftimeve në media ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit lidhur me grevën e ndërmarrë nga naftëtarët e Patos-Marinzës gjatë 17 ditëve të fundit, ku një pjesë prej tyre kanë shfaqur edhe probleme serioze shëndetësore. Sindikata e Sektorit të Hidrokarbureve kërkon përmirësim të kushteve aktuale të punës dhe paga të përshtashme dhe dinjitoze për naftëtarët, si dhe drejtësi e meritokraci në caktimin e detyrave.
Në pikën 2 të nenit 197 të Kodit të Punës parashikohet se “Sindikatat kanë të drejtë të ushtrojnë të drejtën e grevës për zgjidhjen e kërkesave të tyre ekonomike dhe shoqërore, në përputhje me rregullat e caktuara në këtë Kod.” KShH vlerëson se organet shtetërore kanë detyrimin e marrjes së masave për të nxitur palët në ndërmjetësimin, pajtimin dhe zgjidhjen e kësaj situate në përputhje me parashikimet e kreut XVII të Kodit të Punës. Kjo problematikë është e përsëritur dhe e monitoruar më parë edhe nga KShH, që lidhur me këtë çështje është prononcuar publikisht.
Në jo pak vendime të saj Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) ka elaboruar se shtetet anëtare kanë detyrime pozitive për të marrë masa të nevojshme dhe të përshtatshme për mbrojtjen e të drejtave të individit. Liria sindikale dhe e drejta e grevës gjejnë mbrojtje nën nenin 11 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) dhe shteti ka detyrimin pozitiv për të siguruar që kjo liri dhe e drejtë të ushtohet në praktikë me qëllim që për palët të sigurohen kushte të barabarta në mbrojtje të interesave ekonomikë, profesionalë dhe shoqërorë të naftëtarëve. (Shih vendimet e GJENDJ: Wilson and Palmer kundër Mbretërisë së Bashkuar dhe Tek Gida Is Sendikasi kundër Turqisë)
Në këtë vështrim, duke marrë parasysh se kërkesat e naftëtarëve nuk janë përfillur, pasi ata janë detyruar të përsëritin protestat e mëparshme për të njëjtën çështje, madje në këtë drejtim të futen edhe në grevë urie, KShH e shikon të nevojshme ndërhyrjen e shtetit.
Kompania Bankers-Petroleum është e detyruar të zbatojë legjislacionin tonë dhe të drejtat e njeriut që sanksionon KEDNJ. Kur këto nuk zbatohen, shteti ka detyrimin të ndërhyjë. Kjo është një ndërhyrje e drejtë, e bazuar dhe në interes të shtetasve shqiptarë.
Vonesat në këtë drejtim sjellin zvarritjen e zgjidhjes së këtyre kërkesave të domosdoshme dhe të përsëritura edhe në të kaluarën. Shteti duhet të mbrojë individët nga ndërhyrja në të drejtat social-ekonomike nga aktorët jo-shtetërorë. Është shqetësues fakti që disa subjekte jo-shtetërorë nuk ndjejnë përgjegjësi kur haptazi shkelin të drejtat e njeriut.





