Në 17.04.2025, shtetasit O.Z dhe E.G, banues në Tiranë, prindër të të miturit 14 vjeçar J.G njoftuan Komitetin Shqiptar të Helsinkit (KShH) se më datë 12.04.2025 pranë zonës së Kodrës së Liqenit Tiranë, djali i tyre J.G ishte ndaluar nga punonjësit e Policisë të Komisariatit Nr. 1, Tiranë për shkak se ishte kapur duke hedhur kapsolla. Në ankesën e tyre ata pretendonin se ndaj djalit të tyre punonjësit e policisë kishin ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike.
Për verifikimin e kësaj ankese, më datë 22.04.2025, dy vëzhgues të KShH-së shkuan në Komisariatin Nr. 1. Gjatë këtij verifikimi rezultoi se:
- Sipas dokumentacionit të kqyrur, i mituri J.G, i datëlindjes 09.11.2010, në datë 12.04.2025, ora 18:40 ishte shoqëruar në Komisariatin e Policisë Nr.1. Shkaku i shoqërimit ishte dyshimi për prishje të qetësisë publike dhe hedhje të lëndëve piroteknike. Në dokumentacion shënohej se pas shoqërimit ishin njoftuar prindërit e tij.
- Në Raportin e Shoqërimit shënohej se i mituri kishte një hematomë në krahun e syrit të djathtë. Në dokumentacionin e kqyrur nuk rezulton të jetë vizituar nga mjeku. Fakti i mësipërm u mohua nga punonjësit e policisë. Megjithëse në raportin e përmendur më lart ishte shënuar hematoma, nuk rezultoi që i mituri të ishte vizituar nga mjeku i Komisariatit, në kundërshtim me parashikimet e Kreut IV, të Procedurës Standarde “Trajtimi dhe sigurimi i personave të arrestuar/ndaluar në ambientet e Policisë së Shtetit, evidentimi dhe zgjidhja e kërkesë/ankesave të tyre”.
- Me kërkesën e prindërve që shkuan në Komisariat menjëherë mbas njoftimit, u njoftua urgjenca e Spitalit të Traumës. Në regjistrin përkatës ishte shënuar fakti i mësipërm. I mituri u shoqërua në Spitalin e Traumës, në datë 12.04.2025, ora 20:00. Sipas epikrizës përcjellëse mjekësore që i është dërguar KShH-së nga prindërit e të miturit diagnoza është: Contuzion capitis, goditje me grushta. Të ndiqet nga mjeku i familjes për pushim dhe rikontroll sipas sistemit të referimit.
- Në Regjistrin e të dhënave të personave të shoqëruar të mitur, KShH konstatoi korrigjime në oraret e shënuara, në emrin e psikologes dhe oficerit të policisë gjyqësore. Në fakt psikologia M.T nuk kishte marrë takim me të miturin J.G në Komisariat, por vetëm në ambientet e Spitalit të Traumës. Nga kjo del se emri i psikologes në regjistrin e Komisariatit ishte shënuar më vonë.
Duke pasur parasysh faktet e mësipërme arrihet në përfundimin se i mituri J.G është dhunuar, gjë që ka qenë evidente jo vetëm me shikimin vizual, por edhe në epikrizën mjekësore të Spitalit të Traumes. Veç kësaj punonjësit e policisë megjithëse kanë bërë shënimet në regjistër për hematomën, meqë mohuan ushtrimin e dhunës ndaj tij nuk e dërguan atë për vizitë tek mjeku. I mituri u dërgua në spital vetëm me insistimin e prindërve.
Në rastin e përmendur më lart në Komisariatin e Policisë Nr. 1, të miturit J.G nuk i është dhënë ndihma e nevojshme mjekësore dhe psikologjike duke vepruar kështu në kundërshtim me nenin 34, pika 1, gërma ç dhe pikën 1 të nenit 35 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe nenet 10, 14, 18 të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, ku bëhet fjalë për parimin e interesit më të lartë të fëmijës, asistencën e psikologut si dhe përdorimin e masave alternative të shmangies. Ndërkohë që prindërit e shtetasit të mitur, më datë 13.04.2025 kanë depozituar një kallëzim pranë Agjensisë së Mbikqyrjes Policore si dhe Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, KShH i bën thirrje institucioneve përgjegjëse ta hetojnë këtë rast me përparësi dhe seriozitet, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe parandalimin e situatave të ngjashme në të ardhmen.