Deklaratë për shtyp: Vonesat janë me pasoja për procesin zgjedhor


Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) shpreh shqetësim për faktin se ende nuk janë miratuar ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor (KZ), megjithëse data e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore po afron. Siç dihet, ato do të zhvillohen më datë 21 Qershor 2015, duke patur si risi ndarjen e re administrativo-territoriale. Bazuar në dispozitat ekzistuese të KZ, meqenëse dekreti i Presidentit të Republikës, për caktimin e datës së zgjedhjeve, mban datën 15 Dhjetor 2014 më 15 Janar 2015 duhet të publikohej ekstrakti i parë me përbërësit zgjedhorë. I njëjti veprim duhet të përsëritet edhe në datën 15 Shkurt 2015. Ky ekstrakt ka shumë rëndësi për zgjedhësit, sepse do t’i ndihmojë ata të verifikojnë nëse janë përfshirë si zgjedhës në ekstrakt, të verifikojnë nëse të dhënat e tyre personale janë shënuar drejtë dhe saktë dhe në rast nevoje, të paraqesin kërkesat për korrigjimin e tyre në rrugë administrative. Sipas verifikimeve të KShH ky detyrim ligjor është përmbushur vetëm pjesërisht dhe realizimi i kësaj detyre, në vazhdimësi, kryhet me ritme shumë të ngadalta. Kjo situatë shkakton cenim të të drejtës për të votuar për shtetasit që e gëzojnë atë.

Nga mediat e datës 09 Shkurt 2015, erdhëm në dijeni të disa propozime, që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka dërguar Kuvendit të Shqipërisë, në lidhje me nevojën e bërjes së disa rregullimeve ligjore, në drejtim të organizimit e funksionimit të Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve(KZAZ), të cilat sipas legjislacionit ekzistues, duhet të ngrihen jo më vonë se data 21 Mars 2015. Këto struktura zgjedhore duhen përshtatur me ndarjen e re administrative. Në këtë njoftim KQZ, gjithashtu, parashtroi dhe shqetësimin për situatën e bllokimit të procesit parazgjedhor.

Nisur nga këto rrethana, KShH i sugjeron Kuvendit të Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave, që të nxitojnë për të marrë të gjitha masat dhe të krijojnë kushtet optimale për mundësimin e një procesi zgjedhor, në përputhje me standardet demokratike, sepse kjo përbën një interes madhor të zgjedhësve. Me këtë rast u sugjerojmë organeve më të larta të shtetit, që të mos kufizohet vetëm në ato ndryshime ligjore, që lidhen me ndarjen e re administrativo-territoriale, por të vlerësojë në tërësi dispozitat e KZ dhe të ndërhyjë kudo që është e nevojshme, ose ku ka rezultuar problematike në zgjedhjet e kaluara. Si përmirësime të mundshme dhe të rëndësishme përmendim rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, të prezantuara pas zgjedhjeve të 23 Qershorit 2013, konkretisht:

a) Ndryshime në dispozitat e KZ për të ndaluar zëvendësimin diskrecional të anëtarëve
të KZAZ-ve nga partitë politike.
b) Ndryshimet në nenin 84/1 i KZ për të qartësuar se, çdo material i lidhur me
fushatën, i përgatitur nga subjektet zgjedhore, duhet të identifikohet si material
propagandistik dhe se mediat nuk duhen detyruar për t’i transmetuar, pa i vlerësuar
më parë vetë .
c) Ndryshime në KZ për të mundësuar që vëzhguesit e akredituar të kenë akses të
barabartë për marrjen e kopjeve të tabelave të rezultateve të Qendrave të
Votimit(QV) dhe KZAZ-ve.
d) Ndryshime në KZ me qëllim që subjektet zgjedhore të detyrohen të raportojnë
rregullisht, pranë KAZ-ve përkatëse, të ardhurat dhe shpenzimet e kryera gjatë
fushatës zgjedhore.
e) Ndryshime në KZ me qëllim që të shkurtohen, deri në tre ditë, afatet për gjykimin e
çështjeve, që i përkasin periudhës para zgjedhore.
f) Të saktësohen dispozitat e KZ, të cilat përkufizojnë aktet normative.
g) Të parashikohet mundësia e ankimit kundër vendimeve të Kolegjit Zgjedhor,
mbështetur në nenin 43 të Kushtetutës etj.

Të bindur se vonesat në drejtime të përmirësimeve të nevojshme të KZ, përbëjnë pengesë serioze për veprimtarinë e KQZ-së dhe për të gjithë procesin zgjedhor, KShH sugjeron që rishikimi i KZ të fillojë sa më shpejt, të jetë gjithëpërfshirës si proces dhe publikut të gjerë t’i mundësohet informacion i plotë lidhur me ecurinë e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TOP Komiteti Shqiptar i Helsinkit