Bazuar në Kodin Zgjedhor sot është dita e fundit për depozitimin e listave shumëemërore nga subjektet politike, parti apo koalicione, pjesëmarrëse në zgjedhjet parlamentare të 11 maj 2025. Dy muaj më pas qytetarët do të votojnë. Me dorëzimin e listave nis de facto fushata elektorale për kandidatët dhe subjektet zgjedhore.
Duke i dhënë rëndësi këtij momenti, organizatat tona, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), Qëndresa Qytetare (QQ) dhe Instituti i Studimeve Politike (ISP), të cilat janë angazhuar në monitorimin cilësor, të paanshëm dhe të pavarur të procesit zgjedhor, si dhe hetimit e ndëshkimit të krimit zgjedhor, vlerësuan të bëjnë këtë deklaratë publike lidhur me pesë çështje thelbësore dhe me interes publik.
- Vota e diasporës. Me mbylljen e afatit ligjor për regjistrim për herë të parë në historinë tonë shtetërore mbi 200 mijë shtetas që jetojnë jashtë do të ushtrojnë të drejtën e votës.
- Shoqëria civile e mirëpret pjesëmarrjen e tyre dhe i fton të regjistruarit të ushtrojnë aktivisht dhe lirisht edhe të drejtën e votës.
- Njëkohësisht ne i drejtohemi partive politike, kandidatëve, KQZ, dhe organeve ligjzbatuese të dëshmojnë përgjegjshmëri dhe vullnet real politik e institucional, për të evituar aplikimin e dy standardeve në zgjedhje, një brenda vendit dhe një në diasporë.
- Integriteti i procesit zgjedhor të diasporës kërkon siguri të plotë për fshehtësinë e votës, transparencë financiare, monitorim institucional dhe garanci për parandalim të çdo forme të shpërdorimit të aseteve publike dhe krimit zgjedhor.
- Integriteti i kandidatëve. Legjislacioni ka përcaktuar kritere parandaluese për kandidatët me rekorde negative, si dhe u krijon mundësi subjekteve të verifikojnë kandidatët në Prokurori apo në Autoritetin e Dosjeve (AIDSSH) lidhur me të dhënat për dekriminalizimin dhe të shkuarën.
- Me keqardhje konstatojmë se partitë nuk e shfrytëzuan këtë mekanizëm mbrojtës dhe transparence, duke evituar pa arsye procesin e verifikimit të hershëm sipas ligjit 138/2015 të dekriminalizimit, neni 7, pika 5 dhe ligjit 45/2015 për të drejtën e informimit për dokumentet e ish sigurimit të shtetit, neni 30.
- Përfshirja në listat e mbyllura të disa kandidatëve që janë në proces hetimor ose në masë sigurie nga sistemi ynë gjyqësor, është një zhvillim shqetësues dhe i kundërt me pritshmërinë publike për politikë dhe kandidatë të pastër dhe me integritet. Edhe mungesa e një sistemi meritokracie e konkurrimi brenda partive e dobësoi integritetin e kandidatëve dhe të vetë partive politike.
- Në këtë fazë apelojmë partitë të respektojnë angazhimin solemn të shprehur nga kryetarët e tyre në deklaratën e regjistrimit, neni 64/e i Kodit Zgjedhor, sidomos se do të refuzojnë të marrin pjesë në praktikat e blerjes së votës, presionit ose kërcënimeve, si dhe marrjes së financimeve apo përfitimeve të kundërligjshme, veçanërisht nga ato që vijnë nga aktivitete kriminale.
- Integriteti i zgjedhjeve. Zgjedhjet bëhen me qytetarët dhe për qytetarët. Për këtë arsye është e rëndësishme që partitë politike dhe kandidatët të prezantojnë programet e tyre elektorale dhe të fokusohen në diskutime mbi rrugëzgjidhjet dhe alternativat më të mira për vendin dhe qytetarët.
- Në emër të shoqërisë civile në shprehim papajtueshmërinë me ligjërimin e personalizuar e denigrues, gjuhën e ashpër dhe klimën tensionuese. Pas 10 proceseve zgjedhore parlamentare, Shqipëria ka mundësi e nevojë të ketë qasje më proaktive dhe më të maturuar të partive politike dhe liderëve të tyre. Sjellja e tyre ndikon direkt në besimin publik ndaj procesit, pjesëmarrjes në votime dhe vetë demokracisë në Shqipëri.
- Administrimi i procesit zgjedhor. Shoqëria civile ka mbështetur masat e marra nga KQZ lidhur me përgatitjet për zgjedhjet dhe është aktive në konsultimin e projekt-akteve të dërguara nga KQZ si dhe në denoncimin e rasteve të abuzimit me Kodin Zgjedhor, sidomos për burimet shtetërore.
- Duke pritur që zgjedhjet të shënojnë standard më të lartë administrimi në raport me të kaluarën, organizatat tona shprehin shqetësimet për pamundësinë e ushtrimit të votës për kategori sociale në pamundësi, PAK, etj, për interpretimet e ndryshme të dispozitave ligjore nga strukturat përbërëse të KQZ, për mos mbulimin e plotë të monitorimit të shpenzimeve financiare të kandidatëve dhe subjekteve.
- Organizatat tona vlerësojnë bashkëpunimin pozitiv me KQZ-në për konsultimin e projekt-akteve të këtij institucioni, por njëkohësisht rekomandojnë që KQZ të informojë organizatat mbi shkallën e reflektimit të mendimeve dhe sugjerimeve të tyre në këto projekt-akte.
- Vëzhguesit e organizatave tona janë vendosur në dijeni për rastet shqetësuese të keqpërdorimit të burimeve shtetërore, të cilat përfshijnë mbështetjen financiare ndaj pensionistëve, ndryshime në strukturën e buxhetit të shtetit, ofrim të shtuar të programeve sociale/granteve në disa Bashki të vendit, etj. I bëjmë apel institucioneve publike qendrore dhe vendore, të mos vënë në dispozicion të partive politike dhe fushatës zgjedhore nëpunes dhe taksa qe duhet te perdoren për shërbime dhe investime ndaj qytetareve. E njejta thirrje shkon edhe per nëpunësit publikë, të mos vendosin veten, lirinë, postin dhe karrierën e tyre ne rrezik, duke refuzuar kërkesat jolegjitime për angazhim në abuzim me detyrën nga partitë politike.
- Paralelisht me nevojën për të hetuar dhe disponuar në kohë të arsyeshme të denoncimeve të organizatave të shoqërisë civile nga KQZ, ritheksojmë gjithashtu rëndësinë e ndërmarrjes së hetimeve kryesisht nga Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, një gjetje e përsëritur kjo edhe nga zgjedhjet e kaluara.
- Gjithashtu, theksojmë nevojën e administrimit të duhur institucional të procesit zgjedhor, përfshirë këtu publikimin në kohë të listave paraprake të zgjedhësve dhe njoftimin e tyre brenda afatit të vendosur nga Kodi Zgjedhor, si dhe nevojën për rritjen e mbikqyrjes nga KQZ përgjatë këtyre dy muajve, të proceseve të lëvizjeve të brendshme të popullatës midis Bashkive, për të parandaluar çdo abuzim të mundshëm në këtë drejtim, për qëllime zgjedhore.
- Parandalimi dhe ndëshkimi i krimit zgjedhor po monitorohet nga organizatat tona në sajë të bashkëpunimit pozitiv me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
- Shprehim shqetësim lidhur me faktin se ka ende procese hetimi të pambyllura për krimet zgjedhore që kanë ndodhur në raport me zgjedhjet e fundit të Qeverisjes Vendore, dy vite më parë.
- Deri në Janar 2025, rezulton se afro 54% e çështjeve në prokuroritë e juridiksionit të zakonshëm dhe 44% në SPAK janë mbyllur (vendosur mosfillimi apo pushimi i procedimit penal).
- Deri në Janar 2025, vetëm në 4% të çështjeve të hetuara për krime zgjedhore në zgjedhjet e kaluara vendore, gjykata ka vendosur fajësinë e të pandehurve.
- Treguesit e lartë përmendur, konkretisht “afate të tejzgjatura të hetimit/gjykimit”, “afro gjysma e çështjeve të krimit zgjedhor të mosfilluara apo të pushuara”, si dhe “rastet shumë të pakta për të cilat gjykata ka disponuar me vendim fajësie” nuk janë pozitivë në drejtim të hetimit dhe ndëshkimit efektiv të krimit zgjedhor në vendin tonë.
- Duke mbështetur angazhimin e kohëve të fundit të SPAK, Prokuroria e Përgjithshme dhe KQZ i nxisim ato dhe organet e tjera ligjzbatuese (policinë e shtetit, prokuroritë e juridiksionit të zakonshëm) të kryejnë verifikime dhe/ose hetime objektive, në kohë të arsyeshme dhe të gjithëanshme, ndaj çdo rasti të dyshuar të krimit zgjedhor, para dhe gjatë fushatës elektorale.
- Nisur nga të dhënat e viteve të kaluara për mungesën e denoncimeve nga qytetarët, të cilat vijnë si pasojë e frikës me përballjen ndaj pasojave dhe mosbesimit, përshëndesim nismën e SPAK për krijimin e portalit të denoncimeve që shpresojmë të jetë sa më shpejt në dispozicion të publikut dhe gjerësisht i promovuar dhe i aksesueshëm nga publiku.
- Vlerësojmë si zhvillim pozitiv rritjen e angazhimit të organit të prokurorisë, me ngritjen e Task Forcës nga SPAK, për monitorimet në terren të cilat do të ndihmojnë në rritjen e rasteve të filluara me iniciativën e tij ex – officio.
- Njëkohësisht, inkurajojmë të gjithë qytetarët që kanë një rol të pazëvendësueshëm në një shoqëri demokratike, si brenda dhe jashtë vendit, të denoncojnë çdo shkelje të evidentuar të procesit zgjedhor pranë KQZ-së, prokurorisë dhe të na drejtohen pranë organizatave tona nëse kanë nevojë për ndihmë ligjore falas.
- Së fundi, organizatat tona do të jenë aktive gjatë ditëve dhe javëve të ardhshme duke monitoruar procesin në aspektet më të rëndësishme të tij. Gjetjet tona janë e do jenë publike.
- Ne do kemi deklarata, qëndrime, gjetje dhe rekomandime të vazhdueshme para fushatës, gjatë fushatës dhe pas saj, në përputhje me standardet që kërkon legjislacioni zgjedhor.
- Ne ftojmë median të jetë sa më aktiv në partneritetin tonë në interes të qytetarëve, si dhe apelojmë partitë politike dhe kandidatët të respektojnë parimet dhe standardet e monitorimit të tyre, si element thelbësor në një proces zgjedhore dhe demokraci funksionale.