DISA MENDIME DHE SUGJERIME TË KOMITETIT SHQIPTAR TË HELSINKIT PËR PROJEKTIN “PËR STRATEGJINË E EDUKIMIT LIGJOR TË PUBLIKUT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”

Në përmbushje të misionit të tij, për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të shtetasve, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka patur dhe vazhdon të ketë në vëmendje aktivitetet sensibilizuese dhe ndërgjegjësuese të grupeve të ndryshme të shoqërisë, duke mundësuar njohjen e tyre me të drejtat dhe liritë e njeriut si dhe me ndryshime të rëndësishme në legjislacionin tonë sa i takon sanksionimit dhe mënyrës së ushtrimit të këtyre të drejtave. Gjithashtu, në fokus të veprimtarisë së KShH-së ka qenë ofrimi i shërbimeve ligjore falas për grupet e shoqërisë në nevojë, me qëllim njohjen dhe ushtrimin e të drejtave të tyre, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

KShH vlerëson se një plan strategjik i detajuar dhe i rëndësishëm do të ishte mirë ti nënshtrohej një diskutimi dhe debati gjithëpërfshirës, si dhe të bëhej objekt shkëmbim mendimesh edhe në media.

KShH, duke patur në konsideratë nevojat që paraqiten në drejtim të edukimit ligjor të publikut, përshëndet nismën duke shpresuar që miratimi dhe zbatimi i saj në praktikë do të shoqërohej me rezultate pozitive. E themi këtë pasi në këto 26 vite, e në mënyrë të veçantë dekadën e fundit, legjislacioni ynë ka shënuar përmirësime të vazhdueshme.

Megjithatë, përkundrejt miratimit të një sërë ligjesh sfiduese për realitetin e vendit tonë, duke përfshirë këtu edhe ligjin për të drejtën e informimit apo ligjin për njoftimin dhe konsultimin publik, vërehet se organet e administratës publike nuk po e vlerësojnë me seriozitetin dhe përgjegjësinë ligjore, askesin në informacion dhe organizimin e konsultimit publik në përputhje me procedurat dhe afatet ligjore të parashikuara.

Disa herë është thënë se shtetasit duhet të njihen me ҫështjet kryesore që përmban Kodi Zgjedhor. KQZ-ja në kompetencat e saj duhet të përgatisë një propozim të veҫantë për edukimin zgjedhor të shtetasve. Megjithatë në praktikë, për zbatimin e këtij programi kufizohet vetëm me disa spote televizive disa ditë para zgjedhjeve. Nuk ka patur dhe vazhdon të mos ketë një plan (apo propozim) konkret dhe të koordinuar për njohjen e shtetasve, palëve apo grupeve të interesuara me ligjet apo aktet nënligjore që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me veprimtarinë e tyre ekonomike, arsimore, kulturore etj. Projekt plani strategjik mendojmë se do ti shërbejë këtij qëllimi.

Projekti është titulluar “Për strategjinë e edukimit ligjor të publikut në Republikën e Shqipërisë”, dhe në kapitullin 2 janë renditur disa ligje. Nuk ka dyshim se ato janë të rëndësishme, por natyrisht ato nuk mund të jenë shteruese. Kjo kushtëzohet nga disa faktorë të natyrës subjektive dhe objektive. Prandaj del nevoja e përgjithësimit të praktikës të nivelit arsimor e kulturor, të diferencuar qytet fshat, të nevojave dhe kërkesave të individëve, etj.

Ka të dhëna që rregullojnë veprimtarinë e këtij apo atij sektori, nuk njiheshin as nga punonjësit e angazhuar me punë në këtë sektor, ose nuk njihen në thellësi dhe në detaje. Pra do të sugjeronim që edhe në këtë drejtim të kishte programe trajnimi. Nëse do të mundeshim ta ilustronim këtë me një shembull, rezulton se nga personeli i burgjeve kërkohet vëmendje e veҫantë për trajtimin e të burgosurve me synim rehabilitimin dhe asocimin e tyre. Po si mund të realizohet kjo kur ato rekrutohen pa kaluar në një trajnim pa u testuar, pa njohuri ligjore (të mjaftueshme) të Kodit Penal, dhe procedurave, dokumentave përkatëse ndërkombëtare etj. Në këtë drejtim, vlerësojmë se strategjia e edukimit ligjor të publikut, duhet të jetë një dokument që duhet të zhvillohet bashkarisht ose në mënyrë paralele, me strategjinë për forcimin dhe ngritjen e kapaciteteve të administratës publike, e cila është në kontakt të përditshëm me shtetasit dhe individët.

Veҫ kësaj edukimi ligjor i shtetasve duhet të jetë i diferencuar dhe gjuha e përdorur duhet të jetë e thjeshtë. Ata që do të ngarkoheshin me detyra duhet të jenë të kualifikuar. Nuk ka dyshim se informacioni i paktë, jo i plotë dhe në disa raste jo i saktë dhe transparent, ka ndikuar negativisht. Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim ka media misioni i të cilës është të marrë dhe të japë informacion në favor të publikut me synim nxitjen dhe gjallërimin e debatit publik. Ende nuk është plotësisht i qartë roli i medias në raport me gjyqësorin, roli i medias për zbatimin e parimit të privatësisë dhe të prezumimit të pafajësisë. Media mund të luaj një rol të rëndësishëm në njohjen e shtetasve me disa ligje kryesore që kanë interes të veҫantë etj.

Për efektshmërinë e planit strategjik mendojmë se kërkohet edhe metodologjia e studiuar lidhur me zbatimin e mjeteve dhe mënyra më të mira. Ajo mund të ndryshojë sipas kushteve konkrete nevojave dhe nivelit arsimor dhe kulturor të shtetasve. Në këtë vështrim mendojmë se paraprakisht nëpërmjet konsultave në grupe të ndryshme të tërhiqet mendimi i tyre se ҫfarë nevoje dhe interesi kanë ata për njohjen e këtij apo atij ligji. Në këtë drejtim, një nevojë imediate që shfaqet për njohjen e legjislacionit tonë, është shoqërimi i tyre me komentarët përkatës, ku të saktësohet se cili ka qenë qëllimi i legjislatorit për çdo nen të ligjit. Kjo do të ndihmonte jo vetëm në drejtim të njohjes më të mirë të ligjit nga qyetarët dhe individët por gjithashtu do shmangte çdo subjektivizëm nga organet e pushtetit publik në zbatimin e këtij legjislacioni.

Një nga shkaqet pse ligjet ndryshojnë shpejt është mungesa e diskutimit dhe e debatit gjithëpërfshirës, me specialistë dhe ekspertë të fushave të ndryshme, sipas qëllimit dhe objektit që ndjek ligji. Për këtë duhet të angazhohen dhe të japin kontributin e tyre specialistët.Shkaqet e tjera mendojmë se janë: mbivlerësimi i masave shtrënguese ndaj atyre edukativo-parandaluese, tendenca për përmirësimin e gjendjes (gjë që është pozitive) por pa studime të thelluara dhe të gjithëanshme, huazimi nga modelet e vendeve të tjera por pa i përshtatur në kontekstin dhe realitetin e shoqërisë tonë. Ndryshimet në legjislacion del nevoja të bëhen sipas kushteve që dikton praktika kërkesat dhe situatat.

Kur shtetasi nuk njeh ligjin por nuk ka as besim në organet e pushtetit publik, kjo shoqërohet me pasivitet të shoqërisë dhe mosreagim për rastet kur shkelen të drejtat dhe liritë e parashikuara në legjislacion. Përgjegjësinë për këtë e ka shteti (institucionet e ndryshme, organet ligj zbatuese). Në këtë drejtim ka ndikuar negativisht edhe mungesa e llogaridhënies, si dhe korrupsionin në disa sektorë, në rradhë të parë në sistemin e drejtësisë. Prandaj reforma në sistemin e drejtësisë do të ndikojë pozitivisht edhe në edukimin ligjor të shtetasve dhe rritjen e kontrollit mbi këto organe.

Përse vazhdon tek ne (madje është shqetësues) fenomeni i gjakmarrjes, ngujimi? Sa e aftë është shoqëria jonë për të reaguar ndaj këtij fenomeni dhe për t’u bërë promotore e luftës ndaj tij. Njohja e ligjeve rrit edhe përgjegjësinë e shtetasve, kërkesën e llogarisë ndaj përfaqësuesve të tyre, guximin, për të denoncuar shkeljet, për të kallëzuar veprimet kriminale, etj.

Para zgjedhjeve të organeve të qeverisjes vendore dhe miratimit të strukturës së re administrativo-territoriale u miratua ligji “Për organizimin dhe funksionimin e organeve të qeverisjes vendore”. A është bërë ndonjë monitorim apo sondazh sa njihet ligji nga punonjësit e bashkive dhe të njësive administrative. Ka disa të dhëna që tregojnë se njihet pak. Në këto kushte ҫfarë mund të thuhet për njohjen e këtij ligji nga shtetasit në qytet apo në zonat rurale dhe për më tepër në ato të thella. Pa një njohje të tillë vështirë të pretendohet se organet e qeverisjes vendore, janë në shërbim të popullit edhe ky i fundit duhet të ushtrojë kontroll në mirëfunksionimin e tyre.

Miratimi i planit strategjik për edukimin ligjor, siҫ përmendëm edhe më lart, është i nevojshëm. Por për mendimin tonë a duhet të jetë më konkret dhe brenda mundësive duke j’u shmangur konsideratave të natyrës së përgjithshme, që në ndonjë rast krijojnë përshtypjen e një leksioni ose të një udhëzuesi. Ndoshta kjo ka të bëjë edhe me faktin se ky është një problem mjaft i gjerë dhe kompleks. Ndoshta për hartimin, dhe miratimin e një plani të tillë do të duhet të bëhej një përgjithësim, për njohjen më konkrete të gjendjes në sektorë dhe shtresa të ndryshme të popullatës. Kjo mund të ndihmonte në konkluzione më të drejta, që do të ndihmonin në hartimin dhe miratimin e një strategjie më konkrete, mbështetur në nevojat dhe kërkesat.

Mendojmë se do të ishte e dobishme edhe një diskutim dhe debat gjithëpërfshirës për organizimin e rrjetit kombëtar Shqiptar për edukimin ligjor të publikut. Duke qenë se përvoja e vendit tonë në këtë drejtim është e pakët, kemi mendimin se duhet filluar me një organizim më të thjeshtë dhe më të reduktuar. Përvoja ka vërtetuar se zgjerimi ose hallkat e shumta nuk japin rezultatet e duhura. Funksionimi i strukturave të thjeshta do të tregojë sa efektive janë ato. Ndërsa realizimi në praktikë i detyrave do të vërtetojë nevojën për ndryshime.

Strategjia duhet të synojë drejt arritjes së rezultateve por në terma realist, pa parashikime të tepruara dhe pa mbingarkuar strukturat që do të ngrihen në këtë drejtim. Në këtë drejtim do të ndihmonte edhe përvoja e vendeve të tjera, por duke patur parasysh kushtet konkrete të vendit tonë, konsolidimin e institucioneve, nivelin e demokracisë, të kulturës, arsimit etj.

Në objektin nr.2 të Strategjisë bëhet fjalë për nevojën e ndryshimeve ligjore. Nuk ka dyshim se ky problem është i një rëndësie të veҫantë, por kemi mendimin që kjo pjesë të mos përfshihet në Projekt-Strategjinë e edukimit ligjor të publikut. Është e kuptueshme se edukimi ligjor i publikut ndihmon edhe në përmirësimet në legjislacion. Megjithatë ky është një problem më vete që kërkon një trajtim të veҫantë.

Goditja kryesore mendojmë se duhet të jetë plani për njohjen e publikut fillimisht me ligjet,

që janë më të rëndësishme edhe më të nevojshme për ta. Objetiv i rëndësishëm i këtij plani strategjik, sikurse e kemi theksuar edhe më sipër është shoqërimi i ligjeve në fuqi por edhe atyre që miratohen nga Kuvendi me komentar sqarues, ashtu sikurse bëhet në shumë vende të botës. Realizimi i kësaj projekt-strategjie kërkon gjithashtu burimet e nevojshme njerëzore dhe financiare, pavarësisht kontributit vullnetar që mund të japin aktorë të ndryshëm vendas dhe ndërkombëtarë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TOP Komiteti Shqiptar i Helsinkit