Drejtësia e të miturve duhet të respektojë interesin më të lartë të fëmijës


Sot më datë 5 dhjetor 2006, Komiteti Shqiptar i Helsinkit organizon tryezën me temë “Respektimi i të drejtave të të miturve në procesin penal”.

Qëllimi i tryezës është paraqitja e gjetjeve kryesore të dala nga monitorimi i kryer lidhur me respektimin e të drejtave të fëmijëve – autor të veprave penale në gjykatat shqiptare.


Në tryezë janë ftuar gjyqtarë të gjykatave të vëzhguara, prokurorë, avokatë, përfaqësues të Konferencës së Gjyqtarëve, të Ministrisë së Drejtësisë, të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, juristë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të klinikave që ofrojnë shërbime ligjore, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Shqipëri, ekspertë të përfshirë në studim, korrespondentë dhe aktivistë të KShH-së.

Studimi u shtri në 7 gjykata të rretheve gjyqësore Tiranë, Fier, Elbasan, Gjirokastër, Shkodër, Korçë dhe Vlorë dhe u krye gjatë periudhës shtator – nentor 2006. U studiuan vendimet gjyqësore të periudhës periudhës 2005 dhe një pjesë të vitit 2006 dhe u vëzhguan proceset gjyqësore me të mitur të zhvilluara gjatë periudhës tetor – nentor 2006.

Nga 218 vendime penale të dhëna nga gjykatat e shkallës së parë, me 292 të mitur të gjykuar, numri më i madh i tyre i përkasin gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë (164). Shumica e të miturve të gjykuar janë dënuar për kryerjen e veprave penale kundër pasurisë, sidomos për vjedhje të vogla. Megjithatë, ka patur të mitur të gjykuar për vjedhje me dhunë, vjedhja me armë, krime kundër jetës shkaktuar nga pakujdesia, përdorim i dokumentave të falsifikuara, vepra penale kundër drejtësisë, si moskallzim krimi, kallzim i rrëme, dëshmi e rreme etj.

41% e të miturve të gjykuar i përkasin moshës nën 16 vjeç, shumica e tyre janë meshkuj me vendbanim me qytet. Pjesa më e madhe tyre janë me arsim 9 vjeçar (136) ose me arsim fillor (65 të mitur). Kryesisht të miturit e gjykuar nuk janë të dënuar më parë (221 të mitur).

Mungesa e infrastrukturës së nevojshme, e bazës nënligjore për zbatimin e alternativave, mungesa e institucioneve për trajtimin e të miturve, mungesa e ambjenteve të nevojshme dhe të mjaftueshme për zhvillimin e seancave publike, në disa gjykata, sidomos në gjykatën më të madhe të vendit në atë të Tiranës, mungesa e asistencës psikologjike ndaj të miturve krijon vështirësi për zbatimin e standarteve ndërkombëtare dhe vetë kërkesat e legjislacionit shqiptar lidhur me drejtësinë për të mitur. Megjithatë, gjykatat shqiptare kanë bërë përpjekje pozitive për të respektuar të drejtat e fëmijëve në proces dhe KShH-ja mbështet fuqimisht reformat që janë në interes të fëmijës.

Megjithë përpjekjet e bëra për të përmirësuar respektimin e të drejtave të fëmijëve në procesin penal, ende drejtësia penale për të mitur përballet me një sërë problemesh:

Gykatat kanë zbatuar ndaj të miturve detyrim për paraqitje (80), por ende arresti në burg (96), dhe arresti në shtëpi (39 ) zbatohen gjërësisht.

Krahasuar me veprat penale të kryera nga të miturit dhe rrezikshmërinë e tyre, afatet e paraburgimit janë të gjata.

Në të gjitha vendimet e studiura, të miturit kanë patur avokatin e tyre të zgjedhur nga familjarë (195 raste) ose të caktuar kryesisht nga prokurori ose gjykata (76 raste). Por mbrojtja kryesisht lë për të dëshiruar.

Nga vendimet gjyqësore nuk del nesë të miturve u është dhënë asistencë psikosociale gjatë procesit penal.

Rreth 50% e gjykimeve kanë qënë gjykime të shkurtuara çka tregon për përpjekje positive të gjyqtarëve. Megjithatë, shumica e proceseve penale ndaj të miturve kanë përfunduar brenda një afati deri 5 muaj (122 raste) dhe 77 procese penale janë zhvilluar në një afat më pak se 1 muaj (77 procese).

Mungesa e sistemeve të tjera mbikqyrëse për të miturin detyron gjykatat të zbatojnë arrestin në burg dhe dënimin me burgim. Nga organi i prokurorisë është kërkuar kryesisht dënim me burgim (143), në pak raste dënim me gjobë (34) ose pezullim të dënimit me kusht të ekzekutimit të vendimit (79). Në shumicën e vendimeve të dhëna nga gjykatat, konstatohet se dënimet dhe masat e dhëna nga gjykata përkojnë me ato të kërkuara nga prokurorët. Llojet e dënimeve të dhënë ndaj të miturve kanë qënë kryesisht dënim me burg (138), gjobë (35), gjobë dhe burgim (9) si dhe zbatimi i pezullimit me kusht të ekzekutimit të vendimit (82).

Shumicës të të miturve iu është dhënë dënimi nga 6 – 10 muaj burg (49 të mitur), ndërsa rreth 8 të mitur iu është dhënë 1 – 2 muaj burg, por ka dhe nga ato gjykata të cilat kanë zbatuar dënime mjaft të rënda për të miturit si masa dënimit nga 3 – 5 vjet ose dhe masa denimi 6 – 10 vjet. Gjatë studimi këto masa dënimi të ashpra për të miturit janë dhënë nga gjykata e Fierit, Vlorës dhe Gjirokastrës.


Ndonëse ligji parashikon përjashtimin e të miturit nga dënimi ose uljen e dënimit nën minimum e caktuar nga gjykata, dispozita të tilla nuk kanë gjetur zbatim. Gjithashtu, masat alternative ndaj të miturve nuk kanë qënë shumë të përdorshme. Kjo gjëndje është rrjedhojë e mungesës të strukturave mbikqyrëse për zbatimin e masave alternative, sesa i mungesës së dëshirës ose mosnjohjes së kësaj mundësie nga gjyqtarët. Ndër gjykatat që kanë aplikuar më shumë dhënien e masave alternative janë gjykata e Tiranës, Shkodrës, Vlorës. Më pak të aplikuara kanë qënë masat alternative në gjykatat e rretheve gjyqësore Fier, Elbasan, Gjirokastër dhe Korçë.


Gjatë muajit tetor 2006 janë monitoruar edhe 18 seanca gjyqësore me të mitur në gjykatën e rrethit gjyqësor Tiranë. Gjatë këtij muaji nga kjo gjykatë janë dhënë vetëm 2 vendime gjyqësore; shumica e seancave janë shtyrë disa herë për shkak të mosparaqitjes së të pandehurve, të prokurorit, të dëshmitarëve, të mosparaqitja e avokatëve. Seancat nuk kanë solemnitet (vetëm 3 seanca janë zhvilluar në salla e caktuara). Etika e gjyqtarëve ka qënë e mirë si ndaj të miturve dhe palëve të tjera në process.

Jo gjithnjë bëhet kujdes që vendimet e formës së prerë të dhënë nga gjykata e rretheve gyqësore të vëzhguara të përmbajnë të gjitha të dhënat për të miturin (gjinia, arsimi, vendbanim gjënda gjyqësore, etj). Pothuajse në të gjitha vendimet nuk përcaktohen nëse gjykata kryhen verifikimet për personalitetin e të miturit.

Bazuar sa më lart, Komiteti Shqiptar i Helsinkit i sugjeron institucioneve përkatëse të marrat masat e nevojshme që drejtësia shqiptare për të mitur të vendosë në vemendje të saj “Interesin më të lart të fëmijës”, parim i cili udhëheq dhe legjislacionin shqiptar dhe atë të huaj.

Për këtë KShH-ja sygjeron marrjen e masave të mëposhtme:


Ministria e Drejtësisë t’i sygjerojë Presidentit të RSH-së ngritjen e seksioneve të të miturve në gjykatat e mëdha sidomos në atë të Tiranës, të përbërë nga gjyqtarë të specializuar në drejtësinë e të miturve.

I sygjerojmë kryetarëve të gjykatave të mos zbatojnë të drejtën që i jep ligji “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në RSh” për të lëvizur gjyqtarët nga një seksion në tjetrin, kur bëhet fjalë për gjyqtarët e të miturve.

Në caktimin e gjyqtarëve të të miturve, të tregohet kujdes për caktimin e gjyqtarëve femra, me qëlllim që të krijohen lehtësira në pyetjen e të miturve në çështje delikate.

Më shumë kujdes i duhet kushtuar hartimit të vendimeve gjyqësore duke synuar përmirësimin e arsyetimeve të tyre dhe argumentin e tyre sipas standartave ndërkombëtare dhe praktikës së Gjykatës Europiane. Në këtë drejtim, KShH-ja vlerëson trajnimin vazhdues të gjyqtarëve, prokurorëve, të oficerëve të policisë gjyqësore për çështjet për të miturit të organizuar nga Shkolla e Magjistraturës me asistentën e donatorëve të ndryshëm në Shqipëri dhe sygjeron që trajnime të tilla të vazhdojë duke vënë theksin në zbatimin më të mirë në praktikë të kërkesave të ligjit lidhur me drejtësinë e të miturve.

KShH-ja përshëndet nismën e marrë për ndryshimet në kodin penal dhe i kërkon Ministrisë së Drejtësisë të përshpejtojë këtë reformë të nisur prej disa vitesh.

Bazuar në kushtet në të cilat ndodhen vendet e paraburgimit dhe burgjet në Shqipëri dhe dëmet që mund të shkaktojë arrestimi dhe burgosja e të miturve, do të ishte e dobishme që gjykata të mbajë parasysh faktin se paraburgimi i të miturve të jetë një masë e jashtëzakonshme dhe nëse është i domosdoshëm, periudha e paraburgimit të jetë sa më e shkurtër.

Gjykatat duhet të bëjnë më shumë kujdes lidhur me zhvillimin e seancave gjyqësore. Shtytjet e seancave gjyqësore në përgjithësi dhe për të miturit në veçanti cënojnë rendë besimin e publikut te drejtësia por edhe shkelin rëndë të drejtat e shtetasve në proces.

KShH-ja vlerëson politikën penale të zbatuar nga shumë gjyqtarë lidhur me zbatimin e masave alternative për të miturit, por nga ana tjetër i sugjeron Qeverisë shqiptare të investojë në ngritjen e qëndrave sociale për trajtimin e fëmijëve dhe në hapjen sa më shpejt të shkollës së edukimit të të miturve.

Në kushtet kur mungojnë qëndrat e trajtimit të të miturve në konflikt me ligjin, KShH-ja i sygjeron Ministrisë së Drejtësisë që në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve dhe Çështjeve Sociale të identifikojë shërbimet sociale private që funksionojnë në Shqipëri dhe të gjejë modalitetet e bashkëpunimit me to për trajtimin e fëmijëve.

KShH-ja i kërkon Dhomës Kombëtare të Avokatisë, të organizojë trajnime të avokatëve që përfaqësojnë të miturit në proces dhe të gjeje mekanizma që mundësojnë ofrimin e shërbimeve ligjore falas nga avokatë të kualifikuar.

KShH-ja vlerëson shërbimet ligjore dhe sociale të ofruara nga organizata të shoqërisë civile dhe i sygjeron Qeverisë Shqiptare të mbështesë shërbimet e tyre jo vetëm moralisht, por edhe financiarisht.

Monitorimi i vendimeve gjyqësore dhe organizimi i kësaj tryeze u mundësuan falë mbështetjes së dhënë nga Fondacioni SOROS në Tiranë dhe CORDAID.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TOP Komiteti Shqiptar i Helsinkit