Edhe një minator tjetër humb jetën duke punuar në minierë


Nga njoftimet në media jemi njoftuar se, në mbasditen e datës 28 Qershor, ka ndodhur një ngjarje e rëndë më pasojë vdekjen e një minatori në një minierë të Martaneshit, në Bulqizë. Mediat njoftojnë se minatori Shaban Grica, 45 vjec, babai i tre fëmijëve humbi jetën nga shëmbja e një sasie të madhe minerali dhe gurësh, në galeritë e një subjektit minerar privat, që vepron në fushën e nxjerrjes së kromit. Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) i shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve dhe të afërmve të viktimës.

Organet e prokurorisë, njoftojnë se kanë filluar ndjekjen penale. Me këtë rast, i nxitim ato të kryejnë hetime të plota, objektive, të shpejta e të gjithanshme. Shpresojmë, gjithashtu, që asnjë person përgjegjës të mos përjashtohet nga vënia përpara përgjegjësisë dhe gjykimit, në përputhje me ligjin.

KShH e sheh me shqetësim situatën, sepse ngjarje të kësaj natyre kanë ndodhur në minierat e vendit tonë edhe më parë. KShH dhe mbarë opinioni shoqëror ka ngritur zërin dhe u kanë kërkuar autoriteteve përkatëse publike që të rritin kontrollin mbi kompanitë që zhvillojnë veprimtari minerare, të jenë më rigorozë në kërkimin e llogarisë për plotësimin e kushteve të punës dhe sigurisë teknike për punëtorët e minierave.

Të shqetësuar për ngjarjen, ju bëjmë thirrje organeve kompetente publike të sqarojnë, sa më parë, minatorët dhe opinionin e gjerë, i cilët janë tepër i interesuar të informohen rreth masave konkrete të marra për parandalimin, në të ardhmen, të ngjarjeve të kësaj natyre. Gjithashtu, këto organe duhet të ndihmojnë dhe nxitin drejtësinë të zbardhë ngjarjen dhe përgjegjësitë ligjore të subjekteve të përfshirë në këtë veprimtari, duke i shkuar hetimit dhe gjykimit deri në fund për këdo që rezulton përgjegjës, sipas ligjit. Së fundi, por jo më pak e rëndësishmja, sugjerojmë që ngjarje të kësaj natyre, me pasoja për jetën e shtetasve, duhet të jenë objekt shqyrtimi dhe analize edhe për strukturat qendrore të shtetit. “Jeta e personit mbrohet me ligj” shprehet neni 21 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe kjo nënkupton jo vetëm krijimin e bazës ligjore që parashikon këtë mbrojtje, por dhe marrjen e të gjitha masave të nevojshme, nga strukturat e shtetit, për të garantuar që mbrojtja të jetë realitet i përditshëm, si dhe për të parandaluar humbjen e jetës në mënyrë jo të natyrshme. Në kuadër të respektimit të lirive dhe të drejta të njeriut, mbrojtja e jetës së shtetasve mbetet detyrë parësore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TOP Komiteti Shqiptar i Helsinkit