Kontributi i organizatave të shoqërisë civile në një shtet demokratik është i rëndësishëm, sa i takon forcimit të transparencës, pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së organeve të sistemit të drejtësisë.
Zbatimi i reformës në drejtësi, pavarësisht vonesave dhe pengesave me të cilat është ndeshur gjatë këtyre viteve, ka sjellë impakt pozitiv në drejtim të filtrimit të gjyqësorit dhe prokurorisë në kuadër të vettingut, përmirësimit të cilësisë së qeverisjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve nga institucione të pavarura dhe llogaridhënëse si Këshillat, plotësimit të shumicës së vendeve vakante në GJ.Kushtetuese si dhe kanë filluar të ndihen rezultatet e para në luftën kundër korrupsionit nga SPAK. Ndërkohë që ende ka shumë punë për tu bërë, që rezultatet të jenë impaktuese për qytetarët që përballen çdo ditë me dyert e drejtësisë, për të marrë drejtësi cilësore, pa vonesa dhe të pandikuar nga interesa, ndërhyrje apo elementë korruptivë.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka monitoruar që në fillim, zbatimin e kësaj reforme. Në përputhje me misionin tonë, së fundmi jemi ndalur specifikisht në veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Gjejmë rastin të falenderojmë për bashkëpunimin konstruktiv dhe qasjen e hapur ndaj monitorimit, përkatësisht kryetarët e dy Këshillave, por gjithashtu dhe drejtues të tjerë të institucioneve të drejtësisë së re, me të cilët kemi patur takime dhe shkëmbime të frytshme përgjatë kësaj nisme.
Gjatë periudhës Dhjetor 2020 – 19 Prill 2021, rezulton se peshën më të madhe të veprimtarisë së Këshillave e zë miratimi i akteve administrative për t’ju përgjigjur përkohësisht vakancave apo mbingarkesës së sistemit. Kjo përbën një nga nevojat më imediate dhe urgjente të sistemit që krijon problematika sa i takon aksesit të qytetarëve në drejtësi.
Për KLGJ-në, aktet administrative zënë 88% të të gjithë veprimtarisë, ku vëllim të rëndësishëm kanë patur aktet për caktim gjyqtarësh për gjykimin e çështjeve të veçanta, në gjykata të ndryshme nga ku ushtrojnë funksionin në mënyrë të përhershme. I njejti fakt vlen dhe për vendimmarrjen e KLP-së ku aktet administrative përbëjnë 99% të veprimtarisë së tij.
Transferimet gjithashtu kanë rezultuar të shumta gjatë kësaj periudhe monitorimi nga të dy Këshillat, në bazë të nenit 42 pika 1 të Ligjit Nr. 96/ 2016. Në lidhje me skemën e delegimit të magjistratëve, si një mekanizëm fleksibël për administrimin efikas të drejtësisë dhe rritjes së efiçencës së gjykatave dhe prokurorive, kjo skemë nuk është krijuar ende nga KLP-ja, ndryshe nga KLGJ-ja që tashmë e ka miratuar në përputhje me nenin 45 të Ligjit Nr. 96/ 2016,. Në mungesë të skemës së delegimit, KLP ka përdorur mekanizmin e caktimit të përkohshëm sipas Nenit 59 të Ligjit Nr. 96/ 2016.
Gjatë Periudhës së Monitorimit, KLGJ-ja ka realizuar në total 6 ngritje në detyrë, nga të cilat 4 në Gjykatën e Lartë dhe 2 në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) Aktualisht Gjykata e Lartë ka 7 nga 19 gjyqtarë që duhet të ketë. Pavarësisht shpalljeve dhe ri-shpalljeve të publikuara nga KLGJ, gjatë 2020-ës dhe 4 mujorin e parë të 2021-isht, për ngritjen në detyrë pranë GJKKO-së në shkallë të parë dhe në Apel, me keqardhje konstatojmë mungesën e interesit të gjyqtareve që përmbushin kushtet ligjore për të qenë pjesë e këtyrë gjykatave.
KLP ka miratuar listën e 26 kandidatëve që plotësojnë kushtet për t’u ngritur në detyrë në pozicionin e drejtuesit të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm. Në shumicën e prokurorive, vetëm një kandidat ka shprehur interesin për të aplikuar, duke ulur konkurrueshmërinë, çka mund të ketë ndikuar tek cilësia e kandidatëve të emëruar. Kjo praktikë nuk është e harmonizuar me atë që KLGJ ka mbajtur për ngritjet në detyrë të gjyqtarëve. Shkarkimi i mëvonshëm nga detyra, me vendim përfundimtar të organeve të vettingut, të magjistratit/eve të ngritur në detyrë nga KLP, cenon imazhin e drejtësisë së re dhe rrjedhimisht edhe besimit të publikut, i cili është një proces që kërkon kohë të maturohet dhe themele të forta në pikëpamjen e rezultateve të arritura.
Duhet theksuar se Këshillat, në bazë të ligjeve të posaçme, kanë detyrimin për të miratuar një sërë aktesh normative, që nuk janë miratuar ende edhe pse afati ligjore prej 3 muajsh deri në 1 vit kanë kaluar dhe duhet të jenë prioritet, siç janë rregulloret e brendshme përkatëse për të dy Këshillat por edhe rregullat standarte për funksionimin e brendshëm të gjykatave nga ana e KLGJ-së në bazë të Neni 94 i Ligjit 115/ 2016, si edhe rregullorja për vlerësimin profesional dhe etik të prokurorëve, nga ana e KLP-së.
Pavarësisht vonesave të ndjeshme dhe vështirësive të ndeshura në procedurat për emërimin e ILD-së, me emërimin e Inspektorit (ILD), tashmë ka filluar të ndihet rëndësia që mbart pesha e një procedimi disiplinor të drejtë dhe të paanshëm për magjistratët, si pjesë e rëndësishme e përgjegjshmërisë e cila shkon përkrah pavarësisë së tyre. KLGJ-ja ka vendosur mbi dy çështje disiplinore (2 procedime me pasoje shkarkimin e dy gjyqtareve), ndërsa KLP-ja ka marrë vendim shkarkimi për një prokuror si rast i referuar nga ILD, fakt që shpreh aktivizmin dhe reagueshmërinë e Këshillave në raport me raste flagrante shkeljesh apo raste të referuara nga ILD.
Mbledhjet e Këshillave janë mbajtur kryesisht virtualisht për shkak të pandemisë globale Covid-19. Ajo që është konstatuar gjatë kësaj periudhe është se në mbledhjet e KLP-së ka më shumë debat të brendshëm në krahasim me KLGJ-në, ndërkohë që etika e çdo anëtari të Këshillave është një parim që duhet të udhëheqë punën e tij/saj. Nërhyrjet në disa raste pa mikrofon gjatë diskutimeve të KLP-së duhet të shmangen në praktikën e mbledhjeve të saj.
Dy vjet e gjysëm nga krijimi i Këshillave, pavarësisht rezultateve të arritura, ka shumë prioritete madhore dhe sfiduese që duhet të udhëheqin veprimtarinë e Këshillave dhe kërkojnë një koordinim më të mirë me institucionet e pavarura të drejtësisë, vizion më të qartë për problemet dhe zgjidhjet që kërkohen si dhe hapa më të shpejtë për përmbushjen e prioriteteve. Vlen të theksohet se ndërkohë që në fillimet e punës së tyre, këto institucione u përballën me mungesa në infrastrukturë dhe burime njerëzore, këto probleme tashmë janë superuar.
KSHH i rekomandon Këshillave të ndjekin të njëjtin standart për sa i takon ngritjeve në detyrë të magjistarëve, duke bashkërenduar në mënyrë të ngushtë veprimtarinë me organet e vettingut, me qëllim që ngritja në detyrë ti mundësohet kandidatëve që i nënshtrohen me përparësi dhe kalojnë me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar, me vendimmarrje përfundimtare. KShH i sugjeron Këshillave të realizojnë mbledhje të përbashkëta të paktën një herë në vit, detyrim ligjor sipas Nenit 170 të Ligjit Nr. 115/ 2016 që kontribuon për harmonizimin standarteve dhe praktikave të ndjekura, për aq sa veprimtaria e Këshillave ka pika të përbashkëta në pikëpamjen e kompetencave dhe funksioneve të tyre.
Kemi mendimin se veprimtaria e Këshillave duhet të ndihet më shumë në gjykatat dhe prokuroritë, ku vizitat periodike dhe të bashkërenduara të anëtarëve të Këshillave në këto institucione mund të shërbejnë si një mjet për të inkurajuar magjistratët në detyrë që të aplikojnë për vendet vakante në GJKKO. Të dyja shkallët e GJKKO-së duhet të plotësohen sa më shpejt me magjistratë që plotësojnë kriteret, pasi janë këto gjykata që do të vendosin për fatin e dosjeve të korrupsionit, krimit të organizuar dhe veprave penale që dyshohet se janë kryer nga zyrtarët e nivelit të lartë.
Ky botim është pjesë e nismës “Drejt efikasitetit dhe integriteitit më të lartë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë” që mbështetet financiarisht nga Programi i Granteve të Vogla i Komisionit për Demokraci i Ambasadës së SH.B.A.-së, në Tiranë.
Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura në këtë botim janë përgjegjësi e Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.