Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka studiuar dhe analizuar ecurinë e kallëzimeve të bëra nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për vitin 2014, në dy prokuroritë e rretheve gjyqësore më të mëdha në vend, Tiranë dhe Durrës. Kjo nismë u mbështet financiarisht nga Komisioni për Demokraci i Granteve të Vogla, në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kontrolli i Lartë i Shtetit është institucioni më i lartë shtetëror i auditimit të jashtëm në vendin tonë, i pavarur, i cili i ushtron kompetencat e tij, duke i’u nënshtruar Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.
Studimi ynë evidentoi se, KLSh, për vitin 2014 i ka dërguar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë 19 kallëzime, ndërsa Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës 6 kallëzime. Këto kallëzime përbëjnë 61% të numrit të kallëzimeve të dërguara total nga KLSH gjatë vitit 2014, në shkallë vendi. Në kallëzimet drejtuar dy prokurorive, KLSh denoncon se dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit arrin në vlera të konsiderueshme, përkatësisht
3,324,403,000 Lekë. Ky dëm përbën 65.6% të dëmit të evidentuar në të gjitha kallëzimet e
KLSH-së për vitin 2014, në shkallë vendi.
Gjatë vitit 2014, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka denoncuar 63 zyrtarë ose nëpunës publikë dhe
20 shtetas të cilët nuk ushtrojnë funksione apo detyra publike. Personat e denoncuar nga KLSH, janë në radhët e zyrtarëve ose ish zyrtarë publikë të kategorisë së mesme dhe të ulët drejtuese, si dhe nëpunës të tjerë ekzekutivë të tillë si specialistë dhe inspektorë. Zyrtarët e kallëzuar janë ose kanë qenë të punësuar në sektorët publikë të tillë si regjistrimi i pasurive të paluajtshme, legalizimet, konçensionet, prokurimet, shëndetit, energjia elektrike, shërbimet portuale – doganore, rrugore, etj.
Tërheq vëmendje fakti se, në këtë kategori subjektesh të denoncuar nga KLSH, nuk ka patur kallëzime ndaj zyrtarëve publikë apo funksionarëve të nivelit të lartë, ndërkohë që ata kanë kompetenca të rëndësishme drejtuese dhe mbikqyrëse, si dhe duhet të jenë të barabartë para ligjit. Në këtë drejtim, nuk mund të arrihet në përfundimin se mos denoncimi i këtyre funksionarëve të lartë ka qenë i qëllimshëm. Megjithatë, dëshirojmë të sjellim në vëmendje se, perceptimet e publikut për nivelin e korrupsionit në radhët e zyrtarëve dhe funksionarëve të këtij niveli, prej vitesh vazhdojnë të jenë të larta në vendin tonë.
Denoncimet e KLSH-së janë bërë kryesisht për veprat penale të shpërdorimit të detyrës, shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, mashtrim në sigurime, falsifikim dokumentash dhe vepra të tjera penale.
Kallëzimet e KLSH-së për vitin 2014, kanë rezultuar me një numër relativisht të ulët të vendimeve të prokurorisë për dërgimin për gjykim të të pandehurve të denoncuar,
ndëshkueshmërisë së zyrtarëve dhe nëpunësve publik, për dëmet financiare të shkaktuara nga veprimtaria e paligjshme e tyre. Konkretisht, nga çështjet e dërguara nga KLSH pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë rezulton se, është filluar çështja penale në 15 raste, nga të cilat, 12 çështje janë pushuar dhe vetëm 3 janë dërguar për gjykim. Për një çështje është vendosur mosfillim i procedimit. Për Prokurorinë e Durrësit rezulton që nga 6 kallëzime të dërguara nga KLSH, 3 çështje janë dërguar për gjykim dhe 3 janë pushuar. Numri kaq i madh i çështjeve të pushuara dhe atyre për të cilat është vendosur mosfillim procedimi, tërheq vëmendjen dhe vlerësojmë se duhet marrë në konsideratë seriozisht.
Në 96% të çështjeve të pushuara dhe të mosfilluara, prokuroria është shprehur në vendimin e saj për njoftimin e “të interesuarve”, pa përcaktuar shprehimisht KLSh-në si subjekt që gëzon të drejtën e ankimit, duke vështirësuar verifikimin e kallëzuesit dhe njoftimin e tij si dhe duke ndikuar në cënimin e mundshëm të së drejtës për ankim, sipas nenit 329 të Kodit të Procedurës Penale.
Gjatë vitit 2014, KLSh nuk ka kundërshtuar në asnjë rast, vendimet e prokurorisë për pushim çështje apo mosfillim procedimi, megjithëse këtë të drejtë ia jep Kodi i Procedurës Penale. KLSh është denoncues, është institucion i specializuar që vepron në emër dhe në interes të shtetit. Rrjedhimisht, KLSH nuk duhet të ishte pasiv para pushimeve apo mosfillimeve të shumicës së çështjeve të denoncuara pranë prokurorisë së Tiranës dhe Durrësit për ndjekje penale.
Nuk është detyra e Komitetit Shqiptar të Helsinkit të bëjë vlerësime lidhur me bazueshmërinë dhe ligjshmërinë e denoncimeve penale që KLSh-ja i ka dërguar prokurorive përkatëse, edhe për faktin se denoncimet mbështeten në materiale të shumta që kanë rezultuar gjatë auditimit dhe që kryesisht janë të natyrës financiare, të kontabilitetit, të shpenzimeve të fondeve, të lidhjes dhe zbatimit të kontratave, të organizimit të tenderave, etj. Megjithatë vërejmë se, mosushtrimi i së drejtës së ankimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ndaj vendimeve të prokurorisë për kallëzimet e bëra në vitin 2014, mund të ketë dëmtuar potencialisht interesat publikë dhe financiarë të shtetit që duhet të mbrohen nga institucionet e kontrollit dhe auditimit.
Ky fakt, për mendimin tonë, duhet të impononte KLSh-në të analizonte me objektivitet dhe në mënyrë kritike nëse vendimet e prokurorit ishin pjesërisht ose tërësisht të bazuara ose jo, nëse hetimi ishte i plotë, efektiv dhe i gjithëanshëm. Vlerësojmë gjithashtu se, KLSH duhet të reflektonte së brendshmi për të metat dhe dobësitë e auditimeve të kryera, duke evidentuar në të njëjtën kohë dhe përgjegjësitë e personave të veçantë të ngarkuar me detyra kontrolli dhe auditimi.
Pasojat e mosushtrimit të së drejtës së ankimit nga KLSH janë të dëmshme sepse në denoncimet e dërguara në prokurori bëhet fjalë për miliona e miliarda Lekë dëme që i janë shkaktuar shtetit, pa përmendur faktin se e drejta e ankimit përbën një garanci për ndëshkueshmërinë e veprave penale të që cenojnë përdorimin me efektivitet, efiçencë dhe ekonomicitet të fondeve publike, pronës publike dhe asaj shtetërore
KShH-së nuk i lejohet të arrijë në konkluzione të supozuara përse KLSh-ja ka mbajtur qëndrimin e mësipërm. Megjithëkëtë fakti është shqetësues dhe serioz, sepse nga njëra anë
publiku informohet për denoncimet e shumta që KLSh-ja i dërgon prokurorisë, nga ana tjetër nuk disponon informacion se ku dhe si përfundojnë këto denoncime.
Nuk mund të thuhet gjithashtu se dispozitat e Kodit të Procedurës Penale nuk kanë qenë të qarta në këtë drejtim. KLSh-ja në këtë rast është si gjithë denoncuesit apo kallëzuesit e tjerë, individë apo persona juridikë të dëmtuar nga veprime të kundërligjshme dhe që duhet të kenë akses të plotë në gjykatë, për t’ju drejtuar asaj dhe për t’u ankuar.
Për Komitetin Shqiptar të Helsinkit, qëndrimi i KLSh-së nuk është pasojë e mosdijenisë së ligjit ose të paqartësisë së tij sepse po të ishte kjo, KLSH duhet ta ngrinte këtë çështje ose të bëhej promotor për të nxitur institucionet përgjegjëse të ndërmerrnin nisma legjislative.
Është për t’u vlerësuar se, sipas Buletinit të KLSH-së, nr.1 të këtij viti, në Formularin 5.1 dhe 5.2 paraqiten evidenca të kallëzimeve penale të ankimuara nga KLSH në gjykatë dhe tek Prokurori i Përgjithshëm. Megjithatë, pyetja që ngrihet është, “Pse nuk u veprua kështu edhe në vitin 2014?!”
Për Komitetin Shqiptar të Helsinkit është shqetësues fakti se, në bazë të disa të dhënave që kemi kërkuar dhe disponojmë, rezulton i njëjti pasivitet sa i takon ushtrimit të së drejtës së ankimit ndaj vendimeve të prokurorisë për mosfillim procedimi ose pushim çështje, edhe nga institucione të tjera kontrolli si Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit apo organe të tjera kontrolli dhe auditimi që veprojnë pranë institucioneve të tjera publike dhe denoncojnë veprimtaritë e paligjshme.
KShH në përfundim i sugjeron Kuvendit të Shqipërisë që në kuadër të kontrollit parlamentar, në rezolutat e miratuara për Raportet Vjetore të Institucioneve të Pavarura kushtetuese ose të krijuara me ligj, të ndalet në mënyrë të veçantë edhe në ecurinë dhe impaktin e denoncimeve që i dërgohen prokurorisë nga këto institucione dhe ushtrimin e të drejtës për t’u ankuar në gjykatë si ent denoncues.
KShH vlerëson se misioni i shtypit është të marrë dhe të japë informacione se raste të tilla ose dhe të ngjashme me to nuk mund të mbyllen brenda zyrave, por me transparencë të bëhen jo vetëm publike por edhe të nxiten debate publike.