Mbi nevojën e respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe mbrojtjen nga arbitrariteti
Opinion nga Erida Skëndaj, 27 Mars 2020
Në realizimin e këtij opinioni marr shkas nga njoftimet e fundit që janë bërë në media, për zbatimin e masave administrative (gjoba apo heqje patentash) ndaj një sërë qytetarësh dhe drejtuesish automjetesh, të cilët nuk kanë respektuar masat e kufizimit të vendosura nga Qeveria për parandalimin e përhapjes së virusit COVID – 19.
Ky opinion nuk është shterues dhe nuk ka si qëllim të inkurajojë shtetasit të shkelin rregullat e karantinimit në këtë situatë të jashtëzakonshme për vendin. Përkundrazi, ekipi ekzekutiv i Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KShH), në mbrojtje të së drejtës së jetës është karantinuar në shtëpitë e banimit dhe ka zgjedhur të punojë online nga shtëpia.
Nga ana tjetër, edhe në këto kushte të jashtëzakonshme dhe tepër të vështira për vendin, misioni i KShH-së mbetet i njëjtë, respektimi i të drejtave dhe lirive të shtetasve si dhe shtetit të së drejtës. Ky artikull synon të analizojë disa aspekte të akteve normative të miratuara për t’ju përgjigjur sitatuës së pandemisë nga Këshilli i Ministrave, analizë e bërë në raport me legjislacionin në fuqi, Kushtetutën dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe të ndërgjegjësojë autoritetet lidhur me nevojën respektimit të parimit të proporcionalitetit në dhënien e masave administrative ndaj të dyshuarve si kundravajtës, duke patur parasysh kushtet sociale – ekonomike të vendit tonë. Kufizimet e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, sikurse dihet nuk duhet të cenojnë thelbin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut si dhe nuk duhet të tejkalojnë kufizimet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (neni 17/2 i Kushtetutës).
Para 18 ditësh, në vendin tonë u diagnostikua zyrtarisht rasti i parë i një shtetasi shqiptar me virusin COVID – 19. Numri i të infektuarve, të konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet shtetërore është rritur progresivisht duke kapur shifrën 186, deri në dt.27 Mars 2020. Për fat të keq, 8 prej pacientëve të infektuar kanë humbur jetën, duke mos mundur të fitojnë betejën e jetës me këtë virus.
Në përgjigje të kësaj situate urgjence dhe të pazakontë për mbarë njerëzimin, përfshi këtu dhe shtetasit shqiptarë, Këshilli i Ministrave rezulton se ka miratuar, ditë pas dite, disa akte normative që sanksionojnë kundravajtjet administrative për mosrespektimin e kushteve të karantinës si dhe sjellje të tjera të kundraligjshme dhe të dëmshme për shoqërinë në kushtet e kësaj pandemie, të cilat diktohen nga interesi publik.
Nga një analizë paraprake e këtyre akteve normative me fuqinë e ligjit, ajo çka vërehet është se:
Së pari, aktet normative parashikojnë vendosjen e dënimeve me gjobë fikse, pra pa vendosur një minimum. Dënimet fikse parashikohen si mundësi edhe në ligjin në fuqi Nr. 10 279, datë 20.5.2010 “Për kundërvajtjet administrative”. Mgjth, duke patur parasysh kushtet sociale-ekonomike të vendit tonë, personalisht nuk do të isha në favor të aplikimit të dënimeve fikse, sepse ato mund të prekin qytetarë që jetojnë në kushte të vështira ekonomike dhe janë në pamundësi për ti përmbushur këto detyrime. Akti normativ në asnjë dispozitë të tij nuk parashikon rrethana lehtësuese që mund të “justifikojë” sjelljen e kundraligjshme të qytetarëve të cilët mund ta kenë kryer kundravajtjen për shkaqe që lidhen me përmbushjen e nevojave të tyre bazike apo shkaqe shëndetësore, si psh mund të ketë qytetarë që mund të vuajnë nga sëmundje të shëndetit mendor apo fizik dhe shkelin karantinimin për shkak të efekteve të sëmundjes apo domosdoshmërisë për ta mbajtur atë nën kontroll.
Së dyti, të drejtën e dhënies së masave administrative, e ka organi kompetent sipas fushës së përgjegjësisë dhe, në çdo rast, nga Policia e Shtetit. Akti normativ nr.3 parashikon se nuk mund të jepet e njëjta masë njëkohësisht nga dy ose më shumë organe kompetente. Në këto raste zbatohet masa e dhënë nga organi që ka konstatuar i pari shkeljen. Me mënyrën se si është formuluar dispozita por edhe nga raportimet mediatike të masave administrative, rezulton se policia e shtetit merr një prevalencë në raport me autoritetet e tjera në dhënien e këtyre masave, pavarësisht nëse e ka ose jo specialitetin për të aplikuar sanksionet për një gamë të gjerë shkeljesh që prekin individë, biznese, ente publike, media, etj.
Në raport me detyrimin për të respektuar të drejtat dhe liritë e shtetasve, sa herë që një autoritet, e në mënyrë të veçantë organet e policisë, sanksionojnë një kundravajtje, merr rëndësi parësore mbrojtja e qytetarëve nga abuziviteti. Organet e policisë, sikurse dihet nuk përmbushin garancitë e kërkuara mbi paanshmërinë dhe pavarësinë të kërkuara nga neni 6/1 i Konventës Evropiane, dhe në këto kushte jurisprudenca e GjEDNJ ka vendosur standartin që gjykata ku ankohen vendimet e këtyre organeve duhet të përmbushë këto garanci dhe të ketë juridiksion të plotë për të shqyrtar faktet e përcaktuara nga autoriteti administrativ, të pranojë provat të reja në gjykim dhe të mos kufizohet vetëm në vlerësimin e ligjshmërisë së vendimit të autoritetit administrativ (Çështja Belilos k. Zvicrës).
Së treti, gjobat administrative të dhëna sipas akteve normative në kushtet e pandemisë përbëjnë titull ekzekutiv, çka do të thotë se personit ndaj të cilit jepen i lind detyrimi ti ekzekutojë (paguajë) menjëherë. Këto gjoba derdhen në masën 100% në buxhetin e shtetit. Ekzekutimi i kundërvajtjeve administrative menjëherë sapo ato jepen nga organi përkatës parashikohet edhe në ligjin në fuqi Nr. 10 279, datë 20.5.2010 “Për kundërvajtjet administrative”. Mgjth, ajo çka vërehet si mangësi në aktin normativ është se në përmbajtjen e tij nuk parashikohet shprehimisht e drejta për të ankuar këto masa, tek një organ epror i autoritetit që i ka dhënë apo drejtpërsëdrejti në gjykatë. Akti administrativ nr.3 parashikon vetëm se shqyrtimi dhe dhënia e masave administrative bëhen në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative. Në të drejtën administrative është e njohur se nëse ligji i posaçëm nuk parashikon organin epror ku mund të atakohen masat administrative, atëherë personi që preket nga këto masa mund ti drejtohet drejtpërsëdrejti gjykatës (neni 129, gërma “a” e Kodit të Procedurës Administrative).
Thelbësore për mbrojtjen efektive të të drejtave të njeriut dhe respektimin e shtetit të së drejtës është që individit ti garantohet efektivisht e drejta për tu ankuar kundër gjobave apo masave administrative, dhe të ketë mundësinë të kërkojë zhdëmtim ligjor përmes zbatimit të drejtë të rregullave procedurale administrative sa herë që të drejtat, liritë ose interesat e tij/saj janë cenuar apo prekur. Qëllimi i sistemit të drejtësisë administrative është të ndihmojë njerëzit të zgjidhin mosmarrëveshjet me autoritetet publike, të garantojnë që këto organe vendimmarrëse të mbajnë përgjegjësi përmes gjykimit nga një gjykatë kompetente, e pavarur dhe e paanshme dhe të rrisin besimin e publikut në sistemin e drejtësisë administrative. Kjo është afirmuar edhe në jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut, e cila ka përsëritur se në bazë të nenit 6/1 të Konventës është e nevojshme që vendimet e autoriteteve administrative të cilat nuk plotësojnë garancitë procedurale të këtij neni (paanshmëri/pavarësi), t’i nënshtrohen kontrollit pasues nga “një organ gjyqësor që ka juridiksion të plotë” (Ortenberg kundër Austrisë, § 31, Geffre kundër Francës, Ramos Nunes de Carvalho dhe Sá kundër Portugalisë [Dhoma e Madhe], § 132).
Problemi që shtrohet në kushtet e kufizimit të lirisë së individëve dhe në kushtet kur veprimtaria e organeve gjyqësore, përfshi këtu gjykatat administrative është pezulluar në shumicën më të madhe, a do jenë në gjendje këta shtetas të ushtrojnë efektivisht të drejtën e ankimit dhe të mbrohen nga arbitrariteti? Sikurse dihet, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur të vijojë pezullimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në të gjitha gjykatat në Republikën e Shqipërisë deri në dt.7 Prill, me përjashtim të çështjeve me natyrë të ngutshme, të vlerësuara si të tilla rast pas rasti nga gjyqtari, si p.sh. seancat gjyqësore që kanë lidhje me masat e sigurimit, afatet e paraburgimit, etj[1]. Sipas njoftimeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, pezullimi i kësaj veprimtarie nuk do të ndikojë në djegien e afateve të ankimit, pasi në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Këshillit të Ministrave është hartuar një akt i veçantë normativ që rregullon veprimtarinë e gjykatave në kushtet e pandemisë (akt që nuk është publikuar gjatë kohës që ky opinion është hartuar)[2].
Për t’ju përgjigjur pyetjes së shtruar në krye të paragrafit të mësipërm, qytetarët e gjobitur apo të sanksionuar administrativisht për shkaqe të lidhura me situatën e pandemisë, janë në kushtet ku mund të cenohen nga e drejta për të patur një mjet juridik ankimi efektiv, të garantuar në nenin 13 të Konventës Evropiane. Situata e krijuar e bën të paparshikueshëm kohëzgjatjen e gjendjes së pandemisë. E drejta për tu dëgjuar në kuadër të një procesi gjyqësor të zhvilluar brenda një afati të arsyeshëm është një nga garancitë procedurale të parashikuara shprehimisht në nenin 6/1, ndërkohë që veprimtaria e gjykatave rezulton të jetë e pezulluar dhe numri i masave administrative është relativisht i lartë (sipas raportimeve në media).
Së katërti, në përmbajtje të aktit normativ nr.3 parashikohet se zbatimi i tij ka përparësi ndaj dispozitave të akteve të tjera lidhur me masat administrative. Lidhur me këtë formulim dëshiroj të shpreh rezerva pasi edhe në këto kushte lind nevoja e respektimit të parimit të hierarkisë së akteve normative, si një detyrim i sanksionuar në nenin 116 të Kushtetutës që rrjedh nga parimi i shtetit të së drejtës dhe i koherencës në sistemin ligjor[3]. Sikurse dihet, akti normativ nuk mund të ndryshojë apo të miratojë legjislacion që kërkon shumicë të cilësuar, i cili ka epërsi ndaj legjislacionit të miratuar me shumicë të thjeshtë. Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar në jurisprudencën e saj se nga rregulli i përgjithshëm i vendimmarrjes me shumicë të thjeshtë nga Kuvendi bëjnë përjashtim tërësia e ligjeve, në lidhje me të cilat normat kushtetuese, shprehimisht, parashikojnë një shumicë të cilësuar për miratimin e tyre[4].
Aktet normative që sanksionojnë kundravajtjet administrative në kushtet e pandemisë
Këshilli i Ministrave rezulton se ka miratuar në dt.11 Mars 2020 aktin e parë normativ nr.2 “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive” (kliko këtu AKTI NORMATIV NR. 2, DATË 11.03.2020 ). Në këtë akt janë parashikuar disa kundravajtje administrative, të cilat sanksionohen me gjobë që varion deri në shumën maksimale 700,000 Lek (të reja). Këto kundravjajte prekin më së shumti entet shtetërore apo private (të kontraktuara për ofrimin e shërbimeve) nëse nuk marrin masat e përgjithshme apo të veçanta për mbrojtjen e popullatës nga infeksionet dhe sëmundjet infektive (në rastin konkret nga Covid 19). Por në këtë akt, parashikohen sanksione edhe për personat (individët), psh dënimi me gjobë 100 000 (njëqind mijë) lekë kur refuzohet vendosja në mbikëqyrje shëndetësore.
Në dt.15 Mars 2020, Këshilli i Ministrave miraoti aktin tjetër normativ nr.3 me fuqinë e ligjit, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga covid-19” (Kliko këtu për të aksesuar përmbajtjen e aktit AKTI NORMATIV ME FUQINË E LIGJIT NR. 3, DATË 15.3.2020). Ky akt parashikon kundravajtjet dhe masat administrative që do të merren ndaj personave fizikë/juridikë apo individë, shqiptarë ose të huaj, të cilët shkelin rregullat, vendimet, urdhrat dhe udhëzimet e nxjerra nga organet kompetente, gjatë gjithë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19. Gjoba më e lartë e parashikuar në këtë akt ndaj individëve kur organizohen aktiviteteve publike dhe jopublike, përfshi këtu tubimet, e cila dënohet me gjobë në masën 5 000 000 (pesë milionë) Lek të reja. Hyrja e shoqëruesve dhe/ose e familjarëve të pacientëve në ambientet e shërbimit spitalor (përfshi urgjencën), me përjashtim të rasteve kur një kërkesë e tillë vjen nga drejtoria spitalore, dënohen me gjobë në masën 500 000 (pesëqind mijë). Dënohet me gjobë në masën 700 000 (shtatëqind mijë) lekë shtetasi, i cili hyn në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe nuk deklaron ardhjen e tij nga zonat e prekura nga infeksioni COVID-19, kur ky shtetas nuk vetëkarantinohet për një periudhë 14-ditore në ambientet e banesës së tij, etj. Masa administrative me gjobë apo mbyllje aktiviteti parashikohen për institucionet arsimore, çerdhet dhe kopshtet, subjektet që zhvillojnë aktivitete në ambientet e mbyllura të argëtimit për fëmijë e të rinj, palestrat, qendrat 3 sportive, pishinat, qendrat e internetit, subjektet që administrojnë lokale, restorante, bare, subjektet që rrisin çmimet e mallrave apo produkteve përfshi ato të konsumit dhe farmaceutike, subjektet mediatike kur në të njëjtën studio televizive marrin pjesë më shumë se dy persona, etj. Drejtuesit e automjeteve të paautorizuar, të cilët nuk zbatojnë ndalimin e qarkullimit të mjeteve të transportit, në zonat dhe oraret e përcaktuara nga organet kompetente, dënohen me heqje të lejes së drejtimit për një periudhë trevjeçare dhe me bllokim të mjetit.
Në dt.16 Mars 2020, Këshilli i Ministrave miratoi aktin normativ nr.4 i cili bën disa shtesa në aktin normativ nr.3, lidhur me masat e veçanta administrative (Klikoni këtu për të aksesuar përmbajtjen e aktit AKTI NORMATIV ME FUQINË E LIGJIT NR. 4, DATË 16.3.2020). Në këtë akt, parashikohet si kundravajtje dhe dënohet me gjobë në masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë dhe me bllokim 3 muaj të automjetit privat, nëse e disponon një të tillë, individët, të cilët nuk zbatojnë masat për ndalimin e lëvizjes për këmbësorët sipas orareve të përcaktuara. Individët, të cilët nuk zbatojnë masat për kufizimin e lëvizjeve në parqe dhe zona të gjelbërta të hapura, dënohen me gjobë në masën 20 000 (njëzet mijë) lekë dhe me bllokim 3 muaj të automjetit privart, nëse e disponon një të tillë. Sikurse vërehet, akti normativ, përveç dënimit me gjobë parashikon dhe bllokimin e automjetit për tre muaj, pavarësisht nga fakti se ky automjet nuk ka shërbyer për kryerjen e kundravajtjes pasi ajo konsiston tek këmbësorët. Në këtë drejtim, bllokimi i automjetit mund të ishte shmangur si masë administrative, pasi është joproporcional dhe nuk lidhet me natyrën e kundravajtjes.
Në dt.24 Mars 2020, Këshilli i Ministrave miratoi aktin normativ nr.8 me fuqinë e ligjit, i cili propozon disa shtesa dhe ndryshim në aktin normativ nr.3 të cituar më sipër (Kliko këtu për të aksesuar përmbajtjen e aktit AKTI NORMATIV ME FUQINË E LIGJIT NR.8, DATË 24.3.2020). Me ndryshimin e bërë forcohet masa e propozuar ndaj individëve që nuk zbatojnë urdhrin e për kufizimin e lëvizjes vetëm në fasha orare të caktuara dhe të pashoqëruar me persona të tjerë në krah, të cilët dënohen me gjobë 10 000 (dhjetë mijë) lekë, si dhe me mospërfitimin nga paketa financiare e solidaritetit dhe bllokim 3 (tre) muaj të automjetit privat, nëse e disponon një të tillë.
[1] http://klgj.al/njoftim-per-shtyp-24-mars-2020-per-pezullim-veprimtarie/
[2] http://klgj.al/njoftim-per-shtyp-26-mars-2020-per-pezullim-veprimtarie/
[3] Shih vendimin nr.2, datë 3.2.2010, të Gjykatës Kushtetuese
[4] Shih vendimin nr.5, dt. 05.02.2014 të Gjykatës Kushtetuese, paragrafi nr.63