Vijon kalvari i gjykimeve për shtetasin qe ndodhet në kushtet e trajtimit ç’njerëzor në IEVP Zahari.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit po vijon përfaqësimin e shtetasit F. Z., i cili po kryen dënimin me burgim në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Krujë. Paralelisht me ndjekjen e çështjes në Gjykatën Evropiane, në muajin Korrik 2017, Komiteti Shqiptar të Helsinkit (KShH) i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë me Kërkesë për lirimin nga burgu për shkak të mbajtjes së këtij shtetasi në kushte çnjerëzore dhe degraduese.
Në seancën gjyqësore të dt. 14.09.2017, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë pushoi gjykimin e kësaj Kërkese me arsyetimin se, Neni 478, i Kodit të Procedurës Penale është shfuqizuar me ndryshimet e fundit në Kodin e Procedurës Penale. Për këtë seancë gjyqësore nuk ishin njoftuar sipas ligjit avokatët e Klinikës Ligjore të Komitetit të Helsinkit, si përfaqësues ligjorë të Kërkuesit.
Ndaj këtij vendimi, KShH u ankua në Gjykatën e Apelit Tiranë për shkelje të procesit të rregullt ligjor nga ana e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë. Gjithashtu, KShH vlerëson që kjo gjykatë duhet të shqyrtojë themelin e kësaj Kërkese pasi mund të zbatojë drejtëpërdrejtë Kushtetutën dhe KEDNj për mbrojtjen e shtetasit të dënuar me burgim nga trajtimi çnjerëzor dhe degradues.
Në prani të familjarëve të Kërkuesit, ditën e sotme dt. 22.12.2017, Gjykata e Apelit Tiranë gjeti të bazuar Ankimin e KShH, vendoi prishjen e Vendimit dt. 14.09.2017, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë dhe rigjykimin e çështjes nga kjo gjykatë. KShH do të vijojë ndjekjen ligjore të kësaj çështje edhe në kushtet kur legjislacioni i brendshëm penal nuk ka parashikuar mjet ligjor për mbrojtjen e të drejtave themelore të shtetasve.
Ndjekja e këtij në rrugë gjyqësore rasti po ndiqet në kuadër të litigimit të përbashkët strategjik me avokatët e Klinikës së Ligjit Fondacioni “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”.