Intervista ekskluzive / Flet Milen Lako, kandidatja nga Zvicra
Pyetje nga “Vettingu në Lupë” : Një përshkrim i shkurtër i karrierës tuaj ?
Përgjigje nga Milen Lako: Jam aktualisht ndihmës gjykatëse në Gjykatën e shkallës së 1rë të kanton të Vodit (Vaud) për çështjet penale, civile dhe të punës (nëntor 2003 – qershor 2008) ;
Më parë kam mbajtur pozicionet:
- Ndihmës prokurore në Prokurorinë e krimeve ekonomike (janar 2010 – dhjetor 2015)
- Ndihmës prokurore ne Prokurorinë e Distriktit (dhjetor 2015 – në vijim )
Pyetje: Si e morët vesh mundësinë për të aplikuar për organet e Vettingut?
Përgjigje: – Nga të afërmit e mi.
Pyetje nga “Vettingu në Lupë”: Sa e vështirë ishte procedura për një person të interesuar?
Përgjigje nga Milen Lako: Shumë e vështire, për shumë arsye : koha që kishim në dispozicion për të përgatitur dosjen e aplikimit ishte fillimisht shumë e pakët (duke marrë parasysh faktin që në momentin kur fillova të përgatisja dosjen nuk e dija që më vonë do më kërkonin të plotësoja dokumentet që mungonin).
Jam në Zvicër që prej 25 vjetësh dhe dashje pa dashje arsyetoj sipas mënyrës zvicerane.
Kandidatit i lihet 1 muaj kohë për të përgatitur dosjen e tij, dhe më tepër kur bëhet fjalë për një vend pune kaq të rëndësishëm dhe për kandidatë që punojnë jashtë, sepse çdo dokument duhej përkthyer dhe noterizuar. Për më tepër që disa veprime bëhen në Berne dhe jo në kantonin ku jetoj.
Mendohet që njerëzit punojnë me kohë të plotë, nga ora 08h00 – 17h00… dosja u përgatit gjatë fundjavës.
Informacioni për pagën mungonte. Në parim rroga thuhet në momentin kur vihet lajmërimi, të paktën në Zvicër kështu funksionon. Në qoftë se një kandidati nuk i pëlqen paga e propozuar, nuk humbet as kohë për të përgatitur dosjen, as para për noterizimin dhe përkthimin e çdo faqe dokumenti. Personalisht, kandidatura për aplikim më ka kushtuar CHF 1’000.-, gati 1‘000 euro. Nuk do kisha aplikuar në qoftë se do e dija pagën.
Nga pikëpamja racionale e të trajtuarit të çështjes edhe për vetë autoritetet që shqyrtuan dosjen time ishte një humbje kohe dhe parash. Po të mendoni që kandidatura ime do ishte pranuar dhe unë do merrja vesh në fund të procesit që paga është ajo që është, un do refuzoja të vija. Ata që u morën me dosjen time humbën kohën kot dhe shteti i pagoi kot… Siç duket në Shqipëri administrata e paska kohën dhe buxhetin të hapur……!
Pyetje nga “Vettingu në Lupë”: A haset në burokraci?
Përgjigje nga Milen Lako: Jo, kriteret ishin fiksuar në ligj, dhe nga avokati i popullit mu kërkua të plotësoja vetëm ato dokumente që edhe unë e dija që nuk kisha mundur të dërgoja brenda 9 shkurtit sepse s’pata kohë.
Pyetje: Ju nuk u përzgjodhët si kandidatë për organet e Vettingut, çfarë ju penalizoi? A kishte kritere të paracaktuar që nuk favorizuan kandidat nga jashtë?
Përgjigje nga Milen Lako: Është pyetja që më ka bërë të mendoja shumë gjatë. Kriteret për seleksionim e kandidatëve nga ky ligj nuk i gjen as në një lajmërim për prokuror federal në Zvicër. Së pari, 15 vjet pune ishte e ekzagjeruar.. aq më tepër kur mendon që problemi i korrupsionit dhe i kapjes së gjykatësve dhe prokurorëve nga krimi nuk është një problem thjesht teknik, d.m.th mungesa e juristëve të aftë (qe edhe mund të jetë duke menduar gjithë ata gjykatës që dolën nga shkolla e plepave). Unë mendoj që problemi është moral (ndërgjegjja profesionale e tyre, integriteti moral) që ose e ke ose nuk e ke dhe që është krijuar nga një degjenerim politik i klasës politike për interesat e tyre (kush e hapi atë shkollën e plepave dhe kush bën presion mbi gjithë galaksinë e gjykatësve dhe prokurorëve sa herë një çështje prek politikanët ose mungesa e masave ndëshkimore sa herë ka vendime gjyqësore skandaloze që bien erë korrupsion) ? Në këto kushte, kriteret e seleksionimit nuk duhet të ishin formale, por duheshin parë më gjerë. Sinqerisht, unë dhe shumë shokë të mi mendonim që ne kandidatët nga jashtë do kishim përparësi për faktin që nuk kishim punuar asnjë ditë në Shqipëri, nuk kishim pasur mundësi as të korruptoheshim as të na bënin shantazh në një moment të caktuar. Për faktin që licencat i kemi marrë jo me lekë po me djersë aq më tepër në kushte të vështira, shumica e atyre që njoh unë këtu kemi punuar gjatë shkollës se nuk kemi pasur bursë. Kemi një tjetër mentalitet pune dhe respekti ndaj ligjit.
Te kesh jetuar 25 vjet larg Shqipërisë duhet të ishte kriter më vete për të siguruar njëfarë integriteti profesional dhe moral. Të kesh mbaruar studimet në fakultete me përvojë qindravjeçare të Europës (Universiteti i Lozanës është krijuar në 1537) është, mendoj unë, njëfarë garancie e një niveli profesional të padiskutueshëm, dhe më vjen keq të them, por dhe të pakrahasueshëm me Universitet e Shqipërisë.
Të kërkosh nga kandidatë që jetojnë jashtë shtetit, që e kanë filluar jetën nga 0 në moshën 20 ose 25 vjeç, që të plotësojnë të njëjtat kritere si ata që janë në vend dhe që dihet si i kanë mbaruar shkollat dhe sa lehtë i kanë gjetur vendet e punës, është jo vetëm qesharake por, më keq akoma, e qëllimshme për të mos bërë Vetting. Për të njëjtat arsye, kriteri që këto 15 vite pune ti kishe të pandërprera, ishte shumë e habitshme. Sepse fakti që ke bërë një ndërprerje prej disa muajve nuk do të thotë që tërë atë eksperiencë që ke marrë gjatë, le te themi 5 vjetëve, e ke harruar se ke bërë një ndërprerje prej 1 ose 2 vjetësh. Në Zvicër, ndodh shpesh herë që mund të besh një ndërprerje për të marrë një ose dy vjet sabatik (pushimi) për të vajtur në Gjermani për të perfeksionuar gjermanishten ose në Angli për anglishten ose për të bërë një specializim. Dhe vitet quhen. Jam shumë kurioze të di a ishte kjo një gjetje e hollë e shqiptarëve pikërisht për te mënjanuar kandidatët që vinin nga jashtë se dihet që shqiptarët brenda vendit nuk mund të bëjnë këto ndërprerje apo është me të vërtetë praktikë pune. Nëse është kjo e fundit është sa absurd aq dhe kundra-produktiv, në kuptimin që jo vetëm që nuk i japim vetes mundësinë për të zgjidhur problemin por, akoma më keq bëjmë autogol. Administrata i privon vetes njerëz që mund të kenë një potencial profesional shumë më të lartë se sa dikush që ka rreshtuar vitet pa bërë asgjë tjetër, tip specializim apo që ka dalë jashtë.
Pyetje nga “Vettingu në Lupë”: Nëse po a mendoni se ishin të domosdoshme për procesin?
Përgjigje nga Milen Lako: Për ato arsye që përmenda më lart, unë mendoj që problemi që është shtruar për zgjidhje në Shqipëri, korrupsioni endemik i klasës së gjykatësve dhe i prokurorëve po dhe ai i klasës politike, nuk zgjidhet me kandidatë që thjesht teknikisht plotësojnë kriteret formale. Këto kërkesa, për mendimin tim, janë thjesht një mënyrë për të seleksionuar ata që deshën.
Jam shumë kurioze të di sa kandidatë që jetojnë jashtë u përzgjodhën. Si ka mundësi të mendosh që ne këtej jemi të paaftë ?
Pyetje nga “Vettingu në Lupë”: Çfarë gjykimi keni për procesin e Vettingut duke e krahasuar me vendin ku ju punoni dhe jetoni
Përgjigje nga Milen Lako: Do më duheshin faqe të tëra për të bërë një krahasim midis një vendi si Zvicra dhe Shqipëria. Jo vetëm nga cilësia e formimit të juristëve po mbi të gjitha për nga ndërgjegjja e lartë profesionale, respekti ndaj shtetit ligjor dhe disiplinës në punë jo vetëm të profesionit të juristëve po të karakterit të dy popujve. Këtu diskutohen dhe rastet e konflikteve të interesit, jo më korrupsioni. Një gjykatës nuk mund të trajtoj të njëjtën dosje ku gruaja, fëmija, një i afërm i tij, ose shok i tij është palë ose thjesht avokat në të njëjtën dosje. Është e paimagjinueshme të kërkosh një nder për të fshehur një informacion shtetit. Nuk di të ekzistoj këtu një ligj si Vetting, por mënyrat për të siguruar respektin ndaj ligjit janë të shumëllojshme. Çdo vendim i gjykatësit apo i prokurorit kundërshtohet nga palët deri në Gjykatën e lartë. Në rast se vendimet janë absurde, gjë që nuk e kam dëgjuar ndonjëherë, palët venë deri në Strasbourg. Vajti njëra për një gjobë CHF 300.- !!! Çdo vendim duhet të jetë konform me standardet evropiane (vendimet e Gjykatës evropiane të drejtësisë dhe Gjykata evropiane e të drejtave të njeriut). Nuk mund të blesh gjykatësin kur direktivat vijnë nga Strasbourgu!
Po ju tregoj një anekdotë. Në 2001, kur falimentoi Swissair, një ministër federal kishte aksione te Swissair. Ai pati informacion dy ose tre javë përpara për falimentin dhe nuk i shiti aksionet. Humbi CHF 100’000.- sepse ai mendoi që informacioni që pati ai e pati sepse ishte ministër, d.m.th gëzonte një vend të privilegjuar, që një qytetar tjetër zviceran nuk e kishte. Atij iu duk se do përfitonte në mënyrë të padrejtë nga ky pozicion dhe nuk i shiti aksionet. Atij iu duk si konflikt interesi. Sinqerisht, nuk mendoj që çdo ministër zviceran do bënte të njëjtën gjë si ai, por ja që këtu ndodh dhe kështu..
Jemi ata që jemi. .. dhe që korrupsioni ka lulëzuar e do lulëzojë te ne, është se populli ose e pranon, ose nuk ka fuqi ta luftojë. Jam e bindur për këtë sa herë që lexoj dhe këtu ndonjë lajm për ndonjë rast korrupsioni brenda ndonjë administrate, se ka dhe këtu. Po sistemi është i tillë që funksionon dhe funksionon sepse procedurat ndiqen dhe respektohen nga persona që nuk mbyllin sytë dhe nuk u shkon në mend të korruptohen. Ai ose ajo që bën një gjë të tillë e ka të qartë që duhet ti lutet vetëm fatit të mirë që të mos zbulohet dhe jo bashkëpunimit të kolegëve ose të eprorëve. Dhe dënimet janë në lartësinë e veprës penale. Dhe dënimi nuk është më vetëm gjyqësor ..që nuk mund ta blesh (kjo është e kuptueshme) por më e rëndësishme është se ka reperkusione për të ardhmen profesionale. Ne çdo vend të punës, kur aplikon të kërkojnë dëshminë e penalitet. Kush të merr në punë kur shikon që ke vjedhur ?
Është debati i përjetshëm midis : e ka fajin sistemi apo njerëzit ? Unë them që e kanë njerëzit, sepse asnjë sistem nuk bie nga qielli. Atë e bëjnë njerëzit, e ushqejnë, e tolerojnë ditë për ditë njerëzit. Është vullneti i njerëzve për të bërë ose për të mos bërë diçka që është e rëndësishme. Çdo popull krijon, d.m.th meriton sistemin që ka. Gjermanët sistemin gjerman, italianët sistemin italian dhe shqiptarët sistemin shqiptar. Kushdo që pretendon që fajin e ka sistemi, do të justifikoj veten dhe t’i shmanget përgjegjësisë për gabimet, fajet ose krimet që bën vetë. Se të akumulosh atë pasuri që është akumuluar në Shqipëri ose të krijosh kushtet për miqtë e tu që të akumulojnë pasuri të padrejta ne rrugë ligjore, është krim.
Migjeni ka një varg shumë të bukur : unë dhe ti murgesh, dy skaje të litarit. Ne dhe zviceranët në marrëdhëniet me shtetin jemi dy skajet e një planeti.
Pyetje nga “Vettingu në Lupë”: A keni besim te ky proces në Shqipëri.
Përgjigje nga Milen Lako: Për të tëra ato që shpjegova më lart, më vjen keq por nuk do bëhet asnjëherë. Për më tepër që, për mendimin tim, ky proces duhet të filloj nga deputetët dhe ministrat, që jo vetëm e kanë krijuar dhe lejuar të jetoj këtë përbindësh por dhe sepse mesa mbaj mend, sipas një raporti të një organizmi Europian, në Shqipëri deputetët dhe ministrat kishin një pasuri 8 herë më të lartë se paga e tyre, ndërsa prokurorët dhe gjykatësit vetëm 4 herë më të lartë…. ! E ka vrarë mendjen kryeministri si ta zgjidhi këtë mister.. ? apo ishte i zënë duke dhënë koncesione miqve të tij ?
Së dyti, me gjithë atë korrupsion dhe me gjithë atë pasuri marramendëse dhe skandaloze të akumuluar nga të dyja këto klasa, si mund të mos tundohet një prokuror për të mbyllur sytë me atë pagë miserable? Është një shprehje në frëngjisht : On n’a rien sans rien – nuk mund te kemi asgjë duke mos pagur asgjë. Unë personalisht nuk do vija me çfarëdo lloj rroge (me gjithë dëshirën e mirë që kam) jo vetëm për gjithë ato sakrifica që kam bërë gjithë këto vite për të arritur këtu ku jam por dhe sepse do lija një cilësi jete të pakrahasueshme as me shumë vende të tjera evropiane. Por më tepër, për rrezikun me të cilin duhet të përballesh në këtë lloj pune në qoftë se është menduar të bëhet me të vërtetë. Në qoftë se ai kryeministri juaj do donte me të vërtetë të bënte shtet, duhet ti kishte kërkuar BE fonde për një grusht prokurorësh që të merren me këtë punë dhe të ngrejë një pool për të luftuar seriozisht krimin ekonomiko-politik, ose më mirë akoma, të mbledh taksa ashtu siç duhet nga super milionerët. Kështu bëhet shteti. Ai nuk mund të thotë : do bëj shtet kur shteti është i kapur që nga koka. Personalisht, kam përshtypjen e keqe që puna ka filluar nga këmbët… kur dihet që këmbët i komandon koka. Ose nuk dinë, ose bëjnë sikur nuk dinë nga ta kapin punën. Një shtet që do të luftojë në mënyrë efikase krimin nuk mund të luftojë me shpata kur krimi fluturon me avion supersonik. Siç duket nuk e ka mësuar kaq në bangat e Arteve piktori. Duhet ti thotë dikush që nuk është njësoj si të detyroj popullin e vogël të paguaj faturat e elektricitetit dhe ti kërkoj llogari gjykatësve dhe prokurorëve ku i kanë gjetur ose më ndihmën e kujt i kanë bërë milionat, se ka shumë mundësi që këta të fundit, në një moment të caktuar ti përmendin emrin e ndonjë ministri ose deputeti të plotfuqishëm.
Së treti, personeli i zgjedhur për të bërë Vetting nuk më duket 100% i aftë profesionalisht dhe totalisht me integritet (gjithë këto vite ata kanë krijuar shoqërinë e tyre që nuk do jetë kaq e lehtë tu kërkojnë llogari në rast se do ju vij një dosje mbi tavolinë). Shpresoj ta kem gabim.
Më vjen keq të konstatoj që mungon vullneti politik. E gjithë kjo është një farsë e shëmtuar për t’i thënë BE : bëmë atë që deshët dhe për ti thënë popullit : po luftojmë kundër krimit. Nuk e di sa e beson BE, po populli nuk i beson më. I besoi në fillim. Dhe nga mënyra se si ma paraqitën mua vjet, unë pashë që shumë miq të mi ishin shumë entuziast. Që nga marrëveshja e 17 majit kur panë se kush u zgjodh, u ka rënë fare entuziazmi. Përsërisin si një varg monoton: ky vend s’ka për tu bërë asnjëherë.
Me respekt, Milen Lako