EKSPERT PËR KOMUNIKIM DHE VIZIBILITET
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) shpall thirrjen për angazhimin e një eksperti komunikimi dhe vizibiliteti, i cili duhet të jetë i/e gatshëm të sigurojë komunikimin dhe informimin në lidhje me vizibilitetin e aktiviteteve të projekteve që KShH ka në zbatim. Eksperti i komunikimit bazuar në kërkesat dhe të dhënat e vendosura në dispozicion nga stafi zbatues i KShH, do të përmbushë shërbimet e mëposhtme:
-
- Sigurohet komunikimi dhe informimi në lidhje me vizibilitetin e aktiviteteve në zbatim të projektet të KShH-së.
- Të zhvillojë një plan komunikimi dhe vizibiliteti, si dhe të ofrojë rekomandime për kanalet e mundshme të komunikimit dhe mjetet e vizibilitetit që do të përdoren nga projektet. Mbi bazën e këtij plani komunikimi dhe vizibiliteti duhet të hartohet linja e brendshme e komunikimit të secilit projekt dhe linja e jashtme e komunikimit më konkretisht: (1) Projekt – Palë e interesit; (2) Projekt – Donator; (3) Projekt – Media & Publiku i gjerë.
- Gjithashtu, do të ofrohen rekomandime në hartimin e materialeve të nevojshme për të siguruar që komunikimi i projektit është në përputhje me udhëzimet e donatorëve dhe mbështetësve të iniciativave përkatëse.
- Në pajtim me planin e komunikimit dhe vizibilitetit, do të përgatisë rekomandime për implementimin e aktiviteteve, me fokus të veçantë sfidat e paraqitura nga pandemia globale Covid-19 ose nga fatkeqësi të tjera natyrore.
- Të elaborojë dhe të përditësojë Website dhe profilet e rrjeteve sociale të organizatës në Facebook, instagram etj.
- Të elaborojë dizajnin dhe të ofrojë rekomandime në rastet e prodhimit të materialeve për vizibilitetin e projekteve. Më konkretisht, duhet të kontribuojë në përgatitjen e materialeve të vizibilitetit si psh, postime në median sociale dhe në faqen zyrtare, intervista/artikuj në median e shkruar dhe elektronike, infografikë, etj, në bashkëpunim me stafin e KShH
- Për më tepër eksperti i angazhuar do të mbështesë në implementimin e planit të komunikimit dhe vizibilitetit dhe linjave të hartuara paraprakisht prej tij/saj, si dhe do të ndërmarrë aktivitetet mbështetëse siç kërkohet.
Eksperti/ja duhet të hartojë një raport pune 1 herë në javë (çdo ditë të premte), dhe do ia adresojë administratorit të zyrës të KShH-së, i/e cili/a pas vlerësimit e përcjell për miratim pranë koordinatorëve të projekteve respektive. Ky raport do të përfshijë një përshkrim të detajuar të të gjitha aktiviteteve dhe rezultateve të arritura në kontekst të detyrave të përcaktuara për ekspertin/en.
Periudha për të cilën eksperti i medias kërkohet të angazhohet në këtë projekt është 18 muaj.
KShH inkurajon aplikimet nga kandidatë, të cilët janë të interesuar për t’u angazhuar si ekspertë në këtë proces dhe plotësojnë këto kritere të aftësisë individuale, edukimit dhe aftësisë profesionale në vijim:
Aftësitë individuale
- Të jetë i/e pavarur, i/e paanshëm dhe me integritet;
- Të ketë aftësi shumë të mira komunikimi dhe bashkëpunimi në ekip dhe jo vetëm;
- Të ketë aftësi analitike dhe mendim kritik;
- Të jetë i/e përgjegjshëm për respektimin e detyrave dhe afatet e vendosura;
- Të ketë aftësi të punojnë nën presionin e kohës.
Edukimi dhe aftësitë profesionale
- Të zotërojë diplomë në nivelin Master, mundësisht në fusha që lidhen me marrëdhëniet me publikun, politikat dhe praktikat e komunikimit;
- Shkathtësi të shkëlqyera analitike, ndërpersonale dhe komunikuese;
- Aftësi në nivelin B1 në gjuhën angleze;
- Njohuri kompjuterike (aplikacionet MS Office dhe paketat e programit të dizanjit);
- Të paktën 2 vite përvojë pune në fushën e marrëdhënieve me publikun dhe mediave dhe të tjera të ngjashme;
- Përvojë në zbatimin e aktiviteteve të komunikimit dhe vizibilitetit, në përputhje me pikën 2 të thirrjes.
KShH inkurajon ekspertët e interesuar që të dërgojnë në formë elektronike në adresën e e-mailit të KShH-së office@ahc.org.al, deri në datën 05.04.2021 dokumentacionin e mëposhtëm (në mënyrë kumulative):
- CV (Curriculum Vitae);
- Letër motivimi dhe listë me referenca;
- Koncept i metodologjisë për planin e komunikimit dhe të vizibilitetit (1-2 faqe);
- Ofertë finaciare të shprehur në Lekë;
- Dëshmi ku vërtetohet njohuria e gjuhës angleze;
- Një folder me punime të mëparshme dizajni si postera, infografikë etj.
Vetëm eksperti i përzgjedhur do të njoftohet.
Me konsideratë,
Komiteti Shqiptar i Helsinkit