Të mërkurën në datë 21 Mars 2018 do të zhvillohet seanca e parë dëgjimore për një prej subjekteve të rivlerësimit kalimtar (vettingut) në sallën e Pallatit të Kongreseve, pra e hapur për publikun e gjerë. Njoftimi është bërë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), në faqen e tij zyrtare. Në këtë mënyrë KPK ka mundësuar transparencë ndaj publikut dhe medias në publikimin e njoftimeve për seancat, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin për vettingun Nr.84/2016. Gjithashtu, është pozitiv fakti se KPK ka marrë në konsideratë rekomandimin e KShH-së për zhvillimin e këtyre seancave në salla të mëdha, duke mundësuar praninë e një publiku të gjerë për ti ndjekur. Në vlerësimin tonë kjo do të garantojë respektimin e parimit të procesit të rregullt ligjor dhe respektimin e të drejtave themelore të subjektit të vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Por si u arrit deri në këtë vendim?
Në datën 14 Shkurt 2018, KShH ju drejtua me shkresë zyrtare KPK-së dhe për dijeni Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, duke evidentuar faktin se sallat ekzistuese pranë këtij Komisioni nuk mundësojnë pjesëmarrjen e përshtatshme të publikut dhe rrjedhimisht krijojnë vështirësi për respektimin e parimit të publicitetit, element thelbësor i procesit të rregullt. Një sallë gjykimi me përmasa të vogla dhe e papërshtatshme mund të përdoret nga palët si ngërç ligjor praktik për ligjshmërinë dhe vlefshmërinë e procesit, pasi mund të shkelë të drejtat themelore dhe parimin e gjykimit të drejtë, të parashikuar në nenin 15, 179/b, shtojca F (8) e Kushtetutës me referencë në jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, sa i takon zbatimit të nenit 6 të Konventës Evropiane (KEDNJ-së).
Gjithashtu, aksesi i publikut në sallat ku do të zhvillohet një nga proceset më të rëndësishme të reformës në drejtësi, vettingu, është i rëndësishëm si mjet për të garantuar transparencën, thelbësore për besimin e shtetasve në këtë proces.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), me mbështetje të Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë është angazhuar në monitorimin e një prej proceseve më të rëndësishëm të reformës në drejtësi, atij të vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ndaj në këtë vazhdë u shënua arritja e disajtë, ajo e marrjes në konsideratë të sugjerimit të KShH-së për krijimin e kushteve të përshtatshme për të garantuar një proces transparent dhe publik.