Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në përmbushje të misionit të tij monitoroi procesin gjyqësor administrativ pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, për sigurimin e padisë të kërkuar nga Fondacioni Gylistan, lidhur me mbylljen e Kolegjit Mehmet Akif Ersoy (institucion privat i arsimit parauniversitar).
Sot në datë 7 Tetor 2022, kjo gjykatë vendosi të rrëzojë kërkesën e Fondacionit Gylistan për sigurimin e padisë dhe pezullimin e përkohshëm të vendimit të Këshillit të Ministrave (deri në gjykimin në themel të padisë), pa arsyetuar në mënyrë të përmbledhur shkaqet që justifikonin zbatimin e kuadrit ligjor të cituar në shpalljen e vendimit të ndërmjetëm, nga gjyqtarja e çështjes, znj. Elvana Cicolli.
Me anë të këtij raporti të monitorimit të dy seancave të zhvilluara në Gjykatën Administrative, në respektim të nenit 145 pika 3 të Kushtetutës, KShH nuk synon të ushtrojë ndikim në veprimtarinë e pushtetit gjyqësor, sa kohë që çështja në fjalë mund të jetë edhe objekt i mëtejshëm ankimimi në Gjykatën e Apelit Administrativ.
Megjithatë, në përmbushje të misionit të tij dhe në funksion të analizës së respektimit të standarteve të procesit të rregullt gjyqësor dhe standarteve ndërkombëtare, vlen të ndahen me opinionin publik këto konkluzione paraprake.
Sipas nenit 28 të ligjit nr.49/2012 parashikohet e drejta e çdo personi që ka interes legjitim të kërkojë sigurimin e padisë, derisa të arrihet në marrjen e vendimit të themelit, kur ekziston mundësia e ardhjes së një dëmi të rëndë e të pariparueshëm, që rrjedh nga ekzekutimi i veprimit administrativ.
Palët prezent në këtë proces, përfaqësuesit e Fondacionit Gylistan, të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve si dhe Avokaturës së Shtetit, u ndalën kryesisht në parashtrimin e argumentave pro apo kundër mbi ekzistencën e dëmit të rëndë dhe të pariparueshëm, duke ju referuar dokumentacionit shkresor që ju vendos në dispozicion gjykatës, të cilat u pranuan dhe u cilësuan si prova të rregullta nga gjyqtarja e çështjes.
Tërhoqi vëmendjen fakti se hetimi gjyqësor për sigurimin e padisë ishte i kufizuar dhe nuk u thellua në mënyrë substanciale në sqarimin e çdo momenti procedural mbi dokumentacionin e paraqirur nga palët, me vlerën e provës, bazuar në nenin 202, gërma a) të Kodit të Procedurës Civile. Në funksion të një hetimi gjyqësor të plotë, të gjithëanshëm dhe objektiv, gjykata nuk e shqyrtoi të nevojshme që në kuptim të dëmit të rëndë dhe të pariparueshëm të referuar, të hetonte dëmin që mund t’i shkaktohet nxënësve të Kolegjit, për të vlerësuar cënimin e interesit më të lartë të fëmijëve (nxënësve) nga mbyllja e Kolegjit Mehmet Akif.
Neni 3, paragrafi 1, i Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve parashikon se “Në të gjitha vendimet që kanë të bëjnë me fëmijën, të marra qoftë nga institucione publike ose private të përkrahjes shoqërore, nga gjykatat, autoritetet administrative apo organet legjislative, interesi më i lartë i fëmijës duhet të jetë konsiderata mbizotëruese”. Nenet 13 dhe 14 të kësaj Konvente garantojnë lirinë e shprehjes dhe të mendimit të fëmijëve.
Gjykata u informua nga përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit se nxënëset e shkollës Mehmet Akif Ersoy janë transferuar në disa kolegje private dhe publike, por nuk vlerësoi të nevojshme të pyesë përfaqësuesit e palëve ndërgjygjëse se si ka ndikuar kjo vendimmarrje në zhvillimin mendor, shpirtëror dhe moral të nxënësve (fëmijëve), të cilat mbrohen nga neni 27 i Konventës së Kombeve të Bashkuara.
Neni 6 § 1 i Konventës Evropiane të të Drejtave të njeriut garanton të drejtën për një proces të rregullt, dhe kërkon ndër të tjerash respektimin e parimit të paanshmërisë së gjyqtarëve dhe të kontradiktoritetit. Paanshmëria, referuar jurisprudencës së Gjykatës së Strasburgut përcaktohet zakonisht nga mungesa e paragjykimit ose e anshmërisë dhe mund të matet në mënyra të ndryshme. Në këtë drejtim, edhe dukja apo shfaqja e gjyqtarit në seancë mund të marrë rëndësi, në referencë të fjalës së urtë angleze “Nuk duhet vetëm të bësh drejtësi por duhet gjithashtu që kjo të shihet”. Ndërkohë që parimi i kontradiktoritetit, kërkon ndër të tjerash që palët të dëgjohen dhe vendosen në pozitë barazie përpara gjykatësit (Star Cate Epilekta Gevmata etj k.Greqisë).
Në vlerësimin e vëzhguesve të KShH-së për çështjen e Kolegjit Mehmet Akif u vërejt se, sjellja dhe mënyra se si u formuluan pyetjet për palët nga gjyqtarja krijuan pikëpyetje sa i takon parimit të paanshmërisë dhe kontradiktoritetit. Palët që në fazën e legjitimimit të tyre dhe në vijimësi të paraqitjes së parashtrimeve dhe provave, nuk u vendosën në pozita të barabarta në sytë e publikut dhe u vërejtën elementë të njëanshmërisë si vijon:
- Teksa u ndal hollësisht në verifikimin e dokumentacionit për të drejtat e përfaqësimit të deleguara nga drejtori i Fondacionit tek avokati i çështjes, gjyqtarja e çështjes nuk ndoqi të njëjtin standart për të verifikuar dokumentacionin e referuar nga përfaqësueset e MAS në mbështetje të qëndrimeve të tyre para gjykatës, se Fondacioni Gylistan ishte njohur me shkrim, me gjitha shkeljet për papërshtatshmërinë e godinës, së referuara gjatë vizitave dhe inspektimeve të kryera në muajt Qershor, Gusht dhe Shtator.
- Përfaqësuesit e MAS deklaruan se godina e re rrezikonte jetën dhe shëndetin e nxënësve, por në ndryshim nga pyetjet e herëpashershme drejtuar avokatit të Fondacionit Gylistan, lidhur me këtë pikë nuk u adresua asnjë pyetje konkrete se cilat ishin provat që hidhnin dritë për këtë konstatim. Ndër të tjerash, ky moment vlente për t’u saktësuar dhe nënshtruar debatit gjyqësor, sa kohë një nga faktet e referuara për mungesën e shkallëve të emergjencës në godinën u hodh poshtë nga avokati i fondacionit, duke referuar se ky element ishte i domosdoshëm për shkollat që kanë mbi 200 nxënës, ndërkohë që Mehmet Akif kishte vetëm 160 nxënëse.
- Avokati i Fondacionit Gylistan referoi para gjykatës që veprimtaria e këtij fondacioni kishte qëllime bamirësie dhe nuk kishte qëllime fitimprurëse, referuar statutit të saj. Lidhur me këtë fakt, gjyqtarja referoi një pyetje të paqartë me elementë paragjykues, se a kishin ata mjete provuese nga pikëpamja praktike lidhur me të! Në fakt, lidhur me këtë moment, gjykata nuk shfaqi interes për aftësinë paguese të Fondacionit për të mbajtur njëkohësisht dy godina, por pyeti përfaqësuesit e MAS nëse Fondacioni mund të vijonte veprimtarimtarinë në godinën e mëparshme, deri në miratimin e godinës së re? Kjo ndërhyrje nënkuptoi qëndrimin e Gjykatës karshi Fondacionit që nuk duhet të kishte transferuar veprimtarinë arsimore në godinën e re, por të kishte vijuar qëndrimin në godinën e mëparshme edhe pse mund të ishte në kushtet e paaftësisë paguese.
- Përgjatë procesit të pyetjeve, pati edhe elementë sugjestionues në pyetjet drejtuar palëve, të tilla si “Ju e konsideruar miratim në heshtje aktin e vlerësimit të dt.14 Shtator 2022 të MAS” (pyetje e drejtuar avokatit të Fondacionit Gylistan) apo pyetja drejtuar përfaqësuesve të MAS “Ju e keni konsideruar vijueshmërinë e veprimtarisë arsimore në godinën e re nga Fondacioni, pa marrë miratim, si cënim të autoritetit shtetëror të Ministrisë?”, etj.
- Pavarësisht pyetjes që gjyqtarja i drejtoi përfaqësueses së MAS se a ka qene marrëdhënia me këtë kolegj korrekte në të shkuarën, shmangia e përgjigjes nuk solli ri-përsëritjen e pyetjes për të konkluduar lidhur me këtë aspekt të rëndësishëm vendimmarrje, në ndryshim nga qasja e pyetjeve drejtuar në mënyrë sistematike dhe të përsëritur në raste të caktuara ndaj Avokatit të Fondacionit Gylistan.