Vendimet e para të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) për shkarkimin e disa gjyqtarëve dhe prokurorëve u mbështetën më së shumti në problematikat për kriterin e pasurisë. Deri pak ditë më pare, në vendimet e arsyetuara të KPK-së rezulton se vetëm ndaj një subjekti (vendimi nr.39 për subjektin T.N, gjyqtar në Gjykatën e Lartë) është vendosur shkarkim nga detyra, ndër të tjerash sepse janë vëretur pasaktësi në plotësimin e formularit për kriterin e pastërtisë së figures ose siç njihet ndryshe, lidhjet e gjyqtarëve/prokurorëve me persona të përfshirë në krimin e organizuar. Ne dy vendime të tjera të KPK-së, është analizuar dhe argumentuar më gjerë kriteri i pastërtisë së figurës, për shkak të problematikës së referuar nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) apo problemeve që kanë rezultuar nga hetimi administrativ i kryer nga vetë KPK. Megjithatë, në përfundim të procesit, në të dyja këto raste është konkluduar se kriteri i figurës ka qenë i pastër (referuar vendimit nr. 47 për gjyqtarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë A.F dhe vendimit nr. 26 për gjyqtarin e Gjykatës së Apelit I.T).
Aspekti i figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve është një çështje delikate që paraqet një shkallë më të lartë vështirësie për tu hetuar dhe për tu provuar në kuadër të vettingut në raport me dy kriteret e tjerë, atë të pasurisë dhe aftësive profesionale. Ky kriter kërkon që organet e vettingut të kryejnë një analizë shumë të kujdesshme, të paanshme dhe objektive të provave dhe informacioneve të siguruara, për të konkluduar lidhur me ekzistencën e kontaktit të papërshtatshëm të gjyqtarit/prokurorit me një person të përfshirë në krimin e organizuar.
Analiza e bërë në këtë shkrim është më shumë teorike se sa praktike dhe nuk është shteruese. Kjo për arsye se, sikurse është përmendur më sipër, jurisprudenca e deritanishme e organeve të vettingut, në mënyrë të veçantë për kriterin e figurës së gjyqtarëve/ prokurorëve është eshtë ende në fillesat e saj. Synimi i këtij shkrimi është të analizojë se a përputhet nocioni i krimit të organizuar sipas ligjit të vettingut me nocionin që njeh legjislacioni ynë penal dhe procedural-penal? A është ligji i vettingut i ashpër sa i takon kontakteve të papërshtatshme të gjyqtarëve/prokurorëve me persona të përfshirë në krimin e organizuar që janë në rrethin e tyre familjar? Çfarë rezulton nga vendimet e deritanishme të KPK-së për rastet ku është marrë në analizë më të thellë përshtatshmëria e figurës së subjekteve?
Sipas aneksit Dh të Kushtetutës, subjektet e rivlerësimit dorëzojnë një deklaratë dhe i nënshtrohen një kontrolli të figurës, me qëllim identifikimin e atyre që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar. Aneksi kushtetues nuk përcakton se çfarë do të konsiderohet me krim të organizuar. Është ligji i vettingut nr.84/2016 që përkufizon “personin e përfshirë në krimin e organizuar”, atë person që është dënuar ose proceduar penalisht, brenda ose jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për një nga veprat e parashikuara në ligjin nr. 10192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” (i ashtëquajturi ligji anti-mafia).
Ajo çka vihet re në ligjin e vettingut është se koncepti i krimit të organizuar në kuptim të vlerësimit të figurës së gjyqtarëve/ prokurorëve është zgjeruar përtej konceptit klasik të asaj që njihet dhe vlerësohet si krim i organizuar në legjislacionin shqiptar penal dhe procedural-penal.
Në Kodin tonë Penal nuk përcaktohet në mënyrë të shprehur përkufizimi i krimit të organizuar, por konceptin klasik të formave të krimit të organizuar e gjejmë në nenin 28 të tij. Ky nen parashikon katër forma të veçanta të bashkëpunimit kriminal (krimit të organizuar) dhe përcakton elementët dallues të secilës prej tyre, përkatësisht të 1. organizatës kriminale, 2. organizatës terroriste, 3. bandës së armatosur dhe 4. grupit të strukturuar kriminal. Sipas Kodit Penal, krijimi, drejtimi dhe pjesëmarrja në një organizatë kriminale, organizatë terroriste, bandë të armatosur ose grup të strukturuar kriminal cilësohen si vepra penale dhe dënohen penalisht. Edhe në doktrinën e të drejtës penale shqiptare krimi i organizuar përfshin krijimin e grupeve dhe bandave të ndryshme të organizuara që bashkëpunojnë në mënyrë të rregullt për kryerjen e veprave penale.
Nëse do ti referohemi legjislacionit tonë procedural-penal, neni 75/a i Kodit të Procedurës Penale përcakton kompetencat lëndore të Gjykatës kompetente kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Përveç veprave penale të kryera nga funksionarët e lartë të shtetit apo edhe veprat penale në fushën e korrupsionit, kjo gjykatë gjykon gjithashtu çdo vepër penale të kryer nga grupi i strukturuar kriminal, organizata kriminale, organizata terroriste dhe banda e armatosur, sipas përcaktimeve të Kodit Penal.
Referimi që ligji i vettingut bën tek ligji anti-mafia mund të jetë i diskutueshëm pasi ky i fundit e shtrin fushë-veprimin e tij për një rreth të zgjeruar të veprave penale, ndaj të cilave zbatohet parandalimi dhe goditja e kriminalitetit nëpërmjet masave parandaluese. Fusha e veprimit të ligjit anti-mafia është më e gjerë se veprat penale që janë në kompetencë lëndore të prokurorisë dhe gjykatës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Veprat penale që janë në fushën e veprimit të ligjit anti-mafia e tejkalojnë rrethin e veprave penale të krimit të organizuar, në kuptim të nenit 28 dhe seksioneve përkatës të Kodit Penal.
Analiza ligjore lidhur me krimin e organizuar duket se është cekur në praktikën e deritanishme të organeve vettingut, përkatësisht në vendimin nr. 39, dt. 17.07.2018 të KPK për subjektin T.N. Në këtë vendim, KPK argumenton ndër të tjerash se “Është pika 15 e nenit 3 të ligjit nr.84/2016 (ligji i vettingut), e cila jep përkufizimin e personave të përfshirë në krimin e organizuar dhe konsideron të tillë çdo person të dënuar ose proceduar penalisht për veprat penale të parashikuara nga pikë 1 e nenit 3 të ligjit nr.10192, dt. 03.12.2009 (ligji anti-mafia). Kjo dispozitë ligjore përban ndër të tjera dhe veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike (neni 283 i Kodit Penal)”. Lidhur me këtë aspekt, KPK duket që ka zbatuar në mënyrë strikte dhe formale legjislacionin e vettingut. Kjo vërehet edhe në një pjesë të paragrafëve të vendimit të analizuar, ku shmanget dhënia e një kundërargumenti për argumentin që vetë pala (subjekti) ka paraqitur për qëllimin e ligjit anti-mafia. Sipas KPK-së këto argumente nuk kanë asnjë rëndësi dhe as lidhje me vlerësimin e figurës së subjektit.
Nëse hedhim një vështrim sa i takon natyrës së veprave penale që janë në fushën e veprimit të parashikuar në ligjin anti-mafia, këto vepra kategorizohen në 3 grupe kryesore.
Në grupin e parë bëjnë pjesë veprat penale të lidhura me pjesëmarrjen dhe kryerjen e krimeve nga banda e armatosur, organizata kriminale dhe grupi i strukturuar criminal dhe organizata terroriste.
Në grupin e dytë dhe të tretë, veprat penale në fushë-veprimin e ligjit anti-mafia nuk lidhen domosdoshmërisht me faktin e kryerjes ose jo të tyre nga një formacion apo grupim i strukturuar apo i organizuar kriminal. Konkretisht, në grupin e dytë të këtyre veprave penale bëjnë pjesë krimet e parashikuara nga Kodi Penal në nenet 109 “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, 109/b “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, 110/a “Trafikimi i personave të rritur”, 128/b “Trafikimi i të miturve”, 278/a “Trafikimi i armëve dhe i municionit”, 282/a “Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive”, 283 “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, 283/a “Trafikimi i narkotikëve” dhe 284/a “Organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale të Kodit Penal”. Në grupin e tretë bëjnë pjesë veprat penale të lidhura me pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, krimet e lidhura me korrupsionin aktiv dhe pasiv në sektorin privat dhe publik (të kategorizuara sipas subjekteve të posaçme të cilat i kryejnë këto vepra ose ndaj të cilave kryhen këto vepra), përfitimi i paligjshëm i interesave; shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike; falsifikimin e monedhave.
Në relacionin shoqërues të projektligjit të vettingut nuk argumentohet referimi që i është bërë konceptit të krimit të organizuar tek ligji anti-mafia. Mafia si koncept është një term shumë i përhapur në botë për të përkufizuar organizata kriminale por në mënyrë të veçantë, analizat moderne të këtij fenomeni e cilësojnë mafian si “organizatë pushteti”, duke vëne në dukje se ekzistenca e saj varet nga bashkëpunëtorët që kanë pozita në institucione të ndryshëm shtetërore.
Një çështje tjetër e diskutueshme janë kontaktet e papërshtatshme të subjekteve të vettingut me personat të cilët janë në rrethin e tyre familjar. Me termin “anëtar familjeje”, sipas deklaratës tip të kontrollit të figurës që është plotësuar nga subjektet, do të kuptohet bashkëshortja/bashkëshorti i tij, i afërti deri në shkallë të katërt ose krushqi deri në shkallë të dytë, personi i lidhur me detyrime birësimi ose që bashkëjeton në mënyrë të përhershme me njërën nga palët. Në nenin 38, pika 5 të ligjit të vettingut parashikohen rrethanat lehtësuese që e lehtësojnë pozitën e subjektit të vettingut edhe në rastet kur ky i fundit ka patur kontakte me një person të përfshirë në krimin e organizuar. Në kuptim të këtyre rrethanave, marrëdhënia familjare në vetëvete me persona të përfshirë në krimin e organizuar nuk është automatikisht rrethanë lehtësuese. Në pamje të parë, rrethanat lehtësuese janë shumë strikte dhe duket se nuk marrin në konsideratë traditën e fortë familjare shqiptare dhe marrëdhëniet për shkak të gjakut apo të krushqisë që ekzistojnë midis pjesëtarëve të një familje, veçanërisht kur marrëdhënia e tyre është e afërt. Rrethanat lehtësuese vendosin theksin tek kohëzgjatja e kontakteve, pra sa të shpeshta kanë qenë ato dhe kur kanë qenë kontaktet e fundit, nëse subjekti nuk ka qenë në dijeni se personi i përfshirë në krimin e organizuar do të ishte i pranishëm në takim, etj. Ligji parashikon si rrethanë lehtësuese marrëdhënien familjare të subjektit të rivlerësimit me personin e përfshirë në krimin e organizuar, kur kjo marrëdhënie është e largët, ose kur kontaktet familjare janë të rralla. Pyetja që shtrohet është nëse gjyqtari/prokurori duhet ose jo të distancohet nga kontakti njerëzor me të afërmin e tij që vjen si rezultat i një marrëdhënie familjare dhe që jo detyrimisht e implikon tërthorazi apo në mënyrë të drejtpërdrejtë atë në çështjen penale për të cilën i afërmi i tij/saj është proceduar penalisht apo është dënuar? Gjyqtarët, prokurorët ashtu sikurse çdo shtetas tjetër, gëzojnë të drejtën për respektimin e jetës private dhe familjare, të parashikuar në nenin 8 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Në tre vendimet e KPK-së ku kryhet një analizë më e gjerë për kriterin e figurës do të vërehet se jo në të gjitha rastet është qartësuar rrethana faktike e papërshtatshmërisë së figures së subjekteve. Kështu, në vendimin nr.47, dt. 25.07.2018, nuk konkretizohet qoftë në mënyrë të përgjithshme, situata që në vlerësimin e DSIK e bën subjektin A.F të papërshtatshëm sa i takon figurës së tij. Ndoshta, mosqartësimi i kësaj rrethane mund të vijë për faktin se raporti i DSIK për këtë subjekt është deklasifikuar pjesërisht. Gjithashtu, në dy vendime të KPK-së (nr.26 dhe 47) vërehet se rekomandimi i DSIK për papërshtatshmërinë e figurës për subjektet A.F dhe I.T lidhet me të dhënat e siguruara nga ky organ ndihmës dhe që hedhin dritë për dyshime të përfshirjes së subjekteve në afera korruptive. KPK ka konkluduar se të dhënat për këto subjekte e tejkalojnë objektin e kontrollit të figures dhe se DSIK nuk ka konkretizuar kontaktin e papërshtatshëm të subjekteve me një person të proceduar penalisht ose të deklaruar fajtor për krim të organizuar. Kontakti i papërshtatshëm në kuptim të nenit 38, pika 4 të ligjit të vettingut mund të shfaqet në formën e një takimi, komunikimi jo rastësor, shkëmbimi i parave, favoreve, dhuratave, lidhjeve të ngushta, anëtarësisë së njohur dhe publike në strukturat e krimit të organizuar, etj. Pavarësisht nga konkluzioni i arritur nga KPK lidhur me këto të dhëna për kriterin e figurës, kam mendimin se informacione të tilla të ofruara nga DSIK për përfshirje të dyshuar të subjekteve në afera korruptive, edhe pse mund të mos jenë objekt i kriterit të figurës, mund të ndihmojnë apo orientojnë KPK-në që të thellojë veprintarinë e saj administrative sa i takon dy kritereve të tjera të vettingut, atij të pasurisë apo të kriterit të aftësive etiko-profesionale.
Në analizën për vendimeve të organeve të vettingut, në mënyrë të veçantë për kriterin e figurës, është shumë i rëndësishëm standarti që do të aplikohet dhe konkretisht për mënyrën se si janë administruar raportet e DSIK në proces, nëse është kryer ose jo hetim i thelluar për këtë komponent nga vetë KPK, çfarë ka rezultuar nga ky hetim administrative dhe si ballafaqohen në vendim të dhënat/faket e ndryshme të KPK dhe DSIK, sa të sakta, të besueshme dhe të plota janë këto të dhëna, si është analizuar nga pikëpamja ligjore kriteri i figurës dhe të gjithë komponentët e tij në këto vendime, etj. Unifikimi i këtij standarti, pavarësisht nga fakti se trupat gjykuese të vettingut mund të jenë të ndryshme, është i rëndësishëm pasi të gjithë gjyqtarët/prokurorët që po i nënshtrohen vettingut dhe që kanë rezultuar me probleme në drejtim të figurës së tyre, janë të barabartë përpara ligjit. Vendimet e ardhshme të organeve të vettingut mund të mundësojnë një analizë ligjore më të thellë apo më të plotë të vlerësimit të kriterit të figurës.