Qysh në momentin kur u diskutua vlerësimi paraprak për hartën e re gjyqësore, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) tërhoqi vëmendjen për mungesën e një studimi objektiv, të gjithanshëm dhe gjithëpërfshirës në reduktimin drastik të numrit të gjykatave në vend.
Njëzet ditë më parë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, me vendimin nr. 211, miratoi raportin vlerësues për riorganizimin e rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave. Me këtë vendim propozohet riorganizimi i rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave. Nga 22 gjykata të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, propozohen trembëdhjetë të tilla; Nga 6 gjykata të apelit të juridiksionit të përgjithshëm propozohet një Gjykatë Apeli në rang kombëtar me seli në Tiranë. Nga 6 gjykata administrative të shkallës së parë, propozohen vetëm dy të tilla. Komiteti i Helsinkit vlerëson se, propozimet KLGJ-së për hartën e re gjyqësore, në kushtet socialo-ekonomike të vendit tojnë pengojnë dhe dobësojnë aksesin në drejtësi të njerëzve, veçanërisht atyre në nevojë.
Tërheq vëmendjen fakti se në pikën 3 të vendimit të KLGJ-së thuhet se raporti i vlerësimit përfundimtar dhe propozimi i miratuar nga KLGJ përcillet tek Ministri i Drejtësisë, për të vijuar me marrjen e mendimit nga KLP, Prokurori i Përgjithshëm dhe Ministri i Financave. Komiteti i Helsinkit vëren me shqetësim, se ky proces konsultimi duhet të ishte i bashkërenduar midis KLGJ dhe M.Drejtësisë dhe jo të realizohej në mënyrë të fragmentarizuar, duke u miratuar fillimisht në KLGJ dhe më pas për tu përcjellë për konsultim të mëtejshëm në M.Drejtësisë[1]. Këto vonesa janë të pajustifikuara në kohë, për një proces që duhet të ishte ndër më prioritarët pas krijimi të KLGJ, tre vite e gjysëm më parë.
Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datë 29.06.2022, rezulton se ka marrë në shqyrtim situatën e paraqitur pas realizimit të bojkotit të proceseve gjyqësore për shkak të miratimit të propozimit të Hartës së Re të Gjyqësorit dhe duke qenë se KLGJ nuk pati asnjë reagim lidhur me problematikën e paraqitur nga ana e Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë, ka vendosur:
- Te Bojkotoje pa afat të gjitha seancat e proceseve gjyqësore civile, penale dhe administrative.
- Te Bojkotoje seancat e proceve gjyqesore te masave të sigurimit personal në të gjitha shkallët e gjyqësorit për një afat 10 ditor.
- Shfuqizimin e listave të avokatëve të caktuar pë mbrojtjen e detyrueshme dhe ato të ndihmës juridike dytësore të miratuara pë Vitin 2022.
- Moszbatimi i këtij vendimi nga ana e antarësisë të konsiderohet shkelje e rëndë e dispozitave të ligjit me pasojë fillimin e procedimit disiplinor.
Në fakt, pika e fundit të këtij vendimi është e diskutueshme nga pikëpamja e ligjshmërisë. Në nenin 39 të ligjit nr.55/2018 “Për profesionin e avokatit në RSH”, parashikohet se procedimi disiplinor ndaj një avokati fillon mbi bazën e një ankese dhe klasifikohen në “Sjellje jo profesionale”, “shërbime të papërshtatshme profesionale dhe “mosofrim i shërbimeve të ndihmës juridike të garantuar nga shteti ose falas”. KShH, në këtë vështrim, sugjeron që Këshilli i Avokatisë të rishikojë qëndrimin e tij, sepse mosrespektimi i bojkotit të seancave gjyqësore nuk parashikohet si shkak i posaçëm ligjor për procedim disiplinor.
Aq më tepër, që për seanca të një natyre të ngutshme sikurse janë vlerësimi i masave të sigurimit apo seanca për çështje që kanë të bëjnë me pensionet, marrëdhëniet familjare apo të punës, masat ndaj dhunës në familje apo të drejtat e fëmijëve, ky bojkot mund të dëmtojë interesat dhe nevojën për drejtësi të qytetarëve e grupeve në nevojë.
Në përfundim shohim të arsyeshme të nënvizojmë se:
KLGJ dhe M.D, në vend që të reagojnë dhe të ulen për të biseduar me përfaqësuesit e organeve drejtuese të avokatisë për shqetësimet e tyre për uljen drastike të numrit të gjykatave, deri më tani kanë zgjedhur të heshtin. Kjo situatë është e papranueshme, në kushtet e një reforme shumë të rëndësishme që ka si qëllim madhor mbarëvajtjen dhe funksionimin normal të sistemit të drejtësisë, të bazuar mbi parimet e përgjegjshmërisë, llogaridhënies dhe transparencës.
Po ashtu, tërheq vëmendjen edhe mosreagimi dhe qëndrimi pasiv i Këshillit të Ministrave për situatën e krijuar, pasi ky institucion ka atributin përfundimtar për të miratuar hartën e re gjyqësore pasi ka marrë propozimin e përbashkët të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Ministrit të Drejtësisë.
[1] Sipas nenit 13, pika 3 tw ligjit nr.98/2016, “Pwr organizimin e Pushtetit Gjyqwsor nw RSH”, parashikohet se përpara se të miratojnë propozimin e përbashkët, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Ministri i Drejtësisë marrin mendimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorit të Përgjithshëm, Ministrit të Financave dhe këshillohen me palë të tjera të interesuara.