Autoritetet shfaqin reagim të dobët dhe nuk bashkëpunojnë efektivisht
Prej afro katër muajsh, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) është duke monitoruar ndotjen e mjedisit nga mbetjet hidrokarbure dhe dëmit real dhe potencial në shëndetin dhe jetën e banorëve të Njësisë Administrative Zharrëz në Bashkinë Patos të Qarkut Fier.
Fillimisht në datë 18 Tetor 2022, një grup vëzhguesish nga KShH monitoroi këtë njësi, duke takuar banorë, përfaqësues të institucioneve dhe duke kqyrur disa zona hotspot, kudotja ishte lehtësisht e identifikueshme dhe u vërejtën vendgrumbullime të mbetjeve hidrokarbure, apo puseve të vjetra, në mungesë të masave të sigurisë dhe masave rehabilituese. Një pjesë e këtyre zonave ishin shumë afër vendbanimeve të shtetasve dhe serave ku kultivoheshin perime, të cilat më pas shiteshin në tregun e lirë. KShH takoi nga afër banorë, të cilët pohuan se merrnin mjekime të rregullta për sëmundje të gjakut, ndërkohë që pati gjithashtu banorë që deklaruan se kishte një rritje të sëmundjeve kancerogjene dhe vdekjeve të lidhura me to.
Në mungesë të informacionit të plotë gjatë vizitës monitoruese në disa prej institucioneve të vizituara në nivel vendor, KShH iu drejtua në vijimësi, me kërkesa zyrtare për informacion. Jo të gjitha institucionet j’u përgjigjën këtyre kërkesave. Në këto kushte, KShH i është drejtuar me ankim Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale lidhur me mungesën e përgjigjes nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier (sa i takon informacionit për procedimet penale për ndotjen në Zharrëz) dhe përgjigjen jo të plotë të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Fier.
Nisur nga përgjigjet e disa institucioneve, të tilla si Bashkia Patos, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor Fier (ISHSH), Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit Fier (IMKT) si dhe Agjencia Rajonale e Mjedisit Fier, Vlorë, Gjirokastër (ARM), KShH vëren nivele të dobëta reagimi dhe mungesë bashkëpunimi midis këtyre institucioneve, që në mënyrë të koordinuar të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre për të parandaluar ndotjen dhe për të sanksionuar ndotësit. Në mënyrë të veçantë vihet re një klimë e mungesës së iniciativës në inspektimet ex officio që krijon një klimë të mungesës së llogaridhënies dhe përgjegjësisë ndaj operatorëve që ushtrojnë veprimtari në fushën e hidrokarbureve në këtë njësi administrative.
ARM, edhe për shkak të objektit të saj të veprimtarisë, është institucioni i cili ka kryer një veprimtari më të shtuar inspektuese, krahasuar kjo me institucionet e tjera të cilat KSHH ka monitoruar. Por kjo veprimtari inspektuese rezulton të jetë zhvilluar në mënyrë të fragmentarizuar dhe jo sistematike. Konkretisht, KShH vëren se ARM, ka kryer një sërë inspektimesh në vitin 2021 dhe në fillim të vitit 2022. Pas inspektimit të datës 04.11.2021[1] ndaj Albpetrol sha, është marrë masa urgjente: “Ndërprerja e kryerjes së një veprimi, veprimtarie apo një pjese të saj” pasi në fshatin Zharrëz u evidentuan hidrokarbure në sipërfaqe si dhe është caktuar edhe gjobë në vlerën 500,000 lekë. Brenda të njëjtit muaj, në datën 25.11.2021[2] është kryer një inspektim i dytë mjedisor i këtij subjekti, i cili është gjobitur në vlerën 1,000,000 lekë si dhe është dhënë dënimi plotësues “Rrethimi i secilit prej shesheve të puseve ku ushtrohet aktiviteti i nxjerrjes së naftës” dhe ai i “Marrjes së masave për mbrojtjen e tokës nga ndotja dhe erozioni”. Një tjetër inspektim mjedisor është kryer ndaj Albpetrol në datën 06.01.2022[3], ku ndaj subjektit është marrë masa administrative “Paralajmërim”. Më herët, në datat 27.07.2021[4] dhe 20.08.2021[5] nga ARM janë zhvilluar edhe 2 inspektime mjedisore ndaj subjektit Bankers Petrolium Albania LTD, i cili është gjobitur në vlerën 1,000,000 Lek dhe 500,000 Lek, për shkelje të lidhura me veprimtarinë për trajtimin e mbetjeve jo në përputhje me lejen e mjedisit. KShH vëren se në korrespondencën me autoritetin mungon informacioni për ekzekutimin e gjobave dhe sa efikase kanë qenë ato për parandalimin e ndotjes dhe rehabilitimin e zonës, e cila në fakt vijon të jetë shqetësuese. Vlen të theksohet gjithashtu se ARM mund të kishte koordinuar më mirë bashkëpunimin me strukturat përgjegjëse për mjedisin në njësitë e qeverisjes vendore, sipas Ligjit nr. 90/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, neni 24 pika 2 gërma “c”, me qëllim krijimin e njësive të përbashkëta për të kryer detyra administrative inspektuese.
Gjatë viteve 2021-2022, Bashkia Patos ka realizuar gjithashtu pas marrjes së ankesave nga ana e banorëve të kësaj zone dy monitorime në terren, pas të cilave ka konstatuar problematika, për të cilat i është drejtuar me shkresë zyrtare subjekteve përgjegjëse. Pas monitorimit të parë, Bashkia i ka kërkuar subjekteve Albpetrol Sh.A dhe Bankers Petroleum Albania LTD Fier të marrin masa mbi rehabilitimin e tokës dhe ndotjen e shkaktuar nga ushtrimi i veprimtarisë së tyre. Në vijim, Albpetrol Sh.a ka informuar Bashkinë se janë marrë disa masa për përmirësimin e situatës, ndër të cilat verifikimi në terren i situatës, për pastrimin e pusit të naftës 2351, si dhe dëmshpërblimin e një qytetari ankues për rehabilitimin e tokës bujqësore. Lidhur me monitorimin e dytë, të zhvilluar pothuajse një vit më vonë, subjektit Albpetrol Sh.A i është kërkuar marrja e masave për largimin e mbetjeve hidrokarbure. Bashkia nuk na ka vendosur në dispizicion, informacion nëse subjekti i inspektuar është përgjigjur apo ka marrë masa pas kërkesës së saj.
Gjithashtu, KShH vëren se organi përgjegjës, ISHH nuk ka realizuar asnjë vlerësim të ndikimit në shëndetin e banorëve, të veprimtarisë së Albpetrol sha dhe Bankers Petroleum LTD, në zbatim të nenit 43 të ligjit nr. 10138, datë 11.05.2009 “Për Shëndetin Publik” si dhe nuk ka bashkëpunuar me autoritetet e pushtetit vendor. Pavarësisht kompetencave të IMKT për inspektimin e ndotjes mjedisore, ky institucion nuk ka kryer asnjë inspektim kryesisht dhe ka kryer vetëm një inspektim të iniciuar nga ankesa e “Shoqatës Zharrëza”, pas të cilit ka konstatuar ekzistencën e një grope ekologjike në proces për marrjen e lejes, për të cilën nuk ka gjetur shkelje. Pavarësisht se ky institucion ka kërkuar bashkëpunimin e institucioneve të tjera kompetente, kjo qasje është vërejtur pas datës së monitorimit të Zharrëzës nga ekipi i KShH-së, që nënkupton një ndërgjegjësim të institucionit për të vepruar, edhe pse të vonuar. Në kohë
Në vlerësimin tërësor të të gjithë informacionit dhe dokumentacionit që disponojmë deri më tani, KSHH vëren se, institucionet përgjegjëse shmangin një pjesë të përgjegjësive, duke treguar pjesërisht neglizhencë dhe njohje jo të mirë të kompetencave të tyre, por njëkohësisht mungesë të mjeteve logjistike për matjen e ndotjes. Mbivendosja e kompetencave që referohet si ngërç midis ARM dhe IMKT është e kapërcyeshme nëse do të ekzistonte një vullnet i mirë për të bashkëpunuar, ndaj në vlerësimin e KShH mbeten më shumë në kuadrin e artificave ligjore.
KShH dëshiron të nënvizojë se e drejta për një mjedis të shëndetshëm zë një vend të veçantë në nenin 8 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut që garanton të drejtën për jetë private dhe familjare. Në çështjen Hatton dhe të tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar (v.2003), ankuesi ngriti pretendime për ndotjen akustike që krijonte aeroporti i ndodhur shumë afër vendbanimit të banorëve. GJEDNJ konstatoi shkelje të nenit 8 të Konventës, pasi shteti kishte dështuar në ushtrimin e përgjegjësive të tij, për të rregulluar industrinë private në një mënyrë të tillë që të garantonte respektimin e duhur të detyrimeve që rrjedhin nga kjo e drejtë. Gjithashtu, sipas kësaj jurisprudence, personat kanë të drejtë të njihen me informacionin me anë të të cilit mund të vlerësojnë masën e rrezikut që i kanoset, dhe shteti ka detyrimin të përcaktojë procedurën që u bën të mundur individëve të njihen me këtë informacion.
[1] Vendimi i ndërmjetëm për marrjen e masës urgjente Nr. AKM-FR-2021-000274-4 datë 04.11.2021.
[2] Vendimi përfundimtar i inspektimit Nr. AKM-FR-2021-000252-5 datë 24.12.2021. Ky vendim cakton minimumin e dënimit me gjobë që parashikon ligji.
[3] Vendimi përfundimtar i inspektimit Nr. AKM-FR-2022-000001-5 datë 16.02.2022.
[4] Vendimi përfundimtar i inspektimit Nr. AKM-FR-2021-000101-5 datë 27.08.2021. Ky vendim cakton minimumin e dënimit me gjobë që parashikon ligji.
[5] Vendimi përfundimtar i inspektimit Nr. AKM-FR-2021-000131-5 datë 14.09.2021. Ky vendim cakton maksimumin e dënimit me gjobë që parashikon ligji.