Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) nëpërmjet medias të datës 31 Korrik 2018 u informua se në Burgun e Fushë Krujës, grupi i gatshëm i policisë së burgjeve kishte ushtruar dhunë ndaj të dënuarit A.L.
Për verifikimin e ngjarjes, në datën 1 Gusht 2018, dy përfaqësues të KShH-së kanë shkuar në IEVP Fushë Krujë. Gjatë këtij verifikimi u mor takim me drejtuesin e këtij institucioni, mjekun e burgut, personelin tjetër dhe punonjësit e grupit të gatshëm (grupi i sigurisë), si dhe vetë personin që dyshohej si viktimë e dhunës.
Gjatë këtij verifikimi merrnin pjesë gjithashtu edhe një përfaqësues i Avokatit të Popullit.
Përfaqësuesit e KShH-së, gjatë verifikimit konstatuan se ngjarja kishte ndodhur në dt. 27 Korrik 2018. Shtetasi A.L. ishte i dënuar me vendim të formës së prerë të gjykatës. Ai ishte i sëmurë me diagnozë epileptike. Për shkak të sëmundjes, shpesh ai paraqitej i acaruar dhe kërkonte të vizitohej.
Në mbrëmjen e datës 27 Korrik 2018 ai kishte kërkuar të vizitohej nga mjeku, por vonesa e tij e nxiti atë të trokiste fuqishëm në derën e dhomës. Pikërisht në këtë kohë grupi i gatshëm i policisë së burgjeve, i përbërë prej 4 personash, sëbashku me nd/mjekun (infermierin e turnit) shkuan në dhomën e të dënuarit, që ishte i axhituar dhe siç pretendojnë ata, ai ka reaguar në mënyrë të dhunshme ndaj tyre. Ata pretenduan gjithashtu se për të parandaluar dhunën fizike të ushtruar prej tij, e kanë neutralizuar atë vetëm duke i mbajtur duart me forcë.
I dënuari A.L. nga ana e mjekut është vizituar në datën 31 Korrik 2018 dhe jo ditën e ngjarjes.
Mjeku pretendoi se nuk ka patur dijeni për ngjarjen dhe për këtë shkak nuk e ka vizituar më dt. 27 Korrik 2018. Në kartelën klinike të të dënuarit A.L., ishte shënuar diagnoza “epilepsi e gjeneralizuar”, dhe në konsultën e realizuar më dt. 31 Korrik 2018 është shënuar nga ana e mjekut “konstatimi i ekimozave në sipërfaqe të madhe në krahun dhe këmbën e majtë si dhe një plagë e lehtë e vogël në shpinë”. Me pëlqimin e vetë të dënuarit A.L., përfaqësuesit e KShH-së vërejtën se në krahun e majtë dhe të djathtë në sipërfaqen e brendshme të pjesës së sipërme kishte ekimoza. Ekimoza u vërejtën gjithashtu si në kofshën e majtë dhe të djathtë, si dhe në fund të shpinës. Lidhur me dëmtimet që u shikuan në mënyrë vizuale, mjeku pretendoi se vizitën ai e kishte përqëndruar vetëm në pjesët e trupit, sipas ankesave që kishte parashtruar i dënuari A.L. Çështja i ishte referuar organit të prokurorisë.
Duke marrë shkas nga rasti i mësipërm, KShH tërheq vëmendjen se raste të tilla nuk kanë qenë të rralla, madje ka pasur tendenca për t’i minimizuar ato. Fakti që i dënuari ishte i sëmurë epileptik duhej treguar kujdes i vecantë mjekësor.
KShH u sugjeron organeve përkatëse që të tregojnë më tepër shqetësim dhe vlerësim në të ardhmen për të parandaluar raste të tilla. Për këtë del nevoja e një vëmendje më të shtuar në punësimin e personelit dhe në trajnimin e tyre.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit sugjeron gjithashtu organeve të procedimit penal që në raste të ushtrimit të dhunës në këto institucione, hetimi të jetë i shpejtë, i plotë dhe i gjithanshëm, gjë që do të mundësonte identifikimin e përgjegjësisë individuale, pavarësisht nga funksioni i tyre.