Një shoqëri civile që komunikon dhe monitoron organet e drejtësisë, në funksion të garantimit të shtetit të së drejtës


Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në bashkëpunim me 5 (pesë) organizata të shoqërisë civile në disa vende të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të Vishegradit, prej më shumë se 1 viti është duke zbatuar Projektin me titull “OJF-të dhe sistemi gjyqësor – aktivitete monitoruese, ndërveprime, bashkëpunim, komunikim”, të mbështetur nga Fondi i Vishegradit dhe Ministria për Çështjet e Jashtme të Republikës së Koresë.

Partnerë të rëndësishëm në zbatimin e këtij projekti janë organizata polake “INPRIS”- udhëheqëse e këtij Projekti, organizata çeke “CEELI INSTITUTE”, organizata sllovake “VIA JURIS”, organizata serbe “Lawyers’ Committee for Human Rights – YUCOM” dhe organizata maqedonase “Coalition of Civil Associations “All for fair trials”, me një eksperiencë të gjerë në këtë fushë.

Bashkëpunimi në këtë projekt synon njohjen e monitorimit dhe bashkëpunimit të sistemit gjyqësor nga shoqëria civile në vendet e Vishegradit dhe Ballkanit Perëndimor, analizën krahasimore dhe njohjen e praktikave më të mira nga vendet e Vishegradit dhe Ballkanit Perëndimor në lidhje me këtë çështje, informimin e shoqërisë civile vendase mbi eksperiencat e vendeve të Vishegradit në transformim demokratik, si dhe rritjen e kapaciteteve monitoruese të shoqërisë civile në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ditën e sotme, më dt. 11.03.2016, KShH zhvilloi një Tryezë me organizata dhe aktivistë të shoqërisë civile vendase, me qëllim informimin dhe diskutimin qytetar mbi njohuritë dhe eksperiencën e mbledhur gjatë këtij bashkëpunimi ndërkombëtar.

Organizatat pjesëmarrëse në këtë takim janë kontribues në ndërveprimin me sistemin gjyqësor, sepse kanë krijuar eksperienca të vlefshme, nëpërmjet çështjeve dhe problematikave që kanë ndjekur tek organet e drejtësisë prej vitesh, në Shqipëri, në funksion të mbrojtjes së grupeve të marxhinalizuara të shoqërisë si, personave me aftësi të kufizuar, LGBTI, gratë, komunitetet Rom dhe Egjiptian, etj.

Në kontekstin e Reformës në Drejtësi dhe nevojës për fuqizimin e rolit të shoqërisë civile në ndërgjegjësimin qytetar dhe monitorimin e proçesit te dhënies së drejtësisë, në funksion të të drejtave të qytetarëve, organizatat dhe aktivistët e shoqërisë civile, pjesëmarrës në takim, ranë dakort për;

a) Nevojën e krijimit, organizimit dhe forcimit të një Forumi apo Koalicioni të shoqërisë civile, që do të monitorojë proçesin e ligjbërjes dhe ligjzbatimit në kuadër të shërbimit të dhënies së drejtësisë;
b) Pjesëmarrjen e aktorëve të sistemit gjyqësor, gjyqtarë, prokurorë, avokatë, etj., në këtë Forum, duke e trajtuar çështjen bashkërisht, pavarësisht roleve të ndryshme në shoqëri, por me mision të njëjtë;
c) Përfshirjen e ekspertëve, profesionistë të shquar të ligjit, duke i dhënë autoritet shkencor veprimtarisë së Forumit, për të rritur besueshmërinë në publik;
d) Përfshirjen e organizatave që mbrojnë të drejtat dhe interesin e personave me aftësi të kufizuar, komunitetit Rom dhe Egjiptian, LGBTI, grave, të rinjve, etj;
e) Nevojën e monitorimit të integritetit të funksionarëve që kanë për detyrë dhënien e drejtësisë për qytetarët dhe të profesionistëve të lirë të ligjit që ofrojnë shërbim publik;
f) Mundësitë për më shumë mbrojtje strategjike dhe advokim publik nga ana e shoqërisë civile, për çështje që prekin të drejtat apo interesat e ligjshme të qytetarëve, masivisht dhe/ose sistematikisht;
g) Domosdoshmërinë e shkëmbimit të eksperiencave midis “avokatëve” të të drejtave të njeriut, për mundësinë e specializimit të tyre dhe iniciativave të reja ligjore.

Projekti i mësipërm mundësoi shkëmbimin e eksperiencave të mira mbi marrëdhënien e organizatave të shoqërisë civile me gjyqësorin dhe rriti kapacitetet e aktorëve të shoqërisë civile në monitorimin apo format e tjera të bashkëveprimit me organet e drejtësisë.

Ju faleminderit!

Komiteti Shqiptar i Helsinkit

Adresa: Rr. Brigada VIII , PlI. Tekno Projekt, Ap.10, Tirana-Albania
Kutia Postare Nr. 1752
Tel & Fax: +3550)42233671
Email: office@ahc.org.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TOP Komiteti Shqiptar i Helsinkit