Verifikohen ankesat për keqtrajtim ndaj të dënuarve të transferuar në IEVP Fier
Në vijim të reagimit publik të dt.10 Tetor 2019, të Institucionit të Avokatit të Popullit[1], për tejkalim të përdorimit të forcës nga autoritetet shtetërore ndaj një grupi të dënuarish në Institucionin e Ekzekuktimit të Vendimeve Penale (IEVP) Shën Koll, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ndërmori po në këtë datë një mision monitorimi në IEVP Fier.
Objekti i këtij misioni kishte si qëllim verifikimin e ankesave për ushtrim dhune nga punonjës të policisë së burgjeve ndaj 4 shtetasve të dënuar në IEVP Shën Koll (Lezhë). Pas incidentit të ndodhur në IEVP Lezhë, në dt. 3 Tetor 2019, të dënuarit janë transferuar dhe vendosur për një afat tre mujor në regjim të mbikqyrjes së veçantë në IEVP Fier (me urdhërat e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve).
Katër të dënuarit me të cilët u mor kontakt, të akomoduar pranë IEVP Fier, pretenduan se një numër i lartë punonjësish të policisë së burgjeve, disa prej të cilëve të maskuar, kanë hyrë në sektorin e IEVP Shën Koll rreth orës 21:30 të dt.2 Tetor 2019. Të dënuarit pretendojnë se janë dhunuar me shkopinj gome, tërheqje zvarrë, shkelma dhe grushta. Shtetasi E.H. pretendon se për arsye shëndetësore ka humbur ndjenjat për rreth 7 minuta, ndërkohë që ndihma e parë mjekësore i është ofruar në IEVP Lezhë. Sipas dokumentacionit të konsultuar nga grupi i vëzhguesve, burimi i këtij incidenti vlerësohet se ka lindur më herët në të njëjtën datë. Konkretisht, disa prej të dënuarve të akomoduar në këtë sektor (kati i 3-të i godinës nr.2 në IEVP Shën Koll) nuk kanë pranuar orarin e ri të veprimeve të miratuar nga drejtuesi ie këtij institucioni, pasi ky kufizim nuk do të mundësonte shkëmbimin e korrespondencës telefonike me familjarët e tyre.
Referuar dokumentacionit të konsultuar nga vëzhguesit e KShH-së (raportit të shërbimit, shkresës së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve (DPB) drejtuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier) evidentohet se të dënuarit kanë vënë në rrezik sigurinë dhe kanë prishur rregullin në institucion, kriter i parashikuar në nenin 55 të ligjit nr. 8328/1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, i ndryshuar. Kanë qënë këto kushte që kanë diktuar sipas autoriteteve të burgjeve, që IEVP Lezhë të kërkojë ndërhyrjen e Forcave Operacionale pranë DPB dhe forcat e grupeve të sigurisë dhe shoqërimit të IEVP Lezhë. Mgjth, të dënuarit pretendojnë se përdorimi i forcës ka qenë në kundërshtim me nenin 57 të ligjit nr.8328/1998 (i ndryshuar), pasi nuk ka qenë i domosdoshëm dhe nuk rezulton të ketë ndodhur gjatë kohës kur ata nuk kanë respektuar urdhërin që kufizonte kryerjen e telefonatave me familjen (mposhtja e kundërshtimit pasiv).
Të dënuarit kanë mbërritur në IEVP Fier rreth orës 05.00 të mëngjesit të datës 03.10.2019, të shoqëruar nga forcat operacionale të DPB. Në momentin e hyrjes në IEVP Fier, 2 prej të dënuarve, shtetasit M.L. dhe E.H., kanë referuar dhimbje në gjymtyrë. Nga ana e nd/mjekut të IEVP-së Fier është mbajtur procesverbal me shkrim dore ku evidentohet se “gjatë ekzaminimit fizik konstatuam tek M.L.kishte te shpatulla e majtë 1 shenjë të lehtë të kuqe. I dënuari M.L. pretendon se kjo shenjë ka ndodhur si rezultat i përplasjes me forcat e sigurisë në sektorin e Burgut Lezhë. Gjatë ekzaminimit fizik të dënuarit E.H., u konstatuan disa shenja të lehta, të kuqe në shpinë. Edhe i dënuari E.H. pretendon se këto shenja i ka si pasojë e përplasjes me forcat e sigurisë në sektor në Burgun Lezhë”. Shenjat e konstatuara janë dokumentuar edhe në Kartelat Klinike të dy të dënuarve. U konstatua se në ditët në vijim, këta 2 të dënuar kanë referuar në mënyrë të vazhdueshme problematika shëndetësore.
Verifikimi i këtij rasti evidenton disa problematika të vërejtura në raportin më të fundit të Komitetit për Parandalimin e Torturës (KPT) në vendin tonë, të cilat janë të përsëritura[2]. Në këtë raport nënvizohet detyrimi që kanë institucionet shtetërore për të dokumentuar ankesat për ushtrim dhune, për të kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme mjekësore që hedhin dritë mbi shenjat apo dhimbjet që vijnë si rezultat i ankesave për keqtrajtim si dhe për ti referuar këto ankesa menjëherë në prokurori.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit vëren se, është e papërligjur mosbërja e kallëzimit penal nga personeli mjekësor i IEVP Fier në organin e prokuorisë, në vijim të ankesave të të dënuarve për keqtrajtim. Vëzhguesve të KSHH-së nuk ju vendos në dispozicion asnjë dokument që të vërtetonte përmbushjen e detyrimit nga stafi mjekësor për të kallëzuar penalisht shenjat dhunës që janë konstatuar në trupin e dy prej të dënuarve. Mosnjoftimi i menjëhershëm i prokurorisë nga personeli shëndetësor, brenda afatit 48 orësh të parashikuar në nenin 282/1 të K.Pr.Penale, mund të ketë cenuar hetimin adekuat dhe efektiv që KPT rekomandon në këto raste. Nëse hetimi do të kishte filluar, të dënuarit mund ti ishin nënshtruar në kohë një ekspertimi mjeko-ligjor që hedh dritë për mënyrën se si janë shkaktuar shenjat e dëmtimit të vërejtura në trupin e tyre.
Dokumentacioni mjekësor që është mbajtur nga personeli shëndëtësor i IEVP Fier nuk nuk përmbush plotësisht kërkesat e rekomanduara nga KPT në rastet e ekzanimimit mjekësor të të dënuarve/paraburgosurve që ankohen për keqtrajtim. Konkretisht, në këtë dokumentacion nuk është reflektuar:
- Një pasqyrim i plotë i të gjitha konstatimeve mjekësore objektive, të bazuara në një ekzaminim mjekësor të gjithëanshëm (e shoqëruar me një diagramë të trupit duke shënuar dëmtimet traumatike, dhe është e preferueshme, fotografimi i dëmtimeve të konstatuara).
- Konkluzionet e mjekut të cilat duhet të ballafaqojnë pretendimet e të dënuarve nga njëra anë me gjetjet objektive mjekësore të personelit shëndetësor (psh nëse një shenjë dëmtimi që vërehet në trupin e të dënuarit pretendohet se është rezultat i keqtrajtimit, mjeku duhet të paraqesë konkluzionin e tij për mënyrën e krijimit dhe mjetet që mund ta kenë shkaktuar).
Lidhur me këtë çështje, KShH në përmbushje të misionit të tij, do të adresojë pranë Institucioneve përgjegjëse të gjitha konstatimet dhe përfundimet e plota që kanë rezultuar nga ky mision verifikimi si dhe rekomandimet përkatëse.
[1] https://www.facebook.com/avokatipopullit/posts/2191459877624940?__tn__=K-R