Vitet e fundit, radikalizimi që çon në ekstremizëm të dhunshëm është gjithnjë e më shumë në fokus të studimeve kërkimore, raporteve të mediave dhe punës së agjencive të zbatimit të ligjit në vendet e Bashkimit Evropian dhe rajonit. Vitet e fundit, qeveria shqiptare ka miratuar Strategjinë Kombëtare për Luftën kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Planin e Veprimit, ku identifikohen nevojat dhe propozohet që përppjekjet parandaluese të përqëndrohen në katër fusha kryesore: arsimi, angazhimi me udhëheqësit fetarë, mundësitë ekonomike dhe kërkimi për të luftuar radikalizmin që çon në ekstremizëm të dhunshëm.
Në këtë kontekst, Komiteti Shqiptar i Helsinki ka filluar zbatimin e projektit “Aktivitete edukative të bazuara në vlera, për të parandaluar Ekstremizmin e Dhunshëm tek të rinjtë në Shqipëri”, i cili synon të inkurajojë edukimin e të rinjve me vlera themelore të shoqërisë dhe demokracisë, siç janë toleranca, respekti i ndërsjellë, parandalimi i gjuhës së urrejtjes, bashkëpunimi dhe mirëkuptimi përmes mjeteve që ofron letërsia.
Në formën e një projekti pilot, nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme, kjo nismë do të kontribuojë në parandalimin e radikalizmit që çon në ekstremizëm të dhunshëm, në 24 shkolla në 12 qarqe në Shqipëri (Shkodër, Kukës, Lezhë, Tiranë, Elbasan, Durrës, Fier, Vlorë, Dibër, Berat, Korcë dhe Gjirokastër) dhe përqendrohet kryesisht në dy fushat proritare “Komunikimi dhe angazhimi i Komunitetit” nëpërmjet masës së parashikuar “Nxitja e mendimit kritik, pjesëmarrjes civile dhe përhapja e vlerave të tolerancës përmes arsimimit”.
Bazuar në Strategjinë Kombëtare, projekti do të përfshijë krahas pasurimit të bibliotekave, në radhë të parë: fuqizimin dhe aftësimin e mësuesve dhe psikologëve, dhe rritjen e mbështetjes për aktivitetet jashtëshkollore në shkollat e synuara si artet,aktivitetet edukative dhe ndërgjegjësuese, si dhe klubet e debateve për parandalimin e radikalizmit bazuar ne metoda bashkëkohore.
Objektivi i përgjithshëm i projektit është parandalimi i radikalizmit që çon në ekstremizëm të dhunshëm, nëpërmjet përmirësimit të edukimit të bazuar në vlera 12 qarqe të Shqipërisë (Shkodra, Kukes, Lezhë, Tiranë, Elbasan, Durrës, Fier, Vlorë, Dibër, Berat, Korçë, Gjirokastër). Kështu, të rinjtë do të jenë më të përgatitur për krijimin e një shoqërie të shëndetshme larg gjuhës së urrejtjes, racizmit dhe veprimeve ekstremiste.
Nëpërmjet kësaj iniciative pilot KShH synon parandalimin e ekstremizmit në Shqipëri përmes edukimit të të rinjve me vlera thelbësore të frymëzuara nga letërsia, duke adresuar në të njëjtën kohë edhe rritjen e leximit si një aktivitet intelektual midis të rinjve, përkundër shifrave alarmante të vitit 2018 të publikuara nga INSTAT (Instituti Kombëtar i Statistikave) i cili tregon se më shumë se 1/3 e popullsisë shqiptare nuk kanë lexuar kurrë një libër.
Kjo iniciativë do të zbatohet nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit për një periudhë, dhjetor 2019 – dhjetor 2020, me mbështetjen e HEDAYAH (Qendra Ndërkombëtare e Ekselencës për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm) financuar nga Bashkimi Evropian.