Të shmangen konsultimet formale në Parlament.
Ministri i Drejtësisë, t’i kërkojë falje publike Organizatave Jo Qeveritare.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) vlerëson nismat e Komisioneve Parlamentare, që në zbatim të nenit 36 të Rregullores së Kuvendit dhe funksionit të rëndësishëm të Kuvendit për mbikqyrje parlamentare, organizojnë seanca dëgjimore publike, edhe me përfaqësues të shoqërisë civile.
Në datën 13 Korrik 2022, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut (Komisioni i Ligjve), kishte thirrur përfaqësues të KShH-së për t’i dëgjuar lidhur me propozimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), për ri-organizimin e gjykatave në vend (harta e re gjyqësore).
Seanca dëgjimore në Komisionin e Ligjeve zgjati rreth 6 orë e gjysëm. Pas gati tre orësh nga fillimi i saj, Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, znj.Klotidla Bushka na dha fjalën, vetëm pasi kjo u kërkua nga një prej anëtarëve deputetë[1].
KShH ishte e vetmja organizatë joqeveritare e shoqërisë civile, e ftuar në këtë seancë dëgjimore. Por pavarësisht nga kjo, qysh në minutat e para të fjalës tonë, Kryetarja e Komisionit të Ligjeve na kërkoi të ishim të përmbledhur, dhe se deputetët ishin njohur më herët me një oponencë të mëparshme që KShH kishte përgatitur për veprimtarinë vjetore të KLGJ-së. Gjithashtu, patëm ndërprerje të fjalës duke tërhequr vëmendjen tonë se nuk po i përmbaheshim pyetjes së depytetit për shqetësimet e KShH-së për hartën e re gjyqësore. Kjo ndërprerje u krye pikërisht gjatë kohës që po argumentonim mungesën e transparencës dhe standarteve të gjithëpërfshirjes, nga grupi-ndërinstitucional i punës së ngritur nga KLGJ, për vlerësimin dhe propozimet për hartën e re gjyqësore.
Ndërhyrje të tilla, përveç se jo të drejta në vlerësimin tonë, mbartin elementë të qëndrimeve të njëanshme dhe formalizmit në konsultimin publik, si dhe standartë dukshëm jo proporcionalë, me kohën që ju dha në dispozicion por edhe qëndrimin, gjatë diskutimeve të të ftuarve nga institucionet publike në këtë Komision Parlamentar.
E shikojmë të nevojshme të përmendim gjithashtu, se fjalët dhe reagimet e Ministrit të Drejtësisë, Z.Ulsi Manja, i pranishëm në këtë mbledhje, në adresë të organizatave jofitimprurëse ishin paragjykuese dhe fyese.
Z.Manja mund të mospajtohet me mendimet apo kritikat e përfaqësueses së KShH-së, dhe të përdorë çdo argument ligjor për mospajtimin me to. Por Mininistrit të Drejtësisë dhe çdo funksionari tjetër publik, nuk i lejohet të përdorë retorikë fyese ndaj organizatave të shoqërisë civile, duke aluduar për afilacione të natyrës politike. Kjo retorikë u përshkallëzua më tej, kur Ministri i Drejtësisë u shpreh për qëndrime të organizatave, në kuadër të detyrimit që ato kanë për të raportuar për projektet që zbatojnë. Përgjatë kësaj retorike, Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, nuk e vlerësoi të arsyeshme të tërhiqte vëmendjen e Ministrit të Drejtësisë, në respekt të etikës parlamentare por edhe zërit ndryshe të çdo grupimi apo organizate jo qeveritare të shoqërisë civile që shfaq mendimet dhe sugjerimet kundër gjatë një dëgjese parlamentare publike.
KShH e çmon të nevojshme të nënvizojë se element të tillë paragjykues dhe fyes gjatë qëndrimeve publike të çdo funksionari publik, pavarësisht nëse është ministër, deputet apo drejtues i një institucioni të pavarur, nuk pajtohen me parimet e shtetit të së drejtës dhe në mënyrë të veçantë, me lirinë e organizimit dhe atë të shprehjes. Reagime të tilla krijojnë premisa të dëmshme për tkurrjen e mjedisit mundësues të organizatave të shoqërisë civile, në përmbushjen e misionit që ato kanë në raport me publikun dhe qytetarët.
KShH i sugjeron Zotit Manja të kërkojë falje publike.
Çdo drejtuesi të organeve parlamentare që zhvillon dëgjesa publike, me shoqërinë civile dhe grupet e interesit, do ti sugjeronim të respektonte hapësirën e nevojshme për dhënien e kontributeve, pa paragjykim dhe elementë njëanshmërie, me standarte të njëjta dhe të unifikuara në raport me palët e tjera si dhe të shmangë konsultimet publike formale dhe jo produktive.
Në përfundim, KShH si një organizatë jo qeveritare dhe e pavarur, do të vazhdojë të përmbushë misionin e saj, në interes të çdo qytetari që i cenohen të drejtat, me fokus të veçantë në grupet në nevojë.
[1] Paraprakisht, përfaqësuesja e KShH-së në këtë seancë dëgjimore kishte përgatitur parashtrimet me shkrim që përmblidhnin dhe analizonin të gjitha pikat kundërshtuese të metodologjisë së ndjekur nga KLGJ për hartën e re gjyqësore, të azhornuara edhe me zhvillimet e muajit të fundit.