Nevojë urgjente për dialog të gjerë Politik dhe konstruktiv për reformën zgjedhore
Edhe pak muaj na ndajnë nga zgjedhjet e 30 Qershorit 2019 të organeve të qeverisjes vendore. Në Kuvendin e Shqipërisë nga mazhoranca parlamentare është paraqitur një draft për disa ndryshime në Kodin Zgjedhor në fuqi, ndërkohë që Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë në takimin me gazetarët, duke ju referuar këtij drafti, u shpreh se ai nuk do të kalojë në procedurat parlamentare pa konsensusin e opozitës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i shqetësuar për vonesat e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor është prononcuar publikisht dy herë dhe u ka bërë thirrje partive politike ti japin fund kësaj vonese që vështirëson veprimtarinë normale të KQZ-së si dhe zhvillimin normal të tij për zbatimin e ligjit në fazat e ndryshme të proçesit zgjedhor.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit shpreh shqetësimin e se vonesat për ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor mund të shoqërohen me pasoja të dëmshme. Duke qenë se zgjedhjet janë moment i rëndësishëm ku populli zgjedh përfaqësuesit e vet, ky është një problem që lidhet me një nga të drejtat themelore të tyre, atë të zgjedhjes së lirë dhe të ndershme dhe të standarteve që kërkohen, ndaj KSHH e shikon të nevojshme të shprehet për çeshtjet e mëposhtme;
- I bëjmë thirrje mazhorancës dhe opozites që të dialogojnë në interes të publikut dhe çdo qytetari, të cilit duhet ti garantohet e drejta për të zgjedhur në mënyrë të lirë dhe të ndershme. Miratimi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor kërkon arritjen e shumicës së cilësuar në votim (të paktën 84 vota). Megjithatë, KSHH rithekson se reforma zgjedhore nuk mund dhe nuk duhet të jetë monopol i dy partive më të mëdha. Partitë e vogla parlamentare kanë të drejtë për të paraqitur opinionet dhe kundërshtitë e tyre dhe për tu përfshirë efektivisht në procesin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.
- KSHH është i ndërgjegjshëm se vullneti politik është mjaft i rëndësishëm, por ai bëhet realisht i tillë kur operon me ligje bashkëkohore. Në rastin konkret vullneti politik duhet të shprehet në radhë të parë nëpërmjet adresimit në Kodin e ri Zgjedhor të Rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe fill pas kësaj në shqetësimin që çdo subjekt mund të ketë për zbatimin rigoroz të ligjit.
- Vonesat në ndryshimin e Kodit Zgjedhor shkaktojnë vështirësi në veprimtarinë e KQZ-së, i cili është organi kryesor për administrimin e zgjedhjeve. Në zgjedhjet e vitit 2017, KQZ toleroi shkeljet e afateve zgjedhore, gjë që ndikoi edhe në qëndrime të diferencuara për zgjidhjen e të njëjtave çështje.