Njoftim për shtyp – Forum diskutimi
Para dy vitesh, në Tetor 2014, Kuvendi miratoi ligjin “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, qëllimi kryesor i të cilit është të inkurajojë pjesëmarrjen e publikut dhe grupeve të interesit në vendimmarrje dhe qeverisje, të rrisë efiçencën dhe nivelin e transparencës dhe të përgjegjësisë së autoriteteve publike ndaj publikut dhe palëve të interesuara. Ky ligj institucionalizon konsultimin publik në hartimin dhe miratimin e projektligjeve, strategjive kombëtare dhe vendore si dhe politikave me interes të lartë publik.
Nga sondazhet e pjesshme që Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka kryer me përfaqësues të organizatave jofitimprurëse dhe aktorë të grupeve të interesit, ka rezultuar se organet publike e kanë zbatuar ligjin për njoftimin dhe konsultimin publik në nivele relativisht të ulëta. Një nga shkaqet e këtij konstatimi lidhet edhe me faktin që ky ligj është relativisht i ri dhe njohja e tij nga organet publike dhe grupe të ndryshme interesi nuk është në nivelin e duhur.
Në kuadër të kësaj nisme, KShH organizon në datën 23 nentor 2016, ora 10.00, Salla “Gold”, Grand Hotel, një forum të fapur diskutimi me përfaqësuesit e medias. Qëllimi i këtij sesioni është të informojë pjesëmarrësit për rëndësinë dhe risitë që paraqet ky ligj, si dhe t’i ftojë ata në diskutime rreth nevojave konkrete që lidhen drejtpërdrejt me zbatimin e ligjit.
KShH vlerëson gjirhashtu pjesmarrjen e medias për transmetimin e këtij aktiviteti me qëllim sensibilizimin e opinionit publik.