“Parandalimi i torturës dhe i të gjitha formave të keqtrajtimit në ndalimin policor”
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Shtetit organizuan në datë 27 Nëntor 2015 një tryezë pune me temë “Parandalimi dhe shmangja e veprimeve që shkaktojnë torturë ose forma të tjera të keqtrajtimit”. Qëllimi i aktivitetit ishte rritja e standardeve të mbrojtjes nga tortura dhe trajtimi çnjerëzor e degradues, në momentet e shoqërimit, ndalimit dhe arrestimit policor, në përputhje me legjislacionin vendas dhe atë ndërkombëtar. Ishin të pranishëm përfaqësues të strukturave të Policisë së Shtetit, nga i gjithë vendi; përfaqësues të sistemit gjyqësor; përfaqësues të shoqërisë civile, që punojnë në këtë fushë; si dhe përfaqësues të organizmave ndërkombëtare, të akredituara në vendin tonë.
Gjatë veprimtarisë dhanë kontributin e tyre me referime, për aspekte të veçanta, z. Igli Totozani, Avokat i Popullit; z. Gjovalin Loka, Drejtues i Parë dhe Drejtor i Rendit Publik në Drejtorisë së Policisë së Shtetit; Prof. Dr. Gordan Kalajdziev, President i Komitetit Maqedonas të Helsinkit; znj. Jorida Rustemi, Drejtuese e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës në institucionin e Avokatit të Popullit; znj. Klejda Ngjela, Menaxhere Projektesh pranë KShH; si dhe z. Arben Skëndaj, Drejtor i Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe i Ankesave pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme. Tryeza e punës u drejtua nga Znj. Vjollca Meçaj, Drejtore Ekzekutive e KSHH.
Referuesit dhe pjesëmarrësit diskutuan rreth shkeljeve të evidentuara në këtë drejtim dhe praktikave të gabuara të punës që krijojnë kushte dhe mundësojnë cenimin e kësaj të drejte të shtetasve, ose pengojnë parandalimin e shkeljeve të mundshme gjatë veprimtarisë policore. Nga ana e tyre përfaqësuesit e strukturave policore folën rreth masave konkrete të marra në këtë drejtim dhe falënderuan organizatat e shoqërisë civile për kontributin e tyre në drejtim të mbrojtjes dhe respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut. Ata shprehën vlerësim për monitorimet që zhvillojnë OJF-të mbi veprimtarinë e organeve të policisë së shtetit si dhe deklaruan se janë të hapur për ta forcuar bashkëpunimin me to. Po ashtu, u diskutua për masat konkrete që duhet të ndërmarrin këto organe, në të ardhmen, me qëllim forcimin e mëtejshëm të punës në drejtim të mbrojtjes së shtetasve nga tortura e trajtimi çnjerëzor/degradues, në çdo moment të kontaktit me policinë e shtetit e më gjerë.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit “Për më shumë fuqizim të mbrojtësve të të drejtave të njeriut në Shqipëri”, i cili zbatohet nga Komiteti Shqiptar i Helsinki në partneritet me Civil Rights Defenders dhe mbështetet financiarisht nga Swedish International Development Cooperation Agency, si dhe në kuadër të projektit “Së bashku kundër torturës në polici dhe burgje”, financuar nga Bashkimi Evropian.