Fuqizimi i pushtetit vendor për të zbatuar ligjin për sinjalizuesit
Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA).
Kohëzgjatja e projektit: Janar 2020 – Janar 2021
Qëllimi i këtij projekti është të rrisë ndërgjegjësimin e publikut dhe besimin ndaj legjislacionit për sinjalizuesit, përmes kontributit për luftën kundër korrupsionit në Shqipëri përmes një zbatimi më të mirë të “Ligjit për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve” në nivel lokal. Objektivat specifikë të projektit janë: 1) Të rritet ndërgjegjësimi dhe informimi i punonjësve në institucionet e nivelit lokal (Bashkitë) për dispozitat ligjore për sinjalizuesit. 2. Të inkurajojë bashkëpunimin ndërmjet punonjësve, njësive përgjegjëse për sinjalizimin e ngritur në bashki dhe ILDKPKI për të trajtuar dhe adresuar çështjet në mënyrë efektive dhe objektive. 3. Të monitorojë zbatimin e Ligjit Nr. 60/2016, lobim dhe avokim me qëllim përqëndrimin në veprimtarinë e njësive përgjegjëse në 10 Bashki dhe të ILDKPKI-së. Kjo nisëm do të shtrihet në 10 Bashki të vendit, përkatësisht: Tiraëa, Durrës, Elbasan, Shkodër, Lezhë, Kukës, Vlorë, Dibër, Gjirokastër dhe Korçë.
Rezultatet: Janë hartuar 10 Marrëveshje Bashkëpunimi me 10 Bashkitë në vend dhe ILDKPKI, me qëllim përcaktimin e drejtimeve kryesore të bashkëpunimit dhe modaliteteve për realizimin e tij, në funksion të përmirësimit të trajtimit dhe respektimit të lirive dhe të drejtave të sinjalizuesve, dhe sensibilizimit të punonjësve të autoriteteve publike për zbatimin e legjislacionit për mbrojtjen e sinjalizuesve. Është përpiluar 1 fletëpalosje me natyrë informuese dhe sensibilizuese, e cila do të shpërndahet në 1000 kopje. Monitorimi i ngritjes së njësive përgjegjëse në Bashki do të realizohet në përputhje me metodologjinë e hartuar nga ekspertë të fushës. Informimit të publikut i është dhënë një vëmendje e veçantë, nëpërmjet publikimit të aktiviteteve të ndërmarra nga KShH në faqen e dedikuar në FB “Sinjalizimi i korrupsionit në bashki”.
Do të realizohen 10 sesione informimi me punonjësit e 10 Bashkive në vend, me qëllim rritjen e kapaciteteve dhe ndërgjegjësimin e punonjësve për parashikimet ligjore në mbrojtje të sinjalizuesve. Të dhënat që do të grumbullohen nëpërmjet korrespondencave zyrtare me institucionet dhe bashkëbisedimeve në terren, do të vlerësohen dhe do të reflektohen në një databazë të krijuar për këtë qëllim. Sensibilizimi i publikut mbi këtë nisëm do të rritet, nisur nga angazhimi i 1 eksperti gazetar që do të publikojë artikuj sensibilizues në shtypin e shkruar dhe atë elektronik. Raporti që do të hartohet në përfundim të kësaj nisme do të konsultohet në një tryezë të rrumbullakët me aktorët përgjegjës dhe do të publikohet në 300 kopje.
- CATEGORY
- TAGS