Shkrim nga Erida Skëndaj-Drejtore Ekzekutive, Komiteti Shqiptar i Helsinkit
Partitë politike, por në mënyrë të veçantë dy partitë më të mëdha parlamentare kanë dashur që organet (komisionet) e administrimit zgjedhor të të gjitha niveleve të jenë me përfaqësues të partive politike, apo të zgjedhur në mënyrë të tillë që krijojnë influenca të natyrës politike, duke bërë të mundur përfaqësimin në mënyrë proporcionale dhe të balancuar, midis partive mazhorancës qeverisëse dhe opozitës parlamentare.
Ishte pikërisht kërkesa e dy partive më të mëdha politike, që para më shumë se 10 vitesh, me ligjin nr.9904, dt.21.04.2008 u bënë ndërhyrje në Kushtetutë, duke shfuqizuar dy nene (neni 153 dhe 154 i Kushtetutës), ku parashikohej mënyra e zgjedhjes së anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i cili është organi më i lartë i administrimit zgjedhor. Këto dy nene (tashmë të shfuqizuara), parashikonin se anëtarët e KQZ-së zgjidhen përkatësisht 2 nga Kuvendi, 2 nga Presidenti i Republikës dhe 3 nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
Në raportet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 dhe zgjedhjet e qeverisjes vendore të vitit 2011, kur bëhej fjalë për administratën zgjedhore, tërheq vëmendjen fakti se ajo cilësohej se vepronte në mënyrë të njëanshme, nën ndikimin e partive politike. Duke e parë këtë problematikë si të përsëritur në mënyrë të vazhdueshme për çdo zgjedhje, në raportin për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore të vitit 2015, OSBE/ODIHR u detyrua të shprehet më hapur, duke nënvizutar se “Ligji mund të ndryshojë në mënyrë që të lejojë caktimin e komisioneve jopartiake në të gjitha nivelet dhe në këtë mënyrë të depolitizohet administrimi zgjedhor”.
Edhe pse pas vitit 2015 u zhvilluan dy zgjedhje të tjera (zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 dhe ato të qeverisjes vendore të vitit 2019), Kodi Zgjedhor mbeti i pandryshuar dhe Komisionet Zgjedhore vazhdonin të ishin të politizuara. Megjithëse në pikën 6 të nenit 3 të Kodit Zgjedhor të titulluar “Parime të Përgjithshme”, thuhet se “Komisionet Zgjedhore të parashikuara në këtë Kod, i përmbushin funksionet e tyre në përputhje me ligjin në mënyrë të paanshme dhe me transparencë”, shpesh kjo dispozitë ligjore është cenuar. Ka patur raste që para zbatimit të detyrueshëm të ligjit, ka mbizotëruar autoriteti partiak dhe për këtë askush nuk ka mbajtur përgjegjësi. Jo vetëm rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, por edhe praktika e monitorimit të zgjedhjeve nga vëzhguesit vendorë, përfshi Komitetin Shqiptar të Helsinkit (KShH-në), krijojnë bindjen se krahas ndryshimeve që do të duhet të bëhen në Kodin Zgjedhor, objekt diskutimi dhe debati duhet të jetë edhe çështja e depolitizimit të administratës zgjedhore në të gjitha nivelet.
Në dt. 8 Tetor 2018, me kërkesë të vetëm njërit prej bashkëkryetarëve të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, u ftuan në tryezë konsultimi disa përfaqësues të grupeve të interesit dhe organizatave të shoqërisë civile, për të diskutuar paketën e amendimeve në Kodin Zgjedhor, për adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it për tre zgjedhjet e fundit të viteve 2013, 2015 dhe 2017. Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) nuk u paraqit në këtë tryezë, për sa kohë materiali i propozuar, edhe pse i hartuar nga ekspertë teknikë të fushës, nuk ishte produkt i një konsensusi midis mazhorancës dhe opozitës parlamentare të përfaqësuar në këtë Komision. Mgjth, nga një studim i projekt amendimeve të propozuara në këtë Kod, ajo që bie në sy është se ndryshimet e bëra nuk prekin depolitizimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pra të organit më të lartë të administrimit zgjedhor në nivel drejtues, kontrollues dhe vendimmarës për procesin zgjedhor. KQZ-ja mbetet ashtu siç është në Kodin Zgjedhor në Fuqi. Prej më shumë se një dekade, zgjedhjet e anëtarëve të këtij komisioni bëhen mbi bazën e propozimeve të partive politike të përfaqësuara në parlament, ndërkohë që për votimin në seancë plenare zgjedhja në këtë detyrë bëhet me shumicë të thjeshtë (minimalisht 36 deputetë nëse janë të pranishëm më shumë se gjysma e anëtarëve). Ndërkohë që Kodi në fuqi, edhe pse në dujke paraqet një formulë përzgjedhje më të depolitizuar për zgjedhjen e Kryetarit të KQZ-së, sërisht në thelb ky nen ka sërisht elementë të natyrës politike dhe të influencës së mazhorancës që ka numrin më të lartë të votave në parlament, në mënyrën se si zgjidhet kryetari. E them këtë për faktin se edhe pse për Kryetarin e KQZ-së, Kodi Zgjedhor parashikon që procedura e përzgjedhjes fillon me vetë kandidim nga të interesuarit (pra jo me propozim nga partitë), rrjedhja që ndjek procesi në Komisionin parlamentar përgjegjës për verifikimin e kandidatëve për kryetar që përmbushin kriteret ligjore, sidomos kur të paktën dy kandidatë nuk gëzojnë mbështetjen më të madhe të anëtarëve të Komisionit (jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij), krijon baza për ndikueshmëri dhe influencë të partisë që gëzon shumicën e votave që mundëson krijimin e qeverisë. Gjithashtu, edhe shumica e parashikuar për zgjedhjen përfundimtare të kryetarit të KQZ-së në seancë plenare nga Kuvendi, nuk është shumicë e cilësuar, por shumicë absolute (të paktën 71 anëtarë).
Në raport me organet e administrimit zgjedhor të dy niveleve më të ulëta, KQZ-ja ka patur më tepër stabilitet për shkak të qëndrueshmërisë në përbërje, për shkak se në Kodin Zgjedhor janë parashikuar rastet kur mund të ndërpritet para kohe, mandati i anëtarit të KQZ-së. Ndërkohë, anëtarët e KZAZ-ve dhe KQV-ve, thuajse në të gjitha zgjedhjet kanë pësuar ndryshime të shumta. Kjo e ka detyruar OSBE/ODIHR-in të tërheqë vëmendjen dhe në rekomandimet e tij të përmendë, jo njëherë, se ndryshime të tilla duhet të jenë të ralla dhe të justifikueshme.
Nëse komisionet zgjedhore të të gjitha niveleve do të depolitizohen, ndryshimet në Kodin Zgjedhor do të jenë jo vetëm të shumta, por do të duhet një diskutim dhe debat mjaft i matur, gjithëpërfshirës dhe i argumentuar aq më tepër se në këtë drejtim, mund të paraqiten variante të ndryshme. Gjithashtu dhe për këtë çështje, vlen të rishikohet praktika e vendeve të tjera ku depolitizimi ka ndodhur në kushtet e një demokracie të brishtë parlamentare dhe ku polarizimi politik është në nivele të larta, sikurse është në vendin tonë.
Sa i takon aspektit numërik, do të ishte e rekomandueshme në vlerësimin tim që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të vazhdojë të jetë me përbërjen e 7 personave që nuk janë të angazhuar në veprimtari partiake, që kanë përvojë në çështjet zgjedhore që mund të jenë me profesionin jo vetëm të juristit por edhe shkencave të natyrës si statisticien, matematikan apo përfaqësues të dalluar nga shoqëria civile. Në Kodin Zgjedhor mund të parashikohej që propozimet mund të bëhen nga sektori akademik, Dhoma e Avokatisë, Dhoma e Noterëve, institute apo organizata që janë aktive në fushën e zgjedhjeve, organizata të shoqërisë civile dhe të medias që veprojnë në fushën e të drejtave të njeriut, etj. Për KQZ-në do të sugjeroja të kiheshin parasysh (me ndryshimet përkatëse) edhe dispozitat e neneve 12, 16, 17, 18, 19, 20, 21 të Kodit Zgjedhor në fuqi (Kreu I).
Edhe në zgjedhjen e KZAZ-ve dhe KQV-ve mund të merren në konsideratë ato që përmenda për KQZ-në, por në mënyrë të veçantë për kriteret e vjetërsisë në profesion, për këto organe duhet marrë parasysh që nuk janë organe qendrore të administrimit zgjedhor dhe funksionojnë vetëm gjatë periudhës zgjedhore.
Në përbërjen e KZAZ-ve dhe KQV-ve mund të jenë dhe arsimtarë apo avokatë që nuk kanë patur angazhime politike të paktën 5 vjeçarin e fundit, ushtrojnë profesionin por edhe ata që mund të kenë dalë në pension dhe që janë në gjendje fizike të punojnë. Gjithashtu, në radhët e këtyre organeve të administrimit zgjedhor mund të jenë edhe specialistë apo persona që gëzojnë besimin e njerëzve dhe që kanë reputacion të mirë. Për shkak të problematikave dhe vonesave që kanë shfaqur grupet e numërimit të votave si dhe kontenstimi i rezultatit në të kaluarën, detyra për të numëruar votat mund ti caktohej dhe KZAZ-ve. Në fund të fundit, për kontestimet, përfundimisht do të vendoset nga vetë KZAZ-ja.