“Të drejtat e njeriut” është një nocion i cili ndryshon vazhdimisht, por jo në thelb, sipas ndryshimeve që pësojnë shoqëritë me kalimin e kohës. Të drejtat e njeriut si koncept janë hasur që në fillimet e njerëzimit dhe kanë qënë pjesë e përmbajtjes se disa nga filozofive të para mbi të cilat ndërtoheshin shtetet. Të japësh një përkufizim për to, nuk është e lehtë. Duke qenë të lidhura ngushtë me interesat, të drejtat e njeriut janë bërë objekt i trajtimit nga këndvështrime të ndryshme. Përkufizimi më afër së vërtetes është ai që jepet nga Kombet e Bashkuara në vitin 1987. Sipas këtij përkufizimi, të drejtat e njeriut, në përgjithësi, mund të përcaktohen si ato të drejta që janë të qenësishme në natyrën tonë dhe pa të cilat ne nuk mund të jetojmë si qenie njerëzore. Respektimi i tyre është një ndër elementet kryesore që një shtet të funksionojë. Viktimat e shkeljes së të drejtave të njeriut kanë disa mundësi zgjedhjeje përsa i përket mekanizmave të ndryshëm me të cilat mund të përballen me shtetin për të kërkuar vendosjen e të drejtave të shkelura në vend dhe respektimin e tyre. Mekanizmat që ata mund të përdorin janë të ndryshme dhe janë parashikuar në legjislacionin vendas dhe ndërkombëtar.
Parashikimi i këtyre të drejtave në Konventa apo Marrëveshje ndërkombëtare bën të mundur kështu garantimin e tyre në nivel mbishtetëror. Një ndër mekanizmat më të rëndësishme ku parashikohen këto të drejta është “Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut”. Kjo konventë vepron në vendet e Europës, dhe më gjerë, të cilët e kanë ratifikuar atë duke e bërë pjesë të legjislacionit të tyre të brendshëm. Për të bërë më efektive parashikimet e të drejtave në këtë konventë, ajo krijon Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, të cilës mund ti drejtohet cilido individ që beson se të drejtat e tij sipas Konventës janë shkelur nga një shtet anëtar i kësaj Konvente. Kjo mundësi e ofruar nga Konventa për të vënë në vend të drejtën e tyre është përdorur mjaftueshëm nga individët të cilët kanë besuar tëk efikasiteti i saj për mbrojtjen e të drejtave që parashikon. Kjo konventë dhe zbatimi i saj është objekt i punës së Këshillit të Europës, organ i cili ka në përbërje të tij edhe shtete të tjera veç atyre të Bashkimit Europian. Megjithatë natyrshëm lind pyetja se çfarë qëndrimi mban Bashkimi Europian si organzëm në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut?
Bashkimi Europian bazohet dhe zhvillohet mbi një angazhim real për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Garantimi i të drejtave themelore është një nga parimet bazë të sistemit të Komunitetit Europian. Duke marrë shkas nga fillesat e tij, Bashkimi Europian u themelua për arsye ekonomike. Në traktatet e themelimit nuk ka asnjë parashikim përsa i përket të drejtave dhe lirive të njeriut. Gjithsesi, çdo traktat i ri që miratohej nga Bashkimi Europian i zgjeronte kompetencat e tij. Përveç parashikimeve në aspektin legjislativ europian, ajo që i vuri në dukje këto të drejta ishte Gjykata Europiane e Drejtësisë, gjykata më e lartë e BE-së e krijuar me Traktatin e Parisit në vitin 1952, e cila, në kuadër të punës së saj për sigurimin e zbatimit të së drejtës euuropiane nga të gjitha shtetet anëtare, me anë të disa vendimeve konsideroi ligjet kombëtare të vendeve të caktuara në kundërshtim me të drejtën komunitare për shkak të shkeljes së disa parimeve bazë që përbënin këto të drejta. Në një vendim të saj GjED citon se marrëveshjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut që shtetet anëtare kanë ratifikuar duhet të shërbejnë si plotësues brenda kornizës së të drejtës komunitare. Në këtë moment u theksua roli i rëndësishëm i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Edhe pse jo të parashikuara qartë në traktatet themeluese të BE-së, GjED ishte institucioni i parë që shqyrtoi të drejtat e njeriut, duke i hapur rrugë kështu edhe institucioneve të tjera, ndër to edhe Komisioni Europian (KE). KE ishte një ndër aktorët kryesorë i cili deklaroi se respektimi i një demokracie perfaqësuese dhe të drejtave të njeriut në shtetet anëtare është një element kryesor për anetarësim në Bashkimin Europian. Edhe në traktatin e Lisbonës theksohet rëndësia e një demokracie të mirëfilltë dhe respektimi i të drejtave të njeriut si kushte për anëtarësim në BE.
Vitet e fundit, në fokus të politikave të zgjerimit të Bashkimit Europian është rajoni i Ballkanit, konkretisht 5 shtete: Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Maqedoni, Mal i Zi dhe Serbi. Të gjitha këto shtete kanë miratuar marrëveshjet e Stabilizim-Asocimit përkatëse, si hap i parë i afrimit drejt BE-së. Gjithashtu vetë BE, për arsye të ndryshme e ka bërë më të vështirë procesin e anëtarësimit në të duke kërkuar kështu zbatimin më përpikmëri të kritereve të Kopenhagenit. Në hartimin e këtyre kritereve Bashkimi Europian, ka treguar vlerësimin e tij si organizëm për të drejtat e njeriut me vendosjen së bashku me disa kritere të tjera, duke e bërë edhe respektimin e tyre kriter të nevojshëm për anëtarësimin e shteteve kandidate. Të ashtuquajturat “kriteret e Kopenhagenit”, përcaktuar nga Këshilli Europian mbajtur në dhjetor të 1993 në Kopenhagen, kërkojnë që vendi kandidat të plotësojë:
- Kriterin politik që kërkon institucione të qëndrueshme që garantojnë demokracinë, shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut, respektimin dhe mbrojtjen e minoriteteve;
- Kriterin ekonomik që kërkon një ekonomi tregu funksionale, si dhe aftësinë për të përballuar presionin e konkurrencës dhe forcat e tregut që veprojnë brenda Bashkimit Europian;
- Kriterin “aquis” që kërkon aftësinë për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit, në mënyrë të veçantë objektivat politike, ekonomike dhe të bashkimit monetar.
Zbatimi i këtyre kritereve mbikëqyret nga Komisioni Europian i cili i ka dhënë një rëndësi domethënëse vlerësimit të të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së minoriteteve. Komisioni bën vlerësimin e tij bazuar në të drejta themelore të pranuara gjerësisht si dhe në marrëveshje të ndryshme ndërkombëtare që rregullojnë të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e minoriteteve. Komisioni vlerëson zbatimin e jo vetëm të drejtave themelore por edhe të drejtave ekonomike, sociale, politike dhe kulturore. Disa nga problemet e evidentuara kanë ngjashmëri për një grup shtetesh aplikante, ndërsa disa të tjera janë karakteristikë vetëm për disa vende të Ballkanit Perendimor. Komisioni kërkon nga shtetet një vemendje të veçantë për të adresuar problematikat e konstatuara për trafikimin e qënieve njerëzore, abuzimin e policisë me minoritetet, diskriminimin e personave me orientim të ndryshëm seksual, romëve, egjiptianëve, grave, shkeljet e të drejtave të personave të privuar nga liria në burgje etj.
Megjithatë, në krahasim me zgjerimin prej 10 vendesh në vitin 2004, vendet të cilat aspirojnë për të qënë pjesë e Bashkimit Europian janë tashmë të monitoruara në mënyrë më strikte dhe të detajuar dhe të njëjtat kritere të Kopenhagenit implementohen dhe mbikëqyren me më shumë përpikmëri duke rritur kështu nivelin e kërkesës për shtetet aplikante. Nga ndryshimi i trajtimit të aplikimeve të shteteve kandidate gjatë viteve lind natyrshëm pyetja: A po përdor Bashkimi Europian një standart të dyfishtë për shqyrtimin e përmbushjes së kritereve nga shtetet aplikante? Konkretisht, përsa i përket të drejtave të njeriut, a mund të pretendojnë shtetet kandidate një trajtim të ndryshëm nga shtetet që janë bërë anëtare në BE vitet e fundit, duke argumentuar se për ato nuk ka patur asnjë kontroll të nivelit të respektimit të ketyre të drejtave, para apo pas anëtarësimit?
Shtrëngimi i kritereve, sidomos atij politik, i cili parashikon edhe respektimin e të drejtave të njeriut mund të justifikohet me faktin se Bashkimi Europian “frikësohet” nga demokracitë e reja dhe të brishta se nuk janë mjaftueshëm demokratike, kështu kriteret e parashikuara do të mund t’i ngrinin ato në të njëjtin nivel demokratik me vendet e Europës Perëndrimore. Kriteri politik u konsiderua më i rëndësishmi sepse përmbushja e tij nënkuptonte fillimin e negociatave për anëtarësim. Bashkimi Europian nuk do të mund të niste negociatat me një shtet për të cilin kishte dyshime lidhur me demokracinë e tij apo lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut nga ana e tij. Gjithashtu, qëndrimi i BE-së për të qënë më strikte në përmbushjen e kritereve mund të ketë qënë edhe si rrjedhojë e problematikave të evidentuara pas pranimit të shteteve të fundit në vitin 2004 përsa i përket kriterit politik (veçanërisht të drejtave të njeriut). Për të shmangur përsëritjen e situatave të tilla në shtetet aplikante, Bashkimi Europian kërkon zbatimin e këtyre kritereve para anëtarësimit.
Për të theksuar akoma më shumë rëndësinë e të drejtave të njeriut në procesin e zgjerimit, Bashkimi Europian i parashikoi këto të drejta edhe në legjislacionin komunitar. Kështu, u miratua Karta e të Drejtave Themelore të BE-së në Traktatin e Lisbonës, duke e bërë Kartën pjesë të legjislacionin kryesor të komunitetit. Me hierarkinë e akteve normative, Karta në këtë mënyrë u barazua me traktatet, përsa i përket efekteve legjislative. Sipas Kartës, individët mund të përballen me shtetet e tyre, në gjykatat kombëtare për menyrën së si zbatojnë legjislacionin e BE.
Kështu, zhvillimi të drejtave të njeriut është rritur në mënyrë të konsiderueshme nga interpretimet e Gjykates Europiane të Drejtësisë e deri në dokumentet më të rendësishme që trajtojnë këto çeshtje.
Gjithashtu rëndësi të veçantë paraqet jurisprudenca e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut për sa i përket kushteve për zgjerim. Përveç kritereve te Kopenhagenit, edhe ratifikimi i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut shihet si kriter thelbesor për anëtarësimin në BE. Madje perpjekje janë bërë edhe nga Bashkimi Europian për të ratifikuar këtë konventë si organizëm mbishtetëror, detyrim i lindur nga një parashikim në Traktatin e Lisbonës. Ky detyrim u hodh poshtë nga GjED, me arsyetimin se BE nuk është një shtet i mirëfilltë dhe nuk mund të marrë kompetenca ratifikimi të konventave te tilla. KEDNJ është hartuar në të njëjtën frymë me legjislacionin europian çka e bën ratifikimin e saj nga shtetet kandidate, një hap para në procesin e anëtarësimit. Gjithashtu rastet që trajtohen nga GjEDNJ për shtetet kandidate në BE, kanë rëndësi në procesin e anëtarësimit sepse këtyre vendeve u është dashur të përshtasin legjislacionin e tyre për të qënë në perputhje me parashikimet e KEDNJ.
Rasti I Shqipërisë:
Zgjerimi i Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor përfshin edhe Shqipërinë si një nga vendet kandidate që aspiron për të qënë pjesë e familjes së BE-së. Në pritje të hapjes së negociatave, Shqipëria është subjekt i kontrollit që ushtron Komisioni Europian për përmbushjen e kritereve të Kopenhagenit, veçanërisht për të drejtat e njeriut. Komisioni nuk merr në shqyrtim të drejta të caktuara por analizon situatën e të drejtave të njeriut duke u nisur nga praktika gjyqësore e GjEDNJ. Në raportin e tij të fundit, Komisioni Europian është ndalur në mënyrë të veçantë në problematikat që cënojnë dhe prekin më së shumti këto të drejta në Shqipëri.
Në këtë raport, lidhur me të drejtën për një proces të rregullt ligjor, vihet re nga praktika gjyqësore se ajo shkelet si nga administrata publike ashtu edhe nga pushteti gjyqësor, prandaj Komisioni Europian kërkon veprimin e shtetit për të garantuar këtë të drejtë në mënyrë që të gjithë shtetasit e tij të kenë akses në një proces të rregullt ligjor. Gjithashtu, Komisioni Europian paraqet shqetësimin e tij përsa i përket llojeve të ndryshme të diskriminimit në Shqipëri duke vënë në dukje kategoritë që e vuajnë më shumë shkeljen e të drejtës për mosdiskriminim që janë komuniteti Rom, personat me aftësi të kufizuar si dhe komuniteti LGBTI). Një problematikë tjetër e evidentuar nga raporti i KE është edhe trajtimi i personave të ndaluar në komisariate, paraburgim dhe burgim. Në këtë drejtim Komisioni Europian kërkon nga shteti shqiptar një angazhim real që kësaj kategorie t’i sigurohen të gjitha të drejtat dhe të mos bëhen objekt i veprimeve arbitrare. Për më tepër, nga rastet e përsëritura në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut përsa i përket të drejtës së pronës, Komisioni ka dalë në rezultatin se kjo e drejtë është shkelur dhe vazhdon të shkelet gjerësisht nga Shqipëria, duke u shprehur në këtë mënyrë se përpjekjet e shtetit shqiptar për ta zbatuar këtë të drejtë kanë qënë jo të kënaqshme. Gjithashtu në raportin e tij, Komisioni Europian thekson se duhen bërë më shumë përpjekje për të garantuar pavarësinë dhe lirinë e mediave. KE nuk merret me burimin e këtij problemi por ia adreson atë shtetit, duke kërkuar një sipërmarrje reale për të siguruar efektivisht lirinë e shprehjes.
Si përfundim, në raportet për Shqipërinë përsa i përket të drejtave të njeriut, kërkohet që si shtet kanditat, të marrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e procesit të rregullt ligjor, sidomos në rastet e lidhura me të drejtat pronësore. Gjithashtu duhen garantuar kushte të përshtatshme për të ndaluarit, respektim i dukshëm i lirisë së shprehjes si dhe zhdukjen e çdo lloj forme diskriminimi.
Konkluzione:
Në përfundim të kësaj eseje dalim në disa konkluzione.
- Si fillim duhet vlerësuar që më në fund Bashkimi Eurpian ka një dokument për të drejtat e njeriut – Karta e të Drejtave Themelore, e cila ka impakt në kriterin e të drejtave të njeriut për anëtarësim. Të drejtat e njeriut si pjesë e kriterit politik janë të theksuara në ketë dokument.
- Së dyti, ekziston një bindje se Bashkimi Europian përdor një standart të dyfishtë për të analizuar përmbushjen e kritereve të Kopenhagenit dhe ndonjëherë parashikimet strikte në dokumenta kalojnë pa u vënë re, si në rastin e Kroacisë, e cila edhe pse kishte probleme të theksuara në trajtimin e të dënuarve dhe kushtet e burgjeve, arriti të bëhej pjesë e BE në 2013.
- Gjithashtu roli i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut shihet si esencial në procesin e anëtarësimit. Pavarësisht se kjo konvente nuk është e ratifikuar nga Bashkimi Europian, ajo është e ratifikuar dhe pjesë e legjislacionit të brendshëm të shteteve anëtare duke vënë kështu të njëjtin standart në BE. Megjithatë duhet theksuar se KEDNJ vë një standart minimal të këtyre të drejtave, duke bërë që Bashkimi Europian të “mjaftohet” që ky kriter të zbatohet edhe minimalisht nga shtetet por sigurisht që ua lë në diskrecion atyre zhvillimin dhe tejkalimin e këtyre të drejtave në legjislacionet përkatëse.
- Rrugëtimi i vendeve që aspirojnë të bëhen pjesë e familjes europiane me kalimin e kohës sa vjen e bëhet më i vështirë. Institucionet e BE-së mbikëqyrin dhe vlerësojnë progresin e këtyre vendeve në mënyrë strikte dhe rigoroze duke i kushtuar rëndësi të veçantë kriterit politik me fokus demokracinë, shtetin e së drejtës dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.
- Bashkimi Europian është një ndër akorët kryesor të promovimit të të drejtave të njeriut në rajon dhe më gjerë prandaj shtetet kandidate duhet ti përmbushin kriteret për zbatimin e ketyre të drejtave në mënyrë që brenda BE-së të mos këte nivele të ndryshme të trajtimit të të drejtave të njeriut por të ekzistojë një praktikë e unifikuar në të gjithë Unionin.
Punoi: Rovena Vuksani