Të njohim Kodin e Procedurës Penale
Të drejtat e të miturit në procesin penal dhe pyetjes së tij si dëshmitar


-Çfarë ndihme i jepet të pandehurit që është i mitur?

Të pandehurit të mitur i sugurohet ndihmë ligjore dhe psikologjike në prani të prindërve, kujdestarit ligjor ose personave të tjerë të kërkuar nga i mituri dhe të pranuar nga autoriteti që procedon.

-A mund të arrestohet personi që është i mitur kur dyshohet se ai ka kryer kundravajtje penale?

I mituri nuk mund të arrestohet kur ai akuzohet se ka kryer kundravajtje penale. Veprat që sipas Kodit Penal cilësohen si kundravajtje penale parashikojnë dënime më të buta (më të vogla).

-Si mund të veprojë prokurori kur i arrestuari ose i ndaluari është i mitur?

Kodi i Procedurës Penale i jep të drejtë prokurorit të urdhërojë që ai të mbahet në banesën e tij ose në një vend tjetër të ruajtur. Kur i mituri arrestohet ose ndalohet, detyrimisht duhet njoftuar prindi ose kujdestari i tij.

-Si duhet të veprojë policia gjyqësore kur është e nevojshme të pyetet i mituri që mund të ketë dijeni për një ngjarje ose për kryerjen e një vepre penale?

Policia gjyqësore, në një rast të tillë duhet të sigurojë praninë e prindërit, kujdestarit ose të një personi që mund të zgjidhet nga vetë i mituri si dhe prania e psikologut.

-Në rastet kur gjykohet një i mitur, seanca gjyqësore duhet të jetë publike apo e mbyllur?

Sipas Kodit të Procedurës Penale shqyrtimi gjyqësor duhet të zhvillohet gjithmonë me dyer të mbyllura kur gjykohen të mitur ose të rritur që akuzohen për vepra penale kundër të miturve.

-Kur dëshmitari është nën moshën 14 vjeç në ç’mënyrë merret dëshmia e tij?

Pyetja e tij bëhet në prani të gjyqtarit dhe të palëve në ambientet ku ndodhet i mituri. Pyetja bëhet nëpërmjet një psikologu, edukatori ose ndonjë ekspert tjetër, prindit ose kujdestarit, ndërsa kur ai është i moshës 14 deri në 18 vjeç, pyetja kryhet trupi nga gjykues dhe tregohet kujdes për të shmangur pasojat e dëmtimet mbi shëndetin mendor të tij, sidomos kur ai është viktimë e veprës penale.

Vendimet që mund të rishikohen

-A mund të rishikohen vendimet që kanë marrë formë të prerë?

Po ato mund të rishikohen në çdo kohë edhe në ato raste kur dënimi është ekzekutuar ose shuar.
-Sipas Kodit të Procedurës Penale nuk lejohet rishikimi i vendimit të pafajësisë dhe as rishikimi i vendimit të dënimit kur synohet rëndimi i pozitës së të dënuarit.

-Cilat janë rastet kur mund të rishikohen vendimet e gjykatës që kanë marrë formë të prerë?

Ato mund të rishikohen:

  1. Kur faktet e dhëna në themel të vendimit nuk pajtohen me ato të një vendimi tjetër të formës së prerë

  2. Kur vendimi është bazuar me një vendim të gjykatës civile ose administrative i cili më pas është revokuar;

  3. Kur pas vendimit kanë dalë ose janë zbuluar prova të reja të cilat vetëm ose së bashku me ato që janë vlerësuar njëherë, tregojnë se vendimi është i gabuar;

  4. Kur vërtetohet se vendimi është dhënë si pasojë e falsifikimit të akteve të gjykimit ose të një fakti tjetër të parashikuar nga ligji si vepër penale etj.

Kush mund të kërkojë rishikimin e vendimit?

Rishikimin e vendimit mund ta kërkojë:

  1. I dënuari, mbrojtësi i autorizuar posaçërisht prej tij, kujdestari i tij dhe kur ai ka vdekur trashëgimtari ose një i afërm i tij;

  2. Prokurori pranë gjykatës që ka dhënë vendimin

-Cila gjykatë shqyrton kërkesën për rishikimin e vendimit?

Kërkesën për rishikimin e vendimit e shqyrton gjykata e shkallës së parë që ka dhënë vendimin në dhomën e këshillimit, pa praninë e palëve.

Gjykata e caktuar për rishikimin e çështjes cakton datën e seancës gjyqësore dhe urdhrin e thirrjes së palëve. Vendimi i dhënë në gjykimin e rishikimit mund të ankimohet.
Mospranimi i kërkesës ose vendimi që e rrëzon atë, nuk cënon të drejtën e paraqitjes së një kërkese të bazuar në prova të reja.

Kur kërkesa pranohet, gjykata vendos dërgimin e çështjes për gjykim nga një tjetër trup gjykues i së njëjtës gjykatë ose në gjykatën e Apelit kur kërkesa është bërë vetëm kundër vendimit të saj. Kundër vendimit nuk lejohet ankim.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Postime

eventet

Event Calendar WD requires PHP Calendar module to display events. Contact your hosting provider or enable it manually.
TOP Komiteti Shqiptar i Helsinkit