Të respektohen të drejtat e shtetasve dhe etika gazetareske


Prej disa ditësh në rrjetet sociale dhe në media të ndryshme janë botuar disa fotografi me subjekt nga jeta intime seksuale e shtetasve privatë. Pa u ndalur në aspektin e cenimit të jetës private, e cila është çështje personale e të dëmtuarve, vlerësojmë se është me vend të reagojmë mbi pasojat që, botimi i pamjeve të tilla, u shkaktojnë shtetasve, në përgjithësi dhe veçanërisht atyre të mitur, si dhe opinionit e moralit shoqëror në tërësi.

Ky fenomen bie ndesh jo vetëm moralin shoqëror, të gjithë pranuar në vend, por dhe me legjislacionin në fuqi, i cili parashikon kufizime të qarta lidhur me publikimin e pamjeve të tilla, nga media të përdorimit masiv dhe që ofrojnë informim e tyre ne orare lehtësisht të aksesushme nga të miturit. Ky kufizim bëhet me qëllim mbrojtjen e të miturve nga informacione e ngacmime që janë të papërshtatshme për ta dhe që cenojnë procesin e tyre të edukimit.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) u bën thirrje autoriteteve përkatëse, të ngarkuara për të mbikëqyrur zbatimin e legjislacionit nga subjektet mediatike, të marrë sa më parë në shqyrtim këto raste dhe të informojë publikun mbi masat e marra.

Botimi i këtyre pamjeve erotike, nga mediat e përdorimit të zakonshëm, mendojmë se tejkalon ushtrimin e funksionit informues të mediave dhe bëhet vetëm për qëllime komerciale, duke anashkaluar, midis të tjerave dhe etikën gazetareske.

KShH dëshiron të theksojë se liria e shtypit është një e drejtë themelore e sanksionuar nga Kushtetuta (neni 22/2) dhe nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut( neni 10) dhe se ajo luan një rol të rëndësishëm për informimin e publikut të gjerë. Ndonëse censura mbi mediat nuk lejohet, liria e shtypit dhe e mediave, në përgjithësi, nuk është e pakufizueshme.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, por dhe gjykatat e sistemit tonë të brendshëm, kanë shqyrtuar dhe pranuar ankesa të shumta, ku mediat janë gjetur fajtore për botimin e lajmeve dhe pamjeve që cenojnë privatësinë, moralin shoqëror, sistemin e edukimit të fëmijëve, sidomos kur publikimet kanë qenë të lidhura me aspekte të natyrës seksuale.

Duke pranuar dhe respektuar të drejtën e shtypit të investigojë, dokumentojë, kritikojë dhe publikojë gjithçka që është me interes publik, atyre nuk mund t’u tolerohet anashkalimi i respektimit të detyrimeve ligjore dhe i etikës profesionale. Mediat kanë për detyrë të ruajnë dhe respektojnë balancën e nevojshme midis të drejtës për të informuar dhe respektimit të lirive dhe të drejtave të tjera, që shtetasit gëzojnë .

KShH është e mendimit se situata të tilla duhet të jenë, gjithashtu, dhe në vëmendjen e organizmave profesionale, edukuese dhe formuese të gazetarëve, me qëllim që ata vetë të kontribuojnë për parandalimin e rasteve të tilla.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TOP Komiteti Shqiptar i Helsinkit