Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), ka reaguar disa herë publikisht kur funksionarë të lartë publikë dhe shtetërorë, deputetë dhe politikanë, gazetarë apo individë të veçantë në deklarata, apo konferenca për shtyp, kanë cënuar parimin e prezumimit të pafajësisë.
KShH, lidhur me këtë çështje, i është referuar pikës 2 të nenit 6 të KEDNJ, praktikës së Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut si edhe nenit 30 të Kushtetutës tonë ku thuhet: “Kushdo quhet i pafajshëm përderisa nuk i është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë.”
Kjo nuk do të thotë se veprimet apo vendimet e prokurorëve apo gjyqtarëve nuk janë të kritikueshme aq më tëpër kur këto i shërbejnë opinionit publik. Në Vendimin Nr.18 datë 14.05.2003 të Gjykatës tonë Kushtetuese, midis të tjerave thuhet se: “Pavarësia e gjyqtarëve nuk vendos embargo ndaj vlerësimeve kritike që mund të vijnë nga qytetarët apo deputetët”. Megjithatë Gjykata Kushtetuese ka çmuar të nevojshme të theksojë rëndësinë e veçantë që ka respektimi i parimit të prezumimit të pafajësisë, sepse ky parim “cënohet jo vetëm nga gjyqtarë apo gjykata por edhe nga autoritetet politike”.
Në këtë vështrim, tërheq vemendje fakti se në fjalën që Kryeministri mbajti në seancën parlamentare të datës 9 Tetor 2019, ka përmendur shprehje që mendojmë se cënojnë parimin e mësipërm. Kryeministri i ka akuzuar në grup si të stërkorruptuar gjyqtarët dhe prokurorët që ende nuk i jane nënshtruar testimit të rivlerësimit nga Komisioni perkates, madje i ka etiketuar ata që meqë e dinë se Vettingun nuk e kalojnë, kanë nxjerrë togfjalëshin K.Ç.K (kap ça të kapësh). Kjo deklaratë është e papranueshme edhe për faktin se vjen pasi Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka reaguar publikisht duke bërë të ditur se është institucioni i vetëm shtetëror i ngarkuar nga Kushtetuta me detyrën për të garantuar pavarësinë, llogaridhënien dhe statusin e prokurorëve të Republikës së Shqipërisë.
Prokuroria është organ i pavarur (Neni 142 i Kushtetutës). Gjyqtarët janë të pavarur dhe u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe Ligjeve (Neni 145 i Kushtetutës). Veprimet apo vendimet e tyre të kundërligjshme janë të atakueshme. KShH, mendon se nuk do të ishtë e drejtë të paragjykoheshin gjyqtarët dhe prokurorët që edhe pse nuk janë testuar efektivisht ata janë duke punuar në këto funksione. KShH mendon se i vetmi qëndrim i drejtë është zbatimi rigoroz i Kushtetutës dhe i ligjeve. Ky është detyrimi i të gjithëve.
Lufta kunder korrupsionit dhe krimit te organizuar siç dihet, do të jetë e gjatë dhe e ndërlikuar. KSHH ka besim se në këtë drejtim rezultatet pozitive të zbatimit të Reformës në Drejtësi do të ndihen brenda një kohe relativisht të shkurtër. Ekzekutivi dhe politika duhet të distancohen nga çdo qëndrim publik që minon besueshmërinë e qytetarëve në pavarësinë e institucioneve të reja të drejtësisë si dhe rezultateve të deritanishme që kjo reformë ka arritur. Krijimi i organeve të reja të Sistemit të Drejtësisë duhet të shoqërohet me rritjen e besimit të publikut, se politika nuk mund të ndërhyjë në sistemin gjyqësor si dhe të përmbysë konceptin dhe praktikën e pandëshkueshmërisë të zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të lartë.
KShH, mendon se nëse ka të dhëna të mbështëtura në fakte dhe prova për veprime kriminale (të personave apo të grup personave) ato duhen denocuar në organet e procedimit penal, madje ka raste kur ligjërisht kallëzimi është i detyrueshëm. KShH, e shikon të nevojshme të theksojë atë që thuhet dhe që kërkon ligji: Fajësia është individuale. Ajo duhet vërtetuar me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Në përfundim, KShH i bën thirrje çdo qytetari që përballet me veprime të padrejta nga gjyqtarë apo prokurorë që nuk i janë nënshtruar procesit të vettingut, që ti denoncojë të gjitha faktet dhe provat pranë organeve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, përkatësisht pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Komisionerëve Publikë dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.