Të respektohet Rregullorja e Paraburgimit


Komiteti Shqiptar i Helsinkit në datë 17-18 Prill 2007 ka kryer një vëzhgim në dhomat e paraburgimit të Qarkut të Korçës. Qëllimi i këtij vëzhgimi ishte konstatimi i gjendjes në vend, verifikimi i disa të dhënave për kushte jo të mira në ambientet e paraburgimit si edhe për mosrespektimin e Rregullores përkatëse që zbatohet në vendet ku mbahen të
paraburgosurit.

përmirësime në trajtimin e të paraburgosurve pas kalimit të dhomave të paraburgimit në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.Të paraburgosurve u lejohet që në dhoma të mbajnë televizor, radio, gazeta, libra, domino dhe sende të tjera për të kaluar kohën. Veç kësaj janë shtuar takimet me familjarët dhe telefonatat sipas të drejtave të përcaktuara në rregullore.

Megjithkëtë, në këtë paraburgim, kushtet janë të vështira dhe jashtë standarteve që parashikon Rregullorja e paraburgimit. Megjithëse, kapaciteti i dhomave është llogaritur për 45-60 persona, aktualisht ka 81 të paraburgosur. Mbipopullimi vështirëson kushtet e jetesës së tyre dhe është shkelje e rëndë e nenit 14 të Rregullores ku thuhet se “dhomat duhet të sigurojnë një hapësirë jo më pak se 9 m3 kubaturë për çdo të paraburgosur”.

Vëzhguesit e këtij Komiteti konstatuan gjithashtu se në dhomat e paraburgimit kishte shumë lagështirë, ajrimi dhe ndriçimi ishte i pamjaftueshëm.

Në dhomat e vëzhguara nuk kishte krevate, ndërsa dyshekët ishin vendosur në dysheme

Në ambientet e vëzhguara binte në sy papastërtia që shoqërohej me një erë të rëndë mbytëse. Nga kjo del se administrata e këtij institucioni nuk zbaton kërkesat e nenit 16 të Rregullores ku thuhet se “kontrolli higjeno-sanitar i dhomave dhe i ambienteve të përbashkëta bëhet çdo ditë nga mjeku, ndihmësmjeku dhe specialisti i rregjimit të brendshëm”. Grupi i vëzhguesve nuk gjeti asnjë dokument për të metat e konstatuara nga personat e mësipërm.

Vëzhguesit konstatuan gjithashtu se në paraburgimin e Korçës shërbimi mjekësor paraqitet mjaft i dobët. Vizitat nga mjeku bëhen vetëm në raste sëmundjesh ose ankesash. Të paraburgosurit nuk vizitoheshin para hyrjes në dhomat e paraburgimit; nuk praktikoheshin as vizitat periodike, megjithëse neni 22 i Rregullores kërkon funksionimin e shërbimit mjekësor gjatë 24 orëve, se vizitat mjekësore bëhen nga mjeku i institucionit, stomatologu ose ndihmësmjeku i turnit në ambientet e posaçme.

KShH konstatoi se në këtë paraburgim nuk ka punonjës social dhe programe edukimi.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit i bën thirrje Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve që të ushtrojë kontrolle përkatëse në të gjitha vendet e paraburgimit dhe në atë të Korçës me qëllim zbatimin e Rregullores së paraburgimit.

KShH sugjeron të shpejtohet përfundimi i punimeve për ndërtimin e burgut të Maliqit i cili do të ndikojë pozitivisht edhe në përmirësimin e kushteve të trajtimit të personave të paraburgosur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TOP Komiteti Shqiptar i Helsinkit