T’i jepet fund gjuhës dhe thirrjeve të urrejtjes ndaj Shqiptarëve në Maqedoni


Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) si një organizatë e pavarur jo-qeveritare shpreh shqetësimin e saj për ngjarjet e fundit në Maqedoni. Presidenti i Maqedonisë refuzoi të japë mandatin për formimin e qeverisë se re kreut të opozitës. Këtë ai u mundua të justifikojë me thirrje të urrejtjes nacionaliste ndaj partive shqiptare të Maqedonisë, duke iu referuar kështu deklaratës së partive shqiptare në Maqedoni. KShH e sheh të nevojshme të theksojë se, çdo deklaratë e përfaqësuesve të institucioneve maqedonase me retorika antishqiptare cënon harmoninë dhe bashkëjetesën ndëretnike.

Shqiptarët e Maqedonisë jane element shtetformues. Ata kanë synuar dhe synojnë për stabilitetin e Maqedonisë dhe integrimin e saj në strukturat euro-atlantike. Shteti i Maqedonisë është i detyruar të respektojë parimet universale, të zbatojë Marrëveshjen e Ohrit, të trajtojë shqiptarët në mënyrë të barabartë.

Nxitja e tensioneve etnike nuk i shërben stabilitetit as në Maqedoni dhe as në Ballkan. Krizat e brendshme duhet të zgjidhen në frymën e Kushtetutës maqedonase, të dokumenteve ndërkombëtare të pranuara dhe të ratifikuara nga Maqedonia si dhe të mirëkuptimit dhe dialogut konstruktiv.

Ne mbështesim gjithashtu qëndrimin e aktorëve ndërkombëtarë, të Kuvendit, Qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Qëndrimi i institucioneve shqiptare vjen si një detyrim i parashikuar në preambulën e Kushtetutës tonë si dhe në nenin 8, pika 1 të saj ku parashikohet se Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj.

Të drejtat e shqiptarëve duhen respektuar. Marrëveshja e Ohrit duhet zbatuar. Maqedonia gjithashtu është shtet palë në Konventën Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare të Këshillit të Evropës, e cila parashikon në nenin 1 të saj se “mbrojtja e pakicave kombëtare dhe e të drejtave e lirive të personave që iu përkasin këtyre pakicave formojnë një pjesë përbërëse të mbrojtjes ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, dhe si të tilla përfshihen në kuadrin e bashkëpunimit ndërkombëtar”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TOP Komiteti Shqiptar i Helsinkit