Në datat 16 dhe 17 Shkurt 2017, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) vijoi në Qytetin e Elbasanit, nismën e ndërgjegjësimit dhe aktivizimit për Reformën në Drejtësi. Në këto data u realizuan dy forume diskutimi dhe emision në televizionet lokale “Best TV” dhe “Egnatia Tv”, të cilat kishin për qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve, pedagogëve dhe studentëve, profesionistëve të fushës së drejtësisë dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile lidhur me nevojat dhe përfitimet që do të kenë qytetarët nga kjo reformë, dhe risitë e reformës në drejtësi, nxitjen e aktivizimit, si dhe marrjen e perceptimeve/nevojave të tyre për projektligje të rëndësishme që janë në fokus të kësaj reforme.
Në këto aktivitete dhanë kontributin e tyre Znj. Erida Skëndaj, Drejtore Ekzekutive e KShH dhe Znj. Vjollca Mecaj, Eksperte. Rreth 50 studentë dhe pedagogë të Universitetit “Aleksander Xhuvani” dhe rreth 20 përfaqësues të profesionistëve të fushës dhe shoqërisë civile të qytetit të Elbasanit, kontribuan në mënyrë aktive në diskutimet e nxitura nga ekspertët, sa i takon problematikave me të cilat përballet sistemi i drejtësisë. Aktivitetet u lehtësuan nga korrespondenti i KSHH-së për Elbasanin, z. Ymer Leksi.
Aktivitetet e sipërpërmendura u pasqyruan mendiatikisht në “TV Best” dhe “Egnatia Tv”, në Elbasan, ku përfaqësuesit e KShH-së i bënë thirrje të gjithë aktorëve të sistemit të drejtësisë, të rrisin aktivizimin dhe pjesëmarrjen e tyre në konsultimin e paketës ligjore të drejtësisë që do t’i nënshtrohet në vazhdimësi procesit reformues.
Ky aktivitet realizohet në kuadër të projektit “Promovimi i aktivizimit dhe pjesëmarrjes së publikut dhe shoqërisë civile në Reformën e Sistemit të Drejtësisë”, mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Tiranë, në kuadër të programit MATRA (për Shtetin e së Drejtës)