Vijon nisma e ndërgjegjësimit dhe aktivizimit për Reformën në Drejtësi në Qytetin e Gjirokastrës


Më datë 21 Nëntor 2016, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) vijoi në Qytetin e Gjirokastrës, nismën e ndërgjegjësimit dhe aktivizimit për Reformën në Drejtësi. Në këtë datë u realizuan dy forume diskutimi, të cilat kishin për qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve, pedagogëve dhe studentëve, profesionistëve të fushës së drejtësisë dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile lidhur me nevojën dhe risitë e reformës në drejtësi si dhe nxitjen e aktivizimit dhe kontributit të tyre për projektligje të rëndësishme që janë  në fokus të kësaj reforme.

Rreth 70 studentë dhe pedagogë të Universitetit “Eqerem Çabej” dhe 20 përfaqësues të sistemit të drejtësisë dhe shoqërisë civile në qytetin e Gjirokastrës kontribuan në mënyrë aktive në diskutimet e nxitura nga ekspertët dhe panelistët sa i takon problematikave me të cilat përballet sistemi i drejtësisë, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në rëndësinë e ndryshimeve kushtetuese, zbatueshmëria e legjislacionit në fuqi, nevojën për miratimin e reformës në drejtësi dhe besimi i qytetarëve tëk kjo reformë, domosdoshmëria e diskutimit të reformës në disa sektorë me disa grupe interesi, ndikimi politik dhe i pushtetit ekzekutiv në sistemin gjyqësor, pavarësia e pushteteve, nevoja për trajtim të veçantë për gjyqtarët dhe prokurorët, mjetet e përmirësimit të sistemit të avokatisë, tarifat gjyqësore,etj.

Ndër të tjera, profesionistët e fushës dhanë kontributin e tyre me komente dhe sugjerime për ndryshimin e legjislacionit penal lidhur me disa nene që prekin të drejtën për t’u mbrojtur me avokat, të drejtën për një proces të rregullt ligjor përfshirë marrjen e provave dhe disa të drejta të tjera, me qëllim përshtatjen e legjislacionit aktual me nevojat sociale aktuale të shoqërisë tonë, të bazuar në modelet evropian më të suksesshme. Kontributi i tyre u vlerësua si tepër i rëndësishëm në cilësinë e profesionistë të së drejtës që zbatojnë në praktikë ligjin. Në këto aktivitete ishin prezent dhe përfaqësues të mediave lokale, të tillë si Radio Televizioni Gjirokastër, të cilët bashkëpunuan me KShH me qëllim përcjelljen e mesazhit për domosdoshmërinë e ndërgjegjësimin të publikut për të qenë pjesë aktive në debatet konsultative për reformën në drejtësi.

Rekomandimet dhe sugjerimet e adresuara në këto forume do t’i përcillen Komisionit të Posaçëm Parlemantar për Reformën në Drejtësi, gjatë procesit të diskutimit dhe konsultimit publik që do të zhvillohet nga ky Komision për projekt-ligje të veçanta që prekin tematikat dhe çështjet e diskutuara në këto forume.

Në këto aktivitete dhanë kontributin e tyre Znj. Erida Skëndaj, Drejtore Ekzekutive e KShH, Z. Niazi Jaho, Këshilltar Ligjor pranë KShH, dhe Z. Enio Haxhimihali, Drejtor Kabineti pranë Avokatit të Popullit.

Këto veprimtari u realizuan në kuadër të projektit “Promovimi i aktivizimit dhe pjesëmarrjes së publikut dhe shoqërisë civile në Reformën e Sistemit të Drejtësisë”, mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Tiranë, në kuadër të programit MATRA (për Shtetin e së Drejtës).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TOP Komiteti Shqiptar i Helsinkit