Vijon nisma e ndërgjegjësimit dhe aktivizimit për Reformën në Drejtësi në Qytetin e Korçës


Në datat 10 dhe 11 Nëntor 2016, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) vijoi në Qytetin e Korçës, nismën e ndërgjegjësimit dhe aktivizimit për Reformën në Drejtësi. Në këto data u realizuan dy forume diskutimi dhe një emision në televizionin lokal “Korça TV”, të cilat kishin për qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve, pedagogëve dhe studentëve, profesionistëve të fushës së drejtësisë dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile lidhur me nevojën dhe risitë e reformës në drejtësi si dhe nxitjen e aktivizimit dhe kontributit të tyre për projektligje të rëndësishme që janë në fokus të kësaj reforme.

Rreth 50 studentë dhe pedagogë të Universitetit “Fan Noli” dhe 30 përfaqësues të sistemit të drejtësisë dhe shoqërisë civile në qytetin e Korçës kontribuan në mënyrë aktive në diskutimet e nxitura nga ekspertët dhe panelistët sa i takon problematikave me të cilat përballet sistemi i drejtësisë, duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek aksesi në drejtësi, nevoja për përmirësimin e cilësisë së ndihmës juridike falas dhe përfitimin e kësaj ndihme nga shtetasit në nevojë, ofrimin e pagesave dinjitoze ndaj avokatëve që ofrojnë ndihmë juridike falas, integriteti dhe roli i gjyqtarit në sistemin tonë ligjor, efektet që do ketë procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetting) si dhe nevoja për realizimin e këtij procesi me profesionalizëm dhe paanshmëri, roli dhe rëndësia e operacionit ndërkombëtar që do të monitorojë vetting, si garanci për shmangien e ndikimeve të jashtme etj. Me anë të emisionit në TV Korça, përfaqësuesit e KShH-së i bënë thirrje të gjithë aktorëve të sistemit të drejtësisë, të rrisin aktivizimin dhe pjesëmarrjen e tyre në konsultimin e paketës ligjore të drejtësisë që do t’i nënshtrohet në vazhdimësi procesit reformues. Kontributi i tyre u vlerësua tepër i rëndësishëm në cilësinë e profesionistë të së drejtës që zbatojnë në praktikë ligjin.

Rekomandimet dhe sugjerimet e adresuara në këto forume do t’i përcillen Komisionit të Posaçëm Parlemantar për Reformën në Drejtësi, gjatë procesit të diskutimit dhe konsultimit publik që do të zhvillohet nga ky Komision për projekt-ligje të veçanta që prekin tematikat dhe çështjet e diskutuara në këto forume.

Në këto aktivitete dhanë kontributin e tyre Z. Igli Totozani, Avokat i Popullit, Z. Ali Jashari, Rektor i Universitetit “Fan S. Noli” të Korçës, Znj. Erida Skëndaj, Drejtore Ekzekutive e KShH, Z. Niazi Jaho, Këshilltar Ligjor pranë KShH, Z. Enio Haxhimihali, Drejtor Kabineti pranë Avokatit të Popullit.

Këto veprimtari u realizuan në kuadër të projektit “Promovimi i aktivizimit dhe pjesëmarrjes së publikut dhe shoqërisë civile në Reformën e Sistemit të Drejtësisë”, mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Tiranë, në kuadër të programit MATRA (për Shtetin e së Drejtës).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eventet

< 2017 >
May
MoTuWeThFrSaSu
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
293031    
TOP