NDOTJA NË SPITALLË TË DURRËSIT KËRKON PËRGJEGJSHMËRI DHE ZBATIM TË LIGJIT NGA AUTORITETET SHTETËRORE
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) duke marrë shkas nga ankesat e banorëve të zonës së Spitallës (Bashkia Durrës) se si pasojë e hedhjes në kanalin kullues të kësaj zone të produkteve të peshkut, ndotja e ambientit ku ata banonin ishte tej çdo limiti, era e keqe (sidomos në stinën e verës) ishte bërë e padurueshme gjë që ndikonte në keqësimin e shëndetit të tyre, më datë 5 Dhjetor 2018, ndërmori një monitorim për të konstatuar gjendjen në vend.
Grupi i monitorimit pasi dëgjoi ankesat e banorëve, mori takim me administratorin e Fabrikës “Konservim Adriatik”, Z. Artur Mata për sqarimin e ankesave të mësipërme të banorëve. Ai u tregua jo vetëm i rezervuar, por shfaqi sjellje jo etike. I vetmi sqarim i tij ishte se në këtë çështje ishte angazhuar prokuroria, se fabrika që ai drejtonte kishte respektuar rregullat dhe (siç u shpreh ai) “monitoruesit e KShH-së po i pengonin atij planin ditor”.
Lidhur me këtë çështje grupi i monitorimit të KShH-së mori takim me drejtuesin e Qendrës Shëndetësore Nr. 15, Spitallë, Dr. Artan Mufi, i cili sqaroi se në zonën tek ‘Varrezat e reja’ janë shfaqur probleme shëndetësore që lidhen me ndotjen e ujit dhe ambientit në tërësi “si pasojë e mbetjeve të peshkut”. Ai pretendoi se nuk ishte informuar lidhur me ankesat e banorëve. Pediatria Dr. Meleqe Bardhoshi u shpreh se gjatë vitit 2018 dhe sidomos 3 muajt e fundit, banorët pranë kanalit kullues (tek zona e ‘Varrezave të reja’) gjatë vizitave mjekësore kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me sistemin respirator, aparatin tretës, probleme gastro-intestinale me simptoma diarre, vjellje, infeksione, etj. Dr. Bardhoshi sqaroi gjithashtu se ekziston mundësia që simptoma të tilla të jenë pasojë e ndotjes së ajrit dhe të ambientit përreth.
Drejtuesia e Drejtorisë Rajonale Mjedisore Durrës u tha monitoruesve se për këtë çështje ishte vënë në lëvizje nëpërmjet një shkrese të Avokatit të Popullit. Nga takimi me Inspektoren e Mjedisit Znj. Kondo rezultoi se Inspektoriati Shtetëror (ISHMPUT) ishte në dijeni të këtij problem dhe ndaj administratorit të subjektit “Konservimi Adriatik” sh.p.k. për mos respektim të parametrave mjedisorë ishin marrë jo vetëm masa administrative (gjobë), por edhe pezullim i aktivitetit.
Në informacionin që KShH-së i është dërguar nga Kryetari i Bashkisë Durrës, veç të tjerave konfirmohet se: a) gjatë kontrolleve subjekti “Konservim Adriatik” sh.p.k. nuk dispononte kontrata me subjekte të liçensuara për largimin dhe trajtimin e ujërave teknologjike që gjenerohen gjatë procesit të punës; b) Bashkia i është drejtuar Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve, Dega e Inspektimit Mjedisor Durrës, ndërsa kjo e fundit ka informuar Bashkinë se ishin marrë disa masa deri në pezullimin e aktivitetit të subjektit të mësipërm, por në kontrollin e ushtruar prej saj (Bashkisë)më datë 31.05.2018, subjekti “Konservim Adriatik” sh.p.k. vazhdonte aktivitetin; c) Për këtë (siç thuhet në informacionin e Kryetarit të Bashkisë) është vënë në dijeni Prefekti i Durrësit, Avokati i Popullit dhe Kryeministria. Qoftë edhe vetëm ky informacion i Kryetarit të Bashkisë Durrës evidenton faktin se ankesat e banorëve janë të drejta.
KShH u njoh edhe me vendimin e Prokurorisë së Durrësit “Për mosfillimin e çështjes penale” datë 21.11.2018 që është vënë në lëvizje nga kallëzuesi K.N. Pavarësisht se për bazueshmërinë ose jo ligjore të këtij vendimi mund të shprehet vetëm gjykata (në bazë të ankimit të kallëzuesit) është e drejtë e KShH-së të shprehë opinionin e vet se lidhur me çështjen e përmendur më lart (siç rezulton nga ky vendim) është pyetur vetëm administratori i Fabrikës që është direkt i interesuar dhe në konflikt interesi, ndërsa për materialet që disponon Bashkia Durrës nuk thuhet asgjë konkrete. Nga studimi i vendimit të Prokurorisë rezulton që është vendosur mosfillimi i çështjes penale pasi mbetjet që derdhen nga subjekti “Konservim Adriatiku” nuk janë lëndë toksike, radioactive apo substance të tjera që prishin ekuilibrin ekologjik. Në arritjen e këtij vlerësimi, Prokuroria nuk rezulton të jetë mbështetur në ndonjë akt-ekspertimi të ekspertit në fushën e mjedisit, pasi një ekspertim i tillë nuk është urdhëruar nga Prokuroria e Durrësit. Gjithashtu, nuk rezulton të jetë hetuar lidhur me dëmin që mund të kenë pësuar në jetën dhe shëndetin e tyre, banorët që jetojnë në zonën përreth. Ndërkohë që neni 203 i Kodit Penal parashikon se “Ndotja e ujërave të deteve, lumenjve, liqeneve apo burimeve të rrjetit grumbullues e shpërndarës të ujërave me lëndë toksike, radioaktive apo substanca të tjera, që prishin ekuilibrin ekologjik, dënohet me burgim nga një gjer në pesë vjet. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet”.
Sa më sipër, KShH vëren me shqetësim se për ankesat e banorëve të zonës së Spitallës nuk është bërë asgjë. Nuk është marrë asnjë masë për të parandaluar pasojat e dëmshme që shkakton në shëndetin e qytetarëve ndotja e ambientit. KShH mendon se në rastin konkret mospërfillja dhe sorallatja e papërgjegjshme e ankesave të qytetareve është e patolerueshme. Janë pikërisht arsyet e përmendura më lart që KShH i sugjeron Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit si dhe Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që të vlerësojnë me përparësi këtë problem dhe të urdhërojë zbatimin rigoroz të ligjit. Në këtë veshtrim është detyrë e organeve përkatëse shtetërore që të nderhyjnë dhe të marrin masat e nevojshme edhe kur të drejtat e shtetasve cënohen nga kompani apo shoqata private.
KShH i sugjeron gjithashtu Kryetarit të Bashkisë Durrës që lidhur me këtë problem ose dhe me çeshtje të tjera që cënojne të drejtat e shtetasve, Bashkia të mos kufizohet vetem me shkëmbim shkresash apo informacionesh por të reagoje në mënyrë aktive. organet e qeverisjes vendore, siç dihet, janë pergjegjese për probleme që kerkojnë zgjidhje brenda juridiksionit të tyre.
Gjykata e Strasburgut, çështjeve që kanë të bëjnë me ndotjen e mjedisit në dëm të shëndetit të shtetasve, i ka kushtuar vemendje të veçantë. Kështu psh lidhur me shqyrtimin e çështjes Brandeze kundër Rumanisë në vendimin e saj ajo ka gjetur shkelje të nenit 8 të KEDNJ “E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare”, për shkak të erës së keqe nga mbetjet, zhurma e tepruar e trafikut dhe mos heqja e mbeturinave.