Ecuria e procesit të vettingut
Për periudhën 1 Shkurt 2018 – 31 Janar 2019
Procesi i vettingut, edhe pse, deri tani, ka ecur me ritme të ngadalta ka arritur një sërë objektivash të rëndësishëm. Kjo duket nga të dhënat e vitit të parë të veprimtarisë së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK).
Kështu, nga 800 gjyqtarë dhe prokurorë, në tërësi, janë vettuar gati 1/8 e tyre ose 12.5%. Mandati i KPK është 5 vite dhe institucioni ushtron veprimtarinë prej 1 vit e shtatë muaj (nga qershori i vitit 2017). Ndërkaq, ende nuk ka përfunduar procesi i vettingut për disa nga subjektet prioritare, përkatësisht për 5 anëtarë të KED-së (3 anëtarë + 2 anëtarë zëvendësues) dhe për 1 kandidat për Inspektor të Lartë të Drejtësisë.
Pjesa më e madhe e vendimeve të KPK-së, të marra deri në fund të muajit janar 2019, (91 nga 99 prej tyre) rezulton të jenë të arsyetuar.
Sipas statistikave të përpunuara nga KSHH bazuar në vendimet e arsyetuara, deri tani:
– janë dorëhequr 15 subjekte të vettingut. Procesi është ndërprerë ose pushuar për 5 gjyqtarë të niveleve të ndryshme, 3 prokurorë, 1 anëtar i Gjykatës së Lartë, 1 anëtar i Gjykatës Kushtetuese, 1 këshilltare e Gjykatës Kushtetuese dhe 4 ndihmësa ligjorë në Gjykatën e Lartë.
– janë dhënë 34 vendime shkarkimi. Këto së bashku me numrin e subjekteve të dorëhequr përbëjnë 53% të subjekteve të vettuar gjatë vitit të parë që largohen nga sistemi i drejtësisë, si rezultat i vendimmarrjes në shkallë të parë të vettingut. Vendimet e shkarkimit janë dhënë për 12 gjyqtarë, për 12 prokurorë, për 5 anëtarë të Gjykatës së Lartë, për 4 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, për 1 ndihmës ligjor pranë Gjykatës Administrative të shkallës së parë. Pjesa më e madhe e tyre është lidhur me kriterin e pasurisë ose mbi bazën e këtij kriteri dhe një kriteri tjetër (kontaktet e papërshtatshme dhe aftësitë profesionale). Vetëm 1 subjekt rezulton të jetë shkarkuar për “kontaktet e papërshtatshme” me krimin e organizuar dhe asnjë subjekt nuk rezulton të jetë shkarkuar posaçërisht vetëm për kriterin e aftësive profesionale, pavarësisht nga numri i lartë i denoncimeve që ka patur publiku për një pjesë të tyre.
– janë konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit 42 gjyqtarë dhe prokurorë.
– E drejta e ankimimit ndaj vendimeve të KPK është ushtruar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA), gjatë kësaj periudhe, 47 herë, nga të cilat në 29 raste nga vetë subjektet e rivlerësimit dhe 18 herë nga Komisioneri Publik.
Edhe ritmet e shqyrtimit të çështjes në KPA nuk rezultojnë të jenë dinamike. Për periudhën në fjalë, rezulton se KPA ka dhënë 11 vendime të arsyetuara, ku në shumicën dërmuese, në 8 prej tyre është vendosur lënia në fuqi e vendimeve të KPK-së, në 2 raste është vendosur ndryshimi i vendimit dhe në 1 rast, subjekti ankues është tërhequr nga e drejta e ankimit.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka monitoruar që në fillimet e tij procesin e vettingut, në kuadër të projektit “Për të rritur transparencën, gjithëpërfshirjen dhe përgjegjshmërinë në procesin e Vettingut”, mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA).
Për më shumë informacion KSHH ju ftojmë të lexoni të dhënat e nxjerra në infografikat e botuara në faqen zyrtare të KSHH dhe rrjetet sociale zyrtare të saj:
https://ahc.org.al/te-dhena-statistikore-per-ecurine-e-procesit-te-vettingut/
https://www.facebook.com/KomitetiShqiptarIHelsinkit/posts/1839902776133244
https://www.facebook.com/vettingu.ne.lupe/posts/817291515291655