Komiteti Shqiptar i Helsinkit po vëzhgon procesin zgjedhor për Zgjedhjet e Qeverisjes Vendore që do të mbahen në datën 30 Qershor 2019. Në këtë kuadër do të monitorohet procesi parazgjedhor, ai i votimit dhe i numërimit në disa prej qendrave të votimit dhe numërimit në qytetet Tiranë, Durrës, Kukës, Shkodër, Elbasan, Fier, Vlorë, Gjirokastër dhe Korçë.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit u bën thirrje të interesuarve, studentë apo të sapodiplomuar, që dëshirojnë të angazhohen si vullnetarë për realizimin e këtij monitorimi, të shprehin interesin e tyre. Janë të ftuar për t’u angazhuar si vëzhgues të gjithë shtetasit me banim në bashkitë e mësipërme.
Preferohet që, të interesuarit të jenë në proces studimi ose të kenë mbaruar studimet e larta Bachelor dhe/ose Master, në fakultetet e Drejtësisë apo të Shkencave Sociale. Ata nuk duhet të jenë anëtarë të partive politike, kandidatë apo vëzhgues të subjekteve zgjedhore për këto zgjedhje apo të mos jenë përfshirë në veprimtari me natyrë politike.
Personat e përzgjedhur do të plotësojnë një Formular vetëdeklarimi ku mbajnë përgjegjësi ligjore nëse rezulton se kanë kritere penguese të parashikuara në paragrafin e mësipërm. Formulari do të plotësohet dhe dërgohet i plotësuar dhe i firmosur në adresën e poshtëshënuar.
Angazhimi si vëzhgues në ditën e votimit është vullnetar dhe nuk përfshin ndonjë shpërblim financiar por do të mbulohen shpenzimet ditore të ushqimit.
Të interesuarit mund të dërgojnë një CV me fotografi dhe një letër për shprehjen e interesit përmes adresës së e-mailit office@ahc.org.al.
Afati për shprehjen e interesit është deri në dt. 31 Mars 2019.