Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në kuadër të projektit “Mbështetje për kthimin dhe riintegrimin e qëndrueshëm në Serbi dhe Shqipëri” i cili zbatohet me mbështetjen financiare të GIZ, shpall thirrjen publike për ekspertë vendas për psikolog dhe psikiatër. Pas nënshkrimit të marrëveshjeve të Ripranimit me BE, dhjetëra mijëra njerëz u kthyen në Serbi dhe Shqipëri, vullnetarisht ose u deportuan. KShH do të bashkëpunojë me aktorë të ndryshëm si institucione qeveritare dhe CSO lokale, të cilët janë aktivë në këtë fushë dhe punojnë drejt përmirësimit të shëndetit mendor dhe mirëqenies së përgjithshme të të kthyerve dhe refugjatëve / emigrantëve në Shqipëri. Projekti do të mbulojë zonat Shkodër, Tiranë dhe Gjirokastër dhe qasja e shërbimeve të shëndetit mendor do të sigurohet përmes punës së ekipeve të lëvizshme dhe stacionare të psikologëve dhe psikiatërve. Ekspertët vendas që do të përzgjidhen do marrin fillimisht pjesë në një trajnim për rritjen e kapaciteteve profesionale dhe për t’u njohur me metodologjinë që do të ndiqet gjatë zbatimit të këtij projekti lidhur me ndjekjen e rasteve që do të trajtohen. Në fokus të këtij projekti do të jetë ndjekja e rasteve të personave azilkërkues të riatdhesuar nga Gjermania.
KShH inkurajon aplikimet nga kandidatë me banim në Tiranë, Shkodër dhe Gjirokastër, të cilët janë të interesuar për t’u angazhuar si ekspertë në këtë proces dhe plotësojnë këto kritere të aftësisë individuale, edukimit dhe aftësisë profesionale në vijim:
Aftësitë individuale
- Të jetë i/e pavarur dhe me integritet.
- Te ketë aftësi të mira komunikimi dhe bashkëpunimi në ekip
- Të ketë aftësi analitike dhe mendim kritik
- Të jetë i/e përgjegjshëm për respektimin e detyrave dhe afatet e vendosura
Edukimi dhe aftësitë profesionale
- Të ketë përfunduar studimet bachelor dhe master ose të njehësuara me to në Fakultetin e mjekësisë me specializimin mjek Psikiatër (për ekspert psikiatër) dhe Fakultetin e Shkencave Social dega Psikologji (për ekspert psikolog).
- Të kenë të paktën 5 vite përvojë në profesionin psikiatër / psikolog. Preferohen kandidatët që kanë përvojë në trajtimin e individëve pjesë e grupeve vulnerabël, veçanërisht lidhur me ofrimin e shërbimeve sociale.
- Eksperienca të mëparshme pune me komunitetet dhe menaxhime rastesh.
- Eksperienca të mëparshme me sektorin e shoqërisë civile ose angazhime në projekte në sektorin e shoqërisë civile, do të ishte e preferuar.
- Të jetë proaktiv, energjik por edhe me aftësi shumë të mira për të punuar i pavarur.
- Të ketë njohuri shumë të mira të gjuhës angleze.
Të interesuarit që dëshirojnë të jenë pjesë e grupit të ekspertëve psikiatër dhe psikolog, të shprehin interesin e tyre deri në datën 29 Maj 2019, duke dërguar një CV dhe një Letër Motivimi. Dokumentet do të dërgohen në formë elektronike në adresën e e-mailit të KShH-së office@ahc.org.al. Vetëm personat e përzgjedhur do të kontaktohen me anë të e-mailit.