Të ndodhur përballë rrezikshmërisë së papritur që pandemia globale shkaktoi, ashtu sikurse Shqipëria dhe vendet tona fqinje kanë vendosur mbylljen e kufijve tokësorë, ajrorë dhe detarë për transportimin e shtetasve.
Refugjatët/Azilkërkuesit e ardhur nga vendet e Lindjes së Mesme (Algjeri, Siri etj) janë pjesë e kategorive vulnerabël, të cilat kanë mbetur të pambrojtur si pasojë e këtyre vendimmarrjeve.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) u njoh me intervistat e bëra publike për mediat, të disa azilkërkuesve të akomoduar në Qendrën Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit. [1] Sipas pretendimeve të tyre rezulton se ata nuk janë ekzaminuar në aspektin mjekësor, nëse janë bartës të Covid-19 ose nëse vuajnë nga problematika të tjera shëndetësore. Azilkërkuesit e akomoduar shfaqen të frikësuar si rrjedhojë e situatës së krijuar nga pandemia botërore, ndërkohë që ka nga ata që pretendojnë se qëndrojnë deri në 10 persona në dhomë. Media pasqyron se dalja e tyre për të bërë blerje, realizohet në grup në mungesë të elementëve mbrojtës si maska dhe doreza. Gjithashtu, vërehet se ata nuk janë të informuar mbi masat e marra nga ana e Qeverisë shqiptare për kufizimin e lëvizjeve brenda vendit, në respektim të fashave orare të përcaktuara dhe miratimit paraprak të lejes së daljes.
Rezulton se aplikacioni e-albania ka referuar të dhëna mbi mënyrën e aplikimit për marrjen e lejes për dalje nga ana e shtetasve të huaj.[2]
Gjatë muajit Mars 2020, KShH publikoi Raportin e Monitorimit “Mbi të drejtat dhe liritë e emigrantëve, azilkërkuesve dhe refugjatëve në Shqipëri”, në fokus të të cilit ka qenë dhe situata e respektimit të të drejtave të azilkërkuesve në këtë institucion.[3] Kapaciteti akomodues i këtij institucioni është 180 persona. Gjatë misionit monitorues të realizuar në Qershor 2019, ekspertët vëzhgues të KShH-së kanë konstatuar se qendra ka patur pengesa në gjetjen e kandidatëve të interesuar për mjek, si dhe përkthyes të gjuhës arabe, të cilët janë siguruar nga organizata RMSA. Gjithashtu, u konstatua vakancë në organikën e institucionit për pozicionin e infermierit. Ky shërbim ofrohej në bashkëpunim me UNHCR dhe RMSA. Kjo e fundit rezultoi se kishte vënë në funksion të institucionit 1 infermier full time dhe 2 kujdestarë nate. Gjatë periudhës së monitorimit ushtronte funksionin dhe 1 mjeke e cila vinte në institucion me kohë të pjesshme, 2 herë në javë.
- Kuadri ligjor vendas dhe ndërkombëtar që mbron të drejtat e refugjatëve/azilkërkuesve
Të drejtat e azilkërkuesit/refugjatit garantohen dhe trajtohen në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe legjislacionin shqiptar në fuqi. Gjatë procedurës së pritjes së përgjigjes, pas depozitimit të aplikimit të azilit, ligjvënësi ka parashikuar detyrimin e informimit të azilkërkuesit për kujdesin shëndetësor.[4] Garantimi i kujdesit shëndetësor[5] në situatën aktuale në vend është i një rëndësie të veçantë.
Agjensia e BE-së për Drejtat Themelore, në njoftimin e saj për shtyp ka cituar se: “Shtetet kanë të drejtë të kontrollojnë hyrjen e shtetasve të huaj (jo vendas) në territorin e tyre. Ndërsa ju duhet të mbrojnë kufijtë e tyre të jashtëm dhe të mbrojnë rendin dhe shëndetin publik, ata gjithashtu kanë për detyrë të mbrojnë të drejtat e njeriut.”[6]
Pavarësisht se Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut (KEDNJ) nuk ka specifikuar në mënyrë eksplicite mbrojtjen e të drejtës për të gëzuar shëndet, praktika gjyqësore e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) e ka përfshirë në aspektin e “integritetit moral dhe fizik” i cili mund të jetë në suazat e nenit 8 që garanton të drejtën e respektimit të jetës private dhe familjare.[7]
Mbetet e paqartë nëse nga ana e autoriteteve të kufirit dhe migracionit, në momentin e hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë, është realizuar transporti i këtyre shtetasve pranë institucioneve shëndetësore me qëllim ekzaminimin e tyre shëndetësor. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse këta shtetas kanë qenë subjekt i karantinimit, për periudhën e përcaktuar nga ana e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Nëse pretendimet e bëra publike të këtyre shtetasve rezultojnë të vërteta, KShH i bën thirrje Qendrës Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit në Babrru dhe Ministrisë së Brendshme[8] për verifikimin e kushteve të azilkërkuesve të akomoduar gjatë kësaj periudhë në këtë qendër, në funksion të garantimit të mbrojtjes së shëndetit dhe jetës së tyre.
[1] Burim: Report TV: https://www.youtube.com/watch?v=H14APHB_EhA
[2] Sipas këtij aplikacioni: Shtetasit e huaj mund të aplikojnë për një leje për dalje ditore duke dërguar një sms në numrin 55155 me formatin “F IDnumber Time”. (The foreign citizens may apply for a one time per day pemission by sending a text message at the number 55155 with the format “F IDnumber Time” (F stands for Foreigner) Example: F J1234567G 0930): https://e-albania.al/
[3] https://ahc.org.al/wp-content/uploads/2020/03/Raport-monitorimi_Mbi-te-drejtat-dhe-lirite-e-emigranteve-azilkerkuesve-dhe-refugjateve-ne-Shqiperi_compressed.pdf
[4] Neni 12, Ligj nr. 121/2014 “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”.
[5] Nenet 30, 32, 33 të ligjit nr. 121/2014 “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”.
[6] https://fra.europa.eu/en/news/2020/fundamental-rights-refugees-and-migrants-european-borders
[7] Çështja Bensaid kundër Mbretërisë së Bashkuar, Aplikim nr. 44599/98, 6 Shkurt 2001.
[8] VKM nr. 332, dt. 04.05.2016 “Për organiziminn dhe funksionimin e Qendrës Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit”.