Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) nëpërmjet medias të dt.15 Maj 2020 u informua se Inspektorati Shtetëror Shëndetësor (ISHSH), mbas inspektimeve të ushtruara në TV Ora News, vendosi gjobitjen e tij fillimisht me 1,000,000 Lek (të reja) dhe brenda harkut kohor prej 24 orësh vendosi gjobitjen e tij me të njëjtën shumë si dhe mbylljen e këtij televizioni. Ky fakt tërhoqi vëmendjen dhe në të njëjtën kohë edhe shqetësimin e KSHH-së.
Akti normativ nr.3, dt. 15.03.2020, i miratuar nga Kuvendi, parashikon në nenin 3, pika 13 se “Të gjitha transmetimet audiovizive me më shumë se dy persona në të njëjtën studio televizive dënohen me gjobë në masën 1 000 000 (një milion) lekë dhe në rast përsëritjeje iu shtohet edhe vendosja e bllokimit, të pjesshëm ose të plotë, të transmetimit nga media audiovizive si dhe bllokimi dhe/ose ndalimi i funksionimit të pajisjeve, pas marrjes së vendimit nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe zbatohet nga organi kompetent”.
Sikurse vërehet nga formulimi i dispozitës së mësipërme, bllokimi i pjesshëm apo i plotë i transmetimit ndaj një media audiovizive vendoset në rast se ka përsëritje të shkeljes dhe pas marrjes së vendimit nga ministria përgjegjëse. KShH ende nuk është njohur me dokumentacionin e plotë që është mbajtur nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor lidhur me shkeljet e konstatuara dhe nëse konform aktit normativ, a ka ose jo një vendim të Ministrisë Përgjegjëse për Shëndetësinë që bllokon (plotësisht apo pjesërisht) transmetimin nga ky televizion? Në asnjë nga dokumentet e publikuara deri më tani në media nuk ka një akt administrativ që të sanksionojë në pjesën urdhëruese të tij bllokimin (mbylljen) e plotë apo të pjesshme të TV Ora News. Vendimi përfundimtar i inspektimit nr. ISHSH-TR-2020-001297-S, dt. 15 Maj 2020 evidenton shkeljet që pretendohen ndaj këtij subjekti televiziv por ky dokument, nuk ka një pjesë urdhëruese, por vetëm citon parashikimet ligjore. KShH i rekomandon institucioneve përgjegjëse që me përgjegjshmëri dhe transparencë të sqarojnë menjëherë opinionin publik, duke publikuar dhe vendimmarrjet përkatëse (nëse ekzistojnë).
Ashtu si në vende të tjera të botës, media në vendin tonë ka qenë partneri kryesor ne komunikimin me publikun lidhur me situatën e krijuar nga Covid 19, duke rrezikuar në jo pak raste shëndetin e punonjësve të saj që kanë shërbyer me përkushtim, duke qendruar në frontin e parë të kësaj krize humane, bashkë me punononjësit e shëndetësisë dhe ata të policisë. Gjithashtu, sikurse dihet media përbën sektorin më të rrezikuar nga pikëpamja financiare nga kjo pandemi.
KShH e sheh të nevojshme të konfirmojë qëndrimin e tij për respektimin e masave parandaluese, në mbrojtje të shëndetit dhe jetës së njerëzve. Në këtë situatë, KShH vëren se në respektim të parimit të barazisë përpara ligjit duhet të ketë më shumë respekt ndaj atyre mediave që kanë zbatuar këto kufizime. Çështja e proporcionalitetit të këtyre kufizimeve është e diskutueshme sa kohë, liria e shprehjes është një nga liritë themelore dhe sikurse dihet media përbën pushtetin e katërt që mundëson garantimin e transparencës dhe përgjegjshmërisë së tre pusheteve të tjera. Nëse marrim të mirëqenë informacionin e publikuar në disa media për masat administrative ndaj TV Ora News, KShH vlerëson se ato janë tepër të përshpejtuara, drastike dhe jo proporcionale si dhe cenojnë thelbin e lirisë së shprehjes.