72 vite më parë, në dt. 10 Dhjetor të vitit të vitit 1948 u miratua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut. Deklarata lindi si përgjigje ndaj tmerreve të Luftës së Dytë Botërore dhe përfaqëson përpjekjen e parë globale për mbrojtjen e atyre të drejtave që shumë njerëz besonin se ishin të drejta themelore që i takojnë të gjitha qënieve njerëzore.
Edhe pse kanë kaluar rreth 72 vite nga miratimi i kësaj deklarate, mos respektimi i të drejtave të njeriut vazhdon të jetë një problem me përhapje të gjerë në disa vende të ndryshme të Botës, duke përfshirë dhe vendin tonë.
Në këto 30 vite të veprimtarisë së tij, Komitet Shqiptar i Helsinkit vëren se shtetasit nuk gëzojnë mjaftueshëm informacion për të drejtat dhe liritë e tyre si dhe mjetet ligjore se si t’i ushtrojnë këto të drejta por gjithashtu nuk kanë dhe mundësitë financiare për të patur shërbim ligjor cilësor për të kërkuar ligjërisht të drejtat e shkelura.
Përgjatë këtij viti, situata e pandemisë dhe masat me natyrë kufizuese ndikuan në përkeqësimin e situatës së të drejtave dhe lirive të njeriut pothuajse në çdo vend të botës, ndërkohë që niveli apo proporcionaliteti i kufizimeve në raport me nevojën për të parandaluar përhapjen e Pandemisë, kryesisht ishte indikator dhe tregues i nivelit të demokracisë funksionale në shtetet përkatëse.
Në mënyrë të veçantë, pandemia përkeqësoi në vendin tonë aksesin e qytetarëve dhe gazetarëve në të drejtën për informim, aksesin e organizatave të shoqërisë civile në proceset e konsultimit publik të ligjeve të rëndësisë së veçantë dhe aksesin efektiv të tyre në politikbërje, cenoi në disa raste të drejtën për tubim dhe organizim (shpërndarja e disa tubimeve nga policia nuk reflektoi një qasje të unifikuar, ndërkohë që pati edhe procedime penale ndaj protestuesve), ngadalësoi ritmet e ecurisë së zbatimit të reformës në drejtësi duke sjellë pengesa dhe vonesa të aksesit të qytetarëve në sistemin gjyqësor, vështirësoi kushtet sociale-ekonomike të grupeve të marxhinalizuara të shoqërisë, të cilat u përballën me papunësi, ndikoi në rritjen e numrit të grave dhe vajzave të dhunuara në familje, pamundësoi takimet fizike të shtetasve të privuar nga liria në sistemin e burgjeve me familjarët e tyre, kufizoi lirinë e lëvizjes së shtetasve shqiptarë që kërkonin të riktheheshin pranë familjeve të tyre në periudhën e parë dhe të vështirë të pandemisë, etj.
Personeli shëndetësor dhe veçanërisht bluzat e bardha që u vunë në shërbim të njerëzve që u prekën nga Covid 19 u përballën me një sërë vështirësish dhe sfidash që nga orët e tejzgjatura të punës, duke sjellë privimin e tyre nga jeta familjare, me qëllim që të shpëtoheshin sa më shumë jetë njerëzish të rrezikuara nga virusi vdekje prurës. I shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjarëve të mjekëve që sot nuk jetojnë më dhe humbën betejën me Covid 19. Njëkohësisht shprehim mirënjohjen e thellë për të gjithë personelin shëndetësor që u rrjeshtua me përkushtim dhe pasion, në vijën e parë të mbrotjes së jetës dhe shëndetit të qytetarëve nga Covid 19.
Përpjekjet për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, evidentojnë nevojën për të forcuar llogaridhënien, transparencën dhe përgjegjësinë e institucioneve shtetërore në raport me individin dhe interesin publik në tërësi si dhe nevojën për të siguruar më shumë mundësi dhe barazi, për të rinj dhe të reja, vajza dhe gra, persona me aftësi të kufizuara, persona me orientim të ndryshëm seksual, identitet gjinor, personave që i përkasin minorieteteve apo besimeve të ndryshme fetare apo persona të tjerë që i përkasin grupeve të disavantazhuara nga pikëpamja sociale dhe ekonomike në shoqërinë tonë.
Mbrojtjësit e të drejtave dhe lirive të njeriut në vendin tonë japin një kontribut të vyer për të ndërtuar një shoqëri me më shumë përgjegjësi dhe respekt për të drejtat dhe liritë, veçanërisht kur ato u cënohen grupeve apo njerëzve në nevojë. Çdo paragjykim apo sulm ndaj punës dhe veprimtarisë së mbrojtjësve të të drejtave të njeriut, sikurse ka patur raste të shënuara përgjatë këtij viti, është i papranueshëm në një shoqëri demokratike.