Komiteti Shqiptar i Helsinkit është duke zbatuar projektin: “Media dixhitale në një fushë të re: Rruga drejt vetërregullimit, etikës dhe pavarësisë”, i mbështetur financiarisht nga qeveria holandeze.
Qëllimi kryesor i këtij projekti është forcimi i etikës, profesionalizmit dhe pavarësisë në sektorin e medias në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke promovuar dhe shtyrë drejt rrjetëzimit, si dhe zgjidhjeve dhe politikave të qëndrueshme pozitive.
Në këtë kuadër, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH), në bashkëpunim me Ambasadën e Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Tiranë, organizon Konferencën Rajonale të Medias, e cila ka për qëllim të adresojë në nivel rajonal për shtetet e Ballkanit Perëndimor, sfidat me të cilat përballet sektori i medias, në drejtim të profesionalizmit, etikës dhe pavarësisë si dhe të analizojë dhe adresojë zgjidhje konkrete në këtë drejtim.
Në këtë konferencë do të marrin pjesë përfaqësues dhe ekspertët më të mirë të fushës për çështjet e medias, në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe nga Holanda e Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.
Konferenca rajonale është parashikuar të zhvillohet në Tiranë, në datat 18-19 Mars 2021. Në përputhje me protokollet dhe udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), konferenca rajonale do të zhvillohet me pjesëmarrje fizike dhe online në ditën e parë, ndërsa dita e dytë e punimeve do të jetë tërësisht online.
Në këtë kuadër, Komiteti Shqiptar i Helsinkit shpall thirrjen për angazhimin e një kompanie IT për ngritjen e platformës online ku do të zhvillohet konferenca.
Kompania duhet të:
- Angazhohet në krijimin e një platforme online për zhvillimin e Konferencës Rajonale të Medias, me rreth 100 pjesëmarrës .
- Krijojë një sistem regjistrimi online të pjesëmarrësve.
- Krijojë një sistem për përfshirjen e materialeve interaktive (sondazhe, video, etj.) për pjesëmarrësit, gjatë zhvillimit të konferencës.
- Krijojë një sistem që mundëson aksesimin/ndryshimin e sesioneve paralele, që do të mbahen gjatë të njëjtës orë për pjesëmarrësit.
- Krijojë një sistem që mundëson transmetimin e konferencës edhe në TV.
- Ofrojë mbështetje teknike për folësit dhe pjesëmarrësit gjatë konferencës.
- Menaxhojë sigurinë dhe privatësinë dixhitale gjatë gjithë procesit të organizimit/ realizimit të konferencës.
- Publikojë/ Marketojë konferencën online në platformat e organizatës.
- Japë asistencë për mbarëvajtjen e Konferencës Rajonale të Medias sipas parashikimeve të bëra në projekt.
Periudha e angazhimit të kompanisë IT do të jetë 28 Shkurt – 20 Mars 2021.
KSHH inkurajon aplikimet nga kompani, që plotësojnë kriteret e mëposhtme:
- Eksperiencë 3-vjeçare në organizimin dhe menaxhimin e eventeve online (krijimin e platformave të menaxhimit të eventeve online).
- Njohje e teknologjive më të fundit të organizimit të eventeve online
- Sugjerimi i platformave virtuale më të përshtatshme dhe të lehta për t’u përdorur në konferencë.
Të interesuarit duhet të dërgojnë:
- Ofertë financiare, e cila nuk duhet të kalojë shumën maksimale prej 1500 euro;
- CV të kompanisë;
- Shembuj të punëve të mëparshme
- Kopje të kualifikimeve (nëse ka);
- Një material përmbledhës mbi bazat kryesore të metodologjisë që do të përdorë (1-2 faqe).
Dokumentet duhet të dërgohen në formë elektronike, në adresën office@ahc.org.al , brenda datës 22 Shkurt 2021.
Vetëm kompania e përzgjedhur do të njoftohet.
Faleminderit!
Komiteti Shqiptar i Helsinkit