Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në kuadër të nismës “Të lëmë të kaluarën pas: ndërtojmë rezistencë ndaj ekstremizmit të dhunshëm nëpërmjet mbështetjes dhe edukimit” zbatuar në bashkëpunim me Linjën e Këshillimit për Gra dhe Vajza dhe financuar nga GECRF, hap thirrjen për angazhimin e një eksperti për rishikimin dhe përditësimin e udhëzuesit administrative “Për menaxhumin dhe parandalimin e radikalizmit që çon në ekstremizëm të dhunshëm”. Ky udhëzues administrativ, se bashku me protokollet shoqëruese është hartuar paraprakisht nga KShH dhe miratuar për tu përdorur në të gjitha institucionet e sistemit penitenciar si pjesë e dokumenteve të brendshme për të identifikuar dhe adresuar rrezikun e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit të të paraburgosurve dhe të dënuarve në burgje.
Eksperti, bazuar në kërkesat dhe të dhënat e vendosura në dispozicion nga stafi zbatues i KShH, do të përmbushë shërbimet e mëposhtme:
- Me synim ofrimin e ekspertizës efikase, eksperti i angazhuar duhet të studiojë praktikat më të mira ndërkombëtare, legjislacionin vendas dhe atë ndërkombëtar lidhur me ekstremizmin e dhunshëm me qëllim përfshirjen e ndryshimeve më të fundit të politikave lidhur me ekstremizmin e dhunshëm, duke i përshtatur për sistemin penitenciar.
- Eksperti do të rishikojë udhëzuesin administrativ, si dhe nëse është e nevojshme do të mbajë takime të posaçme me stafin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të adresuar çështjet e lindura nga praktika gjatë 3 viteve të zbatimit të udhëzuesit në fjalë.
KShH inkurajon aplikimet nga kandidatë, të cilët janë të interesuar për t’u angazhuar si ekspertë në këtë proces dhe plotësojnë këto kritere të aftësisë individuale, edukimit dhe aftësisë profesionale në vijim:
Aftësitë individuale
- Të jetë i/e pavarur, i/e paanshëm dhe me integritet;
- Të ketë aftësi shumë të mira komunikimi dhe bashkëpunimi në ekip dhe jo vetëm;
- Të ketë aftësi analitike dhe mendim kritik;
- Të jetë i/e përgjegjshëm për respektimin e detyrave dhe afatet e vendosura;
- Të ketë aftësi të punojnë nën presionin e kohës.
Edukimi dhe aftësitë profesionale
- Shkathtësi të shkëlqyera analitike, ndërpersonale dhe komunikuese;
- Të ketë përfunduar studimet master në Drejtësi;
- Të ketë përvojë profesionale prej të paktën 4 vitesh në fushën e drejtësisë;
- Të ketë eksperiencë dhe njohuri shumë të mira në fushën e të drejtave të njeriut, veçanërisht lidhur me çështje të sistemit penitenciar;
- Preferohen aplikantë që kanë përvojë në procese hartimi dokumentesh dhe politikash të ngjashme.
KShH inkurajon ekspertët e interesuar që të dërgojnë në formë elektronike në adresën e e-mailit të KShH-së office@ahc.org.al, deri në datën 20.03.2021 dokumentacionin e mëposhtëm (në mënyrë kumulative):
- CV (Curriculum Vitae);
- Letër motivimi
- Ofertë finaciare.
Vetëm eksperti i përzgjedhur do të njoftohet.
Me konsideratë,
Komiteti Shqiptar i Helsinkit