Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), ditën e djeshme publikoi Raportin e vitit 2021 “Mbi të Drejtat e Njeriut” (https://www.state.gov/reports/2021-country-reports-on-human-rights-practices/albania )
Sipas raportit dedikuar Shqipërisë, çështjet e rëndësishme të të drejtave të njeriut përfshinin: problemet me pavarësinë e gjyqësorit ndërkohë që paralelisht procesi i vettingut vijon; kufizimet e lirisë së shprehjes dhe shtypit; dhe korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisë dhe institucionet në nivel vendor. DASH identifikon se ka patur raportime se qeveria, bizneset dhe grupet kriminale kërkuan të ndikonin në media në mënyra të papërshtatshme.
Gjithashtu, Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e tij të publikuar i është referuar si burim i sigurtë dhe objektiv informacioni, nëpërmjet citimit të drejtpërdrejtë Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
Në seksionin c) “Tortura, dhe Trajtime ose Ndëshkime të tjera Mizore, Çnjerëzore ose Degraduese”, Raporti vë në dukje se: “Ndërsa Kushtetuta dhe ligji i ndalojnë veprime të tilla, kishte pretendime se policia ndonjëherë abuzonte me të dyshuarit dhe të burgosurit. Për shembull, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) raportoi një rast të abuzimit fizik të një të mituri gjatë ndalimit policor. Stafi mjekësor nuk e raportoi në prokurori ekzaminimin fizik, i cili konfirmonte mavijosje në kokë dhe krah. Duke iu përgjigjur incidentit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë mandatoi trajnime të fokusuara në të drejtat procedurale penale të të miturve.”
Gjithashtu, sa i përket seksionit “Kushtet në Burgje dhe në Ambientet e Paraburgimit”, Raporti citon se: “Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka lëshuar disa vendime për menaxhimin e përhapjes së COVID-19 në sistemin penitenciar. KShH-ja raportoi se në muajin Mars deri në Maj 2020, autoritetet identifikuan 21 raste të infektimit pozitiv në burgje, ndërsa nga Korriku 2020 deri në Shkurt 2021 janë raportuar 140 raste. Vetëm pesë raste janë trajtuar në ambientet e trajtimit mjekësor civil për COVID, në Spitalet Covid 1 dhe Covid 2. Burgu i Shen Kollit në Lezhë dhe Spitali i Burgjeve në Tiranë i kushtuan disa nga ambientet e tyre vetëm trajtimit të pacientëve me COVID-19. Autoritetet vazhduan të ndalonin takimet me familjet. Në tetor 2020, të burgosurit në burgjet e Peqinit dhe Shën Kollit dhe familjet e tyre protestuan kundër kufizimeve të vizitave”.
KShH vlerëson Raportin e përpiluar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ndërkohë që mbetemi besimplotë se gjetjet e pasqyruara do të shërbejnë pozitivisht në konsolidimin e reagimit të përbashkët ndërmjet aktorëve qeveritarë, shoqërisë civile dhe medias, kundrejt garantimit të respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.