Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), nëpërmjet nismës “Jo Korrupsionit, Po Demokracisë” financuar nga Qeveria Suedeze, synon të fuqizojë kontributin e shoqërisë civile në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, promovimin e shtetit të së drejtës, demokracisë dhe anti-korrupsionit në Shqipëri. Në kuadër të kësaj nisme, KShH hap thirrjen për projekt-propozime për mbështetjen e nismave nga organizatat e shoqërisë civile.
Objektivi kryesor i kësaj thirrje është: Fuqizimi i Organizatave të Shoqërisë Civile për promovimin e nismave lokale dhe qëndrore që sigurojnë një respekt më të mirë të të drejtave të njeriut, një demokraci në zhvillim, anti-korrupsionin dhe mirëqeverisjen e vendit.
Rezultati kryesor i kësaj thirrje do të jetë: Rritja e kapaciteteve dhe angazhimit të organizatave të shoqërisë civile në promovimin e zgjidhjeve kreative për adresimin e cështjeve që lidhem me të drejtat e njeriut, demokracinë, anti-korrupsionin, shtetin e së drejtës dhe pjesëmarrjen publike. politike.
Nëpërmjet kësaj thirrje KShH synon të krijojë Laboratorin e të Drejtave të Njeriut (Human Rights Lab), i cili do të fuqizojë organizatat përfituese të skemës së granteve në luftën kundër korrupsionit dhe do të kontribuojë në zhvillimin e një demokracie të qëndrueshme dhe shtetit të së drejtës duke garantuar një respekt më të mirë për të drejtat e njeriut në Shqipëri.
Kjo thirrje për Projekt-Propozime është e vlefshme për periudhën 4 javore prej 28 Shtator – 28 Tetor dhe i përket Skemës së Granteve, si një nga komponentët kryesorë të projektit, i cili ka si qëllim financimin e projekteve të propozuara nga OShC-të që veprojnë dhe promovojnë fushat prioritare të këtij projekti.
Vlerësimi dhe përzgjedhja e projekt-propozimeve do të realizohet në bazë të një procesi meritokratik, objektiv dhe të paanshëm.
Shuma e përgjithshme e vënë në dispozicion për këtë Thirrje për Projekt-Propozime është 4,857,600 Lekë.
Buxheti i përgjithshëm i projekteve që do të mbështeten nga kjo Thirrje duhet të jetë jo më shumë se 2,428,800 Lekë.
Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve të Projekt-Propozimeve është data: 28 Tetor 2022, ora 17.00
Për këtë thirrje do të organizohen 2 sesione informimi në Kukës dhe Korcë për orën dhe datën e të cilëve, ju lutem ndiqni faqen tonë në Facebook: Komiteti Shqiptar i Helsinkit.
Udhëzimet për mënyrën e aplikimit dhe dorëzimit të Projekt-Propozimeve përshkruhen me detaje në “Udhëzimin për Aplikantët”, i cili mund të gjendet në linkun më poshtë, si dhe në rrjetet sociale të Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
Një kopje e Udhëzimit për Aplikim dhe formularëve të aplikimit mund të kërkohet edhe duke dërguar një e-mail në adresën: office@ahc.org.al.