Aksesi i medias për të marrë informacion dhe për t’jua transmetuar atë publikut të gjerë, është i një rëndësie të veçantë. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) ka formuluar një grup parimesh dhe rregullash që i japin medias status të veçantë.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) me vëmendje të veçantë, u njoh në tërësi me Rregulloren për komunikimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) me median. Në ushtrim të misionit tonë e shohim të nevojshme, për disa çështje të shprehim këto objeksione.
1.Sipas pikës 4 të nenit 6 të Rregullores i kërkohet gazetarit që në formularin që do të paraqesë, të përmendë edhe qëllimin dhe përmbajtjen e problematikës për të cilën kërkon të informohet. Me shprehjen “qëllimin” lexuesi, pra edhe gazetari nënkupton arsyen, motivin e kësaj kërkese. Mirëpo, një kërkesë e tillë mendojmë se bie ndesh me nenin 3 pika 1 të Ligjit N. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” ku thuhet se “çdo person gëzon të drejtën e njohjes me informacionin publik, pa u detyruar të shpjegojë motivet”,
Si do të verpohet nëse gazetari nuk përmend qëllimin përse ose për ç’arsye kërkon informacionin? Nëse për këtë shkak, do të refuzohej ose nuk do të pranohej kërkesa për informacion, do të cënohej aksesi i medias për të marrë informacion. Nëse kjo do të ndodhte, formulimi i parashikuar në pikën 2 të nenit 1 të Rregullores, ku thuhet se Rregullorja synon të krijojë lehtësira për aksesimin e informacionit për median, do të mbetej formale.
2.Sipas nenit 8 pika 3 të Rregullores, koordinatori për të drejtën e informimit, me miratimin e antarit të caktuar nga KLP-ja, ka të drejtë të kërkojë nga drejtuesi përkatës i medias zëvendësimin e gazetarit “nëse rezultojnë shkelje qartësisht të dallueshme të objektivitetit dhe profesionalizmit, si dhe shkelje të Kushtetutës, ligjit dhe të parimeve të kësaj Rregulloreje.”
Zbatimi i pikës 3 të nenit 8 të Rregullores u jep të drejtë personave të mësipërm të vlerësojnë çështje tepër të rëndësishme që edhe për Gjykatën që mund të shqyrtojë një çështje me objekt të tillë, nuk është e lehtë. Dhënia e kësaj kompetence dy individëve do të thotë t’i vesh ata në rolin e gjyqtarit. Si është e mundur që ata të vlerësojnë nëse gazetari ka shkelur ose jo Kushtetutën, nëse ai në dhënien e informacionit është treguar objektiv ose jo, etj.? Një parashikim i tillë i lë shteg subjektivizimit, arbitraritetit, cënimit të aksesit të medias në informacion. KShH vëren se kjo është e papranueshme dhe e kundërligjshme, kur dihet se e drejta e informimit mund të kufizohet vetëm ne raste të domosdoshme, proporcionale dhe kur ajo dëmton interesa të caktuara që parashikohen në nenin 17 të Ligjit Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”.
E shikojmë të nevojshme të përmendim gjithashtu se sipas nenit 2 shkronja “d” të Rregullores “Koordinatori për të drejtën e informimit është koordinatori i KLP i caktuar në zbatim të ligjit Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”. Mirëpo nëse do t’i referoheshim nenit 10 të Ligjit të mësipërm të titulluar “Kompetencat e koordinatorit për të drejtën e informimit” nuk përmendet ndonjë kompetencë (siç thuhet në Rregullore) që ai të kërkojë zëvendësimin e gazetarit.
3.Sipas nenit 8 pika 4 të Rregullores “Në rastin kur shkelja është publike, e rëndë apo flagrante, anëtari i caktuar nga Këshilli, merr vendim për heqjen e akreditimit të gazetarit që kryen shkelje. Ky vendim i komunikohet drejtuesit të medias, ndërsa në mbledhjen e rastit njoftohet KLP-ja.
Media, siç dihet, merr informacion dhe ja jep atë publikut. Nga formulimi i dispozitës së mësipërme të Rregullores lihet të kuptohet se anëtari i caktuar i KLP-së, pasi njihet me shkrimin e botuar nga gazetari vlerëson dhe vendos heqjen e akreditimit të gazetarit sepse sipas tij ai ka bërë shkelje të rëndë ose flagrante, por nuk dihet ku bazohet në marrjen e këtij vendimi. Në këtë rast nuk përjashtohen rastet e vlerësimeve që mund të çojnë në marrjen e vendimeve arbitrare që cënojnë aksesin e medias për të kërkuar informacion. Tërheq gjithashtu vëmendjen fakti se vendimi që merr antari i caktuar nga Këshilli ka për detyrë vetëm të njoftojë (d.m.th të vejë në dijeni) Këshillin në mbledhjen e rradhës!
Në informacionin që media i jep publikut bëhen dhe komente kritike edhe interpretime nga më të ndryshmet. Ato janë të nevojshme dhe të lejueshme nëse nuk kapërcejnë garancitë e vendosura në interes të autoritetit dhe paanshmërisë së pushtetit gjyqësor. Në këtë vështrim e shikojmë të nevojshme të theksojmë se jurisprudenca e GJEDNJ ka vlerësuar se megjithëse pushteti gjyqësor gëzon mbrojtje të veçantë, ai nuk funksionon në vakum. Ka çështje që kanë të bëjnë me veprimtarinë e organeve të drejtësisë që mund dhe duhet të jenë objekt i debatit publik.
Çdo kufizim i lirisë së shprehjes, ku përfshihet edhe liria për të marrë dhe për të dhënë informacione, mund t’i nënshtrohet kufizimeve të parashikuar me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare, integritetit territorial ose sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për mbrojtjen e shëndetit ose të moralit, për mbrojtjen e dinjitetit ose të të drejtave të të tjerëve, për të ndaluar përhapjen e të dhënave konfidenciale ose për të garantuar autoritetin dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor. Ky standart minimum parashikohet në nenin 10, paragrafi 2 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ), dhe është i detyrueshëm të zbatohet nga secili shtet anëtar i Këshillit të Evropës që ka ratifikuar atë, përfshi Shqipërinë. Rrjedhimisht çdo institucion publik ka detyrimin që të respektojë në mënyrë rigoroze këto standarte në veprimtarinë dhe aktet rregullatore të tij, dhe të analizojë me kujdesin e duhur edhe impaktin që ato do të kenë në lirinë e shprehjes.
Duke ju referuar objeksioneve të të parashtruarë më sipër, KShH i sugjeron KLP-së të rishikojë rregulloren për komunikimin me median, me qëllim që të pajtohet plotësisht me standartet minimum të KEDNJ-së.